1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurozona: rregulla të mira apo të këqija?

Eliana Xhani23 Janar 2013

Historia e euros është edhe një histori e thyerjes së rregullave. Shpëtimi i euros ndjek të njëjtin model. A mund të mbijetojë unioni monetar pa rregulla strikte?

https://p.dw.com/p/17QFv
Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt mbi Main
Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt mbi MainFotografi: Johannes Eisele/AFP/GettyImages

Në vitin 2009 ekonomisti japonez Kenichi Ohmae shkruante se vlera e euros buronte nga disiplina e rreptë fiskale. Me këtë ai kishte parasysh Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes, të negociuar para futjes së euros, i cili duhej të pengonte krijimin e borxheve dhe të garantonte buxhete të shëndosha.

Ajo çfarë i kishte shpëtuar vëmendjes së japonezit ishte që Pakti nuk ishte marrë kurrë seriozisht nga anëtarët e unionit monetar. "Me Belgjikën, Greqinë dhe Italinë u lejuan edhe vende të cilat kishin një nivel borxhi mbi kufirin e lejuar prej 60 për qind", shkruan Nicolaus Heinen, analist pranë Deutsche Bank, në librin e tij të fundit "Misioni besim". Goditja vdekjeprurëse për paktin erdhi në vitin 2003 kur Gjermania dhe Franca ia dolën mbanë t'u shmangeshin sanksioneve për shkak të deficiteve shumë të larta buxhetore. Në total Pakti është shkelur më shumë se 100 herë, por sanksione nuk janë vënë asnjëherë.

Qendrim i ndryshëm ndaj rregullave

A u mungon evropianëve disiplina? Kur ka qenë fjala për t'i detyruar qeveritë të tregohen të moderuara me borxhet, çdo përpjekje për respektimin e rregullave ka dështuar. Kjo ka të bëjë edhe me kulturat e ndryshme në Evropë, thotë ekonomisti i Deutsche Bank. Si pasojë "rregullave, të cilat kanë karakter relativisht evropianoverior me objektiva fikse që duhen respektuar, u janë përmbajtur vetëm evropianoveriorët, ndërkohë që në jug të Evropës ato shiheshin vetëm si rekomandime, ngjashëm si drita e kuqe e semaforit", thotë Heinen në intervistë më Deutsche Welle-n.

Me fjalë të tjera: ndërkohë që gjermanët ngulin këmbë tek parimet, francezët parapëlqejnë të vendosin rast për rast. Kur kriza e borxheve të Greqisë kërcënoi të përhapej në gjithë Evropën, triumfoi modeli francez: në maj 2010 shtetet e eurozonës e braktisën klauzolën "no-bailout" dhe nuk bëjnë gjë tjetër veçse i ofrojnë ndihmë financiare njërit vend pas tjetrit.

Pa respektim rregullash unioni monetar dështon

Por respektimi i rregullave ka rëndësi themelore për vazhdimin e ekzistencës së unionit monetar, mendon Wim Kösters, në bordin drejtues të Institutit për Studime Ekonomike të Rinit-Vestfalisë (RWI): "Pa respektim eficient të rregullave unioni monetar është i destinuar të dështojë. Edhe euro dikur nuk do të mund të ekzistojë më", thotë Kösters në bisedë me Deutsche Welle-n.

Vendet e eurozonës do të kishin një shans për të rifituar besimin, vetëm nëse tani në shpëtimin e euros do t'i përmbaheshin rregullave që kanë vendosur vetë, mendon Wim Kösters. Por as kjo nuk po ndodh. Kufijtë e vendosur nga vetë këto vende mbeten në fuqi vetëm pak muaj ose javë e nganjëherë vetëm pak ditë.

Heinen e kritikon në përgjithësi përgjigjen e kryetarëve të shteteve dhe qeverive ndaj krizës së euros si të varfër në ide: "U bënë përpjekje që rregullat që nuk kishin funksionuar, si pakti i stabilitetit dhe rritjes, të zëvendësoheshin me rregulla të reja, të cilat megjithatë janë të natyrës autoritare dhe diktojnë se çfarë duhet bërë e çfarë jo."

Duhet të ndryshojë natyra e rregullave

Pakti fiskal që ka hyrë në fuqi në fillim të këtij viti i përket sipas Heinen kësaj kategorie dhe është për këtë arsye vetëm një tigër prej letre. Edhe më e gabuar është për ekonomistin ideja e euro-obligacioneve, pra ndarjes së përgjegjësisë për borxhet mbi supet e gjithë anëtarëve të eurozonës, pasi kjo u heq vendeve në krizë çdo stimul për reforma.

Symbolbild Geld
Fotografi: picture-alliance/ZB

Pozitivisht vlerëson Nicolaus Heinen Paktin Euro-plus, për të cilin ranë dakord në pranverë 2011, 23 vende të BE-së. Ai vendos objektiva të përgjithshme për reduktimin e borxheve dhe reforma strukturore, të cilat shtetet mund t'i ndjekin. Sipas ekonomistit të Deutsche Bank, këto janë rregulla të një natyre të re, jo objektiva të ngurtë por objektiva të përgjithshëm, që tregojnë procesin për përmbushjen e tyre.

Pikërisht për këto lloje rregullash ka nevojë Evropa për t'i futur shtetet në rrugën e konkurrencës, thotë Heinen. Por pjesë e një konkurence të ndershme është edhe shpërblimi i atyre që janë të suksesshëm, në formën e normave më të ulëta të interesit për borxhet. Parakusht për këtë është që tregjet financiare edhe më tej të shërbejnë si tregues të politikave të mira dhe të këqija. Në këtë kontekst studiuesi Heinen sheh me shqetësim rolin e ri të Bankës Qendrore Evropiane: "Duhet pasur vërtet frikë se vendet anëtare mund të lënë pas dore përpjekjet e tyre për reforma dhe kursime sepse e dinë se BQE do t'i ndihmonte në rast nevoje."

Autor: Zhang Danhong/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi