1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zurück in der Krise

7 Janar 2012

Ditët e kaluara po krijohej përshtypja se Europa po i vinte ngadalë nën kontroll problemet e saj. Por realiteti është një tjetër. Papritur po rikthehen me forcë të gjitha simptomat e krizës.

https://p.dw.com/p/13foK
Pamje simbolike: monedha euro e thyer
Fotografi: egeneralk - Fotolia

Eurozona është rikthyer në përditshmërinë e krizës dhe po shtohen zërat, të cilët paralajmërojnë ndaj një shpërbërje të unionit monetar. Në prospektin e saj për rritjen e kapitalit, banka e madhe italiane Unicredit, për herë të parë e paraqet si skenar të mundshëm, shpërbëjen e eurozonës. Kriza e borxheve "mund të sjellë rifutjen e monedhave kombëtare në një ose disa shtete të eurozonës, ose në rastin më të keq në heqjen dorë nga euro", thuhet në dokumentin e Unicredit. Kur sipërmarrjet e kuotuara në bursë emetojnë aksione të reja, ato janë të detyruara të tregojnë rreziqet e mundshme që lidhen me investimet në letrat e tyre me vlerë.

Euro dhe marka gjermane
Euro dhe marka gjermane - rikthimi i monedhave kombëtare nuk është opsionFotografi: dapd

Dështimi i euros dhe rënia e unionit monetar do të kishin pasoja të tmerrshme, parashikon financieri i njohur George Soros. Një ngjarje e tillë "do të ishte katastrofale jo vetëm për Evropën por për sistemin financiar mbarëbotëror", citon Sorosin gazeta "Business Line" në numrin e së premtes (06.01.2011). Kriza në Eurozonë është "më serioze dhe më e rrezikshme se ajo në vitin 2008", citon "Economic Times" miliarderin amerikan dhe menaxherin e hedge-fonds. 81-vjeçari renditet i shtati në listën e njerëzve më të pasur në botë të revistës Forbes, me një pasuri prej 22 miliardë dollarësh amerikanë.

Euro dhe dhramia greke
Euro dhe dhramia grekeFotografi: dapd

ECB paralajmëron ndaj rrezikut të përjashtimit me detyrim

Anëtari i këshilli të Bankës Qendrore Evropiane (ECB), Klaas Knot, ka paralajmëruar ndaj përjashtimit të detyruar të Greqisë. Kjo do të kishte si pasojë një shpërbërje të hapësirës së monedhës së përbashkët. "Përjashtimi i detyruar do të çonte në humbje të besimit", tha shefi i Bankës Qendrore holandeze të enjten (5.1.). Kjo do të ishte një ftesë për spekulantët. Vetë euro do ta përballonte shpërbërjen, tha më tej Knot: ekonomitë e veçanta evropiane vitet e kaluara janë ndërthurur aq shumë me njëra-tjetrën, sa nuk është më e mundur të hiqet dorë nga euro.

Ndërkaq mosbesimi në sistemin bankar evropian është në rritje. Nga e enjtja në të premte, depozitat afatshkurtra të bankave evropiane pranë ECB-së arritën 455,3 miliardë euro, një nivel i ri rekord, bëri të ditur vetë banka me seli në Frankfurt mbi Main. Sasia e këtyre depozitave vlerësohet si një tregues për masën e mosbesimit të bankave ndaj njëra-tjetrës: bankat druhen të bëjnë biznes mes tyre dhe i drejtohen Bankës Qendrore Evropiane, duke pranuar edhe normat më të ulëta të interesit që jep ECB.

Kryeministri grek Papademos
Kryeministri grek PapademosFotografi: picture-alliance/dpa

Papademos paralajmëron ndaj falimentimit të Greqisë

Një tjetër simptomë e krizës: çdo tre muaj qeveria greke paralajmëron ndaj falimentimit të shtetit. Arsyeja: vëzhguesit e së ashtuquajturës Troika nga Komisioni i BE-së, FMN dhe ECB, javën e ardhshme shkojnë sërish në Athinë për të vlerësuar përparimet në reforma të qeverisë greke. Nga ky vlerësim varet edhe pagesa e këstit të ardhshëm të kredisë. Për këtë arsye kryeministri grek Lucas Papademos ashtu si paraardhësi i tij në post paralajmëroi me forcë ndaj një "falimentimi të pakontrolluar shtetëror".

Edhe sindikatat duhet të marrin pjesën e tyre në përpjekjet për kursim, punëmarrësit duhet të pranojnë shkurtime të mëtejshme të pagave, në mënyrë që të arrihen objektivat e kursimit, deklaroi Papademos. Komisioni i BE-së u shpreh optimist se Greqia do të marrë në mars këstin e ardhshëm të kredisë nga kreditorët ndërkombëtarë, prej pesë miliardë eurosh. Por nuk përjashtohet shtyrja e afatit, nëse nuk arrihen objektivat e qeverisë për kursime, tha një zëdhënës i Komisionit në Bruksel.

Vendimtare do të jetë nëse do të realizohet reduktimi i planifikuar i borxheve, për të cilin negociohet prej muajsh. Në samitin për euron në 26 tetor, bankat kreditore të Greqisë u shprehën të gatshme për një reduktim vullnetar të borxheve prej 50 për qind për obligacionet shtetërore greke. "Nëse këto negociata do të mbyllen me sukses, nga supet tona do të hiqet një barrë e madhe", tha Papademos në Këshillin e Ministrave.

Autor: Rolf Wenkel (dpa, rtr, dapd) / E. Xhani
Redaktoi: Bahri Cani