Eurozona: Fund kursimeve?
5 Prill 2013Borxhe të larta, recesion i thellë dhe papunësi në masë - kur përmendet një kombinim i tillë shumëkujt i shkon mendja menjëherë te Greqia. Por ky përshkrim mund të përdoret njëlloj edhe për Gjermaninë e fillimit të viteve 1930. Kancelari i atëhershëm Heinrich Brüning donte që ta rregullonte gjendjen e financave të shtetit me ndihmën e një politike kursimesh të forta. Përpjekjet e tij çuan në varfëri masive dhe hiperinflacion. Republika Vajmarit (Weimar)mori fund dhe një farë Adolf Hitleri erdhi në pushtet.
Për shkak të presionit të donatorëve edhe vendet në krizë të Evropës jugore u detyruan të ulin rrogat dhe të ngrenë taksat. Tani ato kanë ngecur në një rreth vicioz recesioni, papunësie masive dhe borxhesh gjithnjë e më të larta. Profesori i ekonomisë Peter Bofinger sheh paralele me Republikën e Vajmarit dhe e konsideron politikën e kursimit bashkëpërgjegjëse për gjendjen e mjerueshme. "Situata në Greqi i ka shkaqet edhe tek terapia e shokut ekonomik", tha Bofinger në një intervistë.
Terapia e shokut ekonomik
Kundër kësaj terapie shoku votuan qartë edhe zgjedhësit në Itali. Guntram Wolff, zëvendësdrejtor i think-tankut Bruegel në Bruksel, mendon se është çështje kohe që një aksident politik të ndodhë edhe në Spanjë. Aty mbizotëron një ndjenjë mungese perspektive dhe kundër saj duhet ndërmarrë diçka mendon Wolff. Sipas tij masat e kursimeve duhet të vazhdojnë, por jo me ritmet e deritanishme dhe nuk duhen krijuar paketa të tjera stimuluese për koniunkturën. "Ne në Gjermani nuk e kemi të qartë se sa dramatike është ndërkohë gjendja në jug të Evropës. Paketa stimuluese për koniukturën nuk duhen krijuar, sepse këto vende paguajnë që tani prime të larta rreziku në tregjet financiare dhe borxhe të reja do t'i shtonin këto prime dhe përbëjnë një rrezik të qartë" - thotë Guntram Wolff.
Sipas mendimit të tij, Gjermania është vendi i vetëm në zonën e euros, që mund të përballojë shiringa të tilla për nxitjen e koniukturës. Megjithatë Gjermania vazhdon me konsolidimin e buxhetit publik duke shkurtuar investimet shtetërore. Pra Gjermania nuk jep asnjë kontribut për rimëkëmbjen ekonomike në eurozonë, kritikon Guntram Wolff.
A do ta ndihmonte Evropën Jugore një paketë stimuluese në Gjermani?
Kësaj pyetje që ka shtruar Banka federale Gjermane, Clemens Fuest, president i Qendrës për Kërkime Ekonomike Evropiane, në Mannheim i përgjigjet: "Përgjigja është në thelb: asgjë. Ne nuk mund ta luftojmë recesionin në Evropën Jugore me një paketë stimuluese në Gjermani."
"Në Evropën Jugore ka një mospërputhje të çmimeve. Pagat, kostot e punës kanë dalë krejtësisht jashtë kontrollit. Ato duhet të ulen. Nëse bën programe stimuluese, e ndalon këtë adaptim" dhe kështu zgjatet kriza, mendon Clemens Fuest. Gjithësesi ai mendon se programe për shkollimin e të rinjve dhe mbështetja e tyre me mjete finaciare janë të nevojshme.
Papunësia e të rinjve - plagë që nuk shërohet shpejt
Të gjithë janë të mendimit se gjendja në Spanjë dhe Greqi, ku më shumë se gjysma e të rinjve janë të papunë, është një situatë e patolerueshme. Profesor Wolfgang Franz thotë se "papunësia e të rinjve është një plagë që në aspektin e gjetjes së një vendi pune në të ardhmen nuk shërohet shpejt. Ajo mbetet një plagë e shëmtuar në formën e mundësive të reduktuara për të gjetur punë dhe të ardhura. "
Guntram Wolff mendon se në gjendjen e tanishme transfertat e drejtpërdrejta në jug të Evropës janë të pashmangshme: "Një bashkim monetar ka nevojë për mekanizma stabilizimi që shkojnë përtej kufijve nacionalë. Përndryshe ai në perspektivë afatgjatë nuk është i qëndrueshëm.