1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Eurozona duket se po bëhet gjithnjë e më e largët për Poloninë

Thomas Rautenberg23 Gusht 2006

Shumica e 10 anëtarëve të rinj të BE-së dëshiron ta fusë sa më shpejt në përdorim euron. Për t'u pranua në eurozonë janë të nevojshme të plotësohen një sërë kriteresh. Dhe meqenëse Polonia nuk përmbush ansjë nga këto kritere, me sa duket as në vitin 2009 polakët nuk do të kenë mundësi të pranohen në eurozonë

https://p.dw.com/p/ArAJ
Fotografi: dpa - Fotoreport

Marek Zuber, ekspert pranë qeverisë polake dhe një ndër personat më të besuar të kryeministrit polak, mendon se Polonia do të mund t'i plotësojë kriteret e Mastrichtit në vitin 2009 dhe se, vetëm në këtë moment do të kemi një bazë për të menduar seriozisht për pranimin në eurozonë.

Polonia është i vetmi prej 10 vendeve të reja anëtare që nuk ka vendosur përfundimisht të hartojë një plan detyrues për anëtarësimin në eurozonë. Nga njëra anë nacional-konservatorët të partisë së Kazhinskit nuk e kanë fshehur asnjëherë distancën e tyre kundrejt euros, nga ana tjetër Varshava me sa duket nuk dëshiron t'u nënshtrohet kushteve të forta nga ana e Brukselit.

Qeverisë i duhet që të fusë pa asnjë lloj pengese dorën në arkat shtetërore për të plotësuar premtimet elektorale, si para për çdo fëmijë të lindur, apo pensionet shtesë për minatorët. Problemi në këtë mes është se mali i borxheve shtohet dhe sipas paralajmërimeve të ekspertëve në vitin 2006 puna mund të shkojë deri aty sa për herë të parë kufiri magjik prej 50 për qind e prodhimit shoqëror bruto të vendit, të mos mbulohet prej të ardhurave shtetërore, por prej arkave të kreditorëve.

Shefi i Bankës Kombëtare të Polonisë, Leshek Balcerovic thekson se, Polonia po bie me sy hapur në grackën e borxheve:"E domosdoshme do të ishte që privatizimi të çohet deri në fund, por për fat të keq privatizimi ndërkohë është bllokuar. I domosdoshëm do të ishte edhe një kufizim i shpenzimeve, sepse taksat e larta sjellin me vete një deficit tepër të lartë. Për fat të keq edhe shpenzimet vazhdojnë të shtohen. Së treti duhen shfuqizuar pengesat burokratike që paralizojnë tregjet, por edhe në këtë drejtim, për fat të keq, nuk po shihet gjë. Nga analizat mund të nxirret pra përfundimi, se për fat të keq nuk ka asnjë lloj suksesi."

Kryeministri polak u hoqi së fundi vizën të gjithë të interesuarve për blerjen e ndërmarrjeve shtetërore. Ky veprim që u bë për shkaqe partiake, shkaktoi një deficit tjetër miliardësh në buxhetin polak.

"Nuk ka asnjë shkak që t'i kalosh në duar të huaja firmat që funksionojnë mirë nisur nga forcat e tyre. Shoqëria ajrore LOT është shembulli më i mirë për këtë. LOT po heq dorë nga një sërë destinacionesh të rëndësishme, sepse ato nuk i pëlqejnë parnerit të saj Lufthansës." - thotë Kazhinski.

Në Ministrinë e Finanacave të Polonisë minimizohet rreziku prej futjes në përdorim të euros. Polonia, me një deficit prej 2,7 për qind vazhdon të jetë ende në nivelin e pranueshëm. Por ekspertët polakë të buxhetit mendojnë se në fondin e pensioneve fshihen rreziqe të tjera që shkojnë në miliarda. Për të gjitha këto arsye futja në përdorim e monedhës së përbashkët euro duket se po bëhet për Poloninë gjithnjë e më e largët.