Europa vazhdon të jetë e kërcënuar nga terrori xhihadist
5 Nëntor 2020Kancelari austriak Sebastian Kurz pas sulmit të përgjakshëm në Vjenë u shpreh për një luftë mes civilizimit dhe barbarisë, që zë fill „prej urrejtjes ndaj mënyrës sonë të jetesës dhe demokracisë sonë". Në rrethana të tilla është detyrë e politikës, që ta shpjegojë atë çfarë ka ndodhur dhe ta bëjë të kuptueshme për qytetarët. Sa më shumë të zbardhet sfondi i aktit, aq më shumë kjo do t'u ndihmojë autoriteteve të sigurisë për ta kuptuar kërcënimin e vazhdueshëm e konfuz të terrorit të motivuar nga xhihadistët në Europë.
Fitore e pjesshme në luftën kundër terrorit
Ndërsa javën e kaluar opinioni vazhdonte të ishte i shokuar prej atentatit në Nica, Europoli njoftoi për një fitore të pjesshme në luftën kundër terrorit: Policia spanjolle në veri të vendit mundi të shkatërrojë një celulë, që përgatiste sulme terroriste në emër të të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS). "Kjo celulë ishte shumë aktive online dhe përhapte propagandë xhihadiste, për të rekrutuar dhe indoktrinuar të rinj. (...) Ata paraqisnin të rinj si shembull në role të ndryshme në luftën xhihadiste". Disa prej këtyre profileve dhe rrjeteve të komunikimit në platformat e mediave sociale kishin mbi 10.000 ndjekës.
Në takimet reale të rinjtë anëtarësoheshin dhe më pas i stërvisnin fizikisht dhe mendërisht për akte terroriste në grupe sporti dhe përmes broshurave se si të përdornin thikat dhe armët e zjarrit. Policisë në Spanjë iu desh dy vjet për ta shpartalluar këtë rrjet.
Europol: Europa në luftën kundër terrorit ndodhet para sfidash të reja
Përshkrimi i këtij suksesi të pjesshëm të policisë tregon, se me çfarë duhet të luftojnë vendet europiane: "Europa aktualisht përballet më një formë të re djallëzore të terrorizmit ndërkombëtar. Ndryshimi i qartë i strategjisë së Shtetit Islamik me atentate në stilin e komandove të përqendrohen kryesisht në Europë dhe të lidhura këto me rritjen e numrit të luftëtarëve të huaj, tregon sfidën e re në BE", shkruan Europoli në vlerësimin vjetor të situatës mbi rrezikun nga terrori në Europë.
Lajmi i mirë ishte, se më 2019 numri i sulmeve ka pasur rënie të lehtë: 21 atentate të realizuara kundrejt 119 planeve për sulm të dekonspiruara, që kanë mundur të parandalohen prej autoriteteve. "Me këtë është rritur dukshëm numri i sulmeve të parandaluara", shkruan Europoli. Më të „sukseshëm" kanë qenë sulmet e kryera nga individë të veçantë. Në rastin e sulmeve të parandaluara bëhej fjalë kryesisht për vepra të planifikuara brenda një rrjeti njerëzish. Autoritetet kanë mundur t'i identifikojnë në kohë grupet e xhihadistëve. Kundrejt të të ashtuquajturve „ujqit e vetmuar" autoritetet e kanë të vështirë të reagojnë.
Xhihadizmi në Europë jeton dhe po zgjerohet
Kërcënimi nga terrori në Europë ka rënie, por ai ekziston edhe më tej, thekson Thomas Renard nga Instituti Egmont në Bruksel. Grupi i dorasve sidoqoftë është bërë më difuz, sepse kryesisht ata janë individë, që veprojnë të vetmuar, edhe pse kanë kontakte me propagandën xhihadiste. "Ata janë trashëgimi e të ashtuquajturit Kalifat (në Siri dhe në Irak) e janë përgjegjës, që edhe pse është i ulët niveli i kërcënimit ata rregullisht vazhdojnë të ushtrojnë sulme", thotë Thomas Renard.
Edhe pas rënies së sundimit të IS në thelb propaganda ka mbetur e njëjtë: Ajo synon të yshtë "myslimanët e mirë" kundër "Perëndimit të degjeneruar dhe të pamoralshëm", lëvdon luftën globale të Islamit kunder jo besimtarëve dhe nxit urrejtjen për veprat e Perëndimit kundër myslimanëve. Me këtë ata vazhdojnë të frymëzojnë për sulme terroriste, shpjegon Renard.
Në Europë, sipas tij, ka gjithsej rreth 50.000 persona të lidhur me xhihadizmin që janë të njohur për autoritetet e sigurisë. Shumë prej tyre janë luftëtarë IS të kthyer dhe udhëtarë të zhgënjyer, që kanë dashur t'i bashkohen Shtetit Islamik dhe janë bllokuar në kufirin turko-sirian.
Profili i dorasve dhe motivi i tyre janë të ndryshme në çdo atentat, gjë që ua vështirëson punën policisë dhe forcave të anti-terrorit. Dorasi në Vjenë ka qenë një „udhëtar i zhgënjyer": "Të tillë duan të dëshmojnë veten, kanë kontakte në një rrjet të caktuar dhe janë përgjegjës për seri sulmesh". Për këto lidhje konkrete me thelbin e lëvizjes flet edhe fakti, që i ashtuquajturi Shteti Islamik tani zyrtarisht e ka marrë përgjegjësinë për atentatin në Vjenë.
Ndërsa në Nisë dorasi ka pasur më pak kontakte reale dhe me sa duket ka qenë i radikalizuar kryesisht në internet. Shumë prej këtyre atentatorëve mbeten „pa flamur", kjo do të thotë që asnjë organizatë xhihadiste e njohur nuk merr përgjegjësi për ta. "Rrethi i personave kundër të cilëve ata luftojnë është i papërkufizuar dhe i vështirë të dallohet", thotë Thomas Renard. Nga njëra anë ekziston një kërcënim i mëtejshëm dhe ai është më pak i parashikueshëm. Nga ana tjetër mesazhi xhihadist gradualisht po humbet efektin joshës, sepse nuk ka më një Kalifat real për ithtarët e tij.
Çfarë duhet bërë?
Eksperti i terrorit tërheq vëmendjen për të mos pasur reagime të ekzagjeruara politike, që mund të kenë efekt kundërproduktiv. Autoritetet e sigurisë duhet që t'i analizojnë gabimet e tyre dhe të nxjerrin mësime. Nga ana tjetër sot dihet, që bashkëpunimi mes policive, shkollave, burgjeve dhe shërbimeve sociale e vrojtimi online sjell rezultatet më të mira. Lipset një sistem paralajmërues për radikalizimin e të rinjve, sepse shumica e atyre që kryejnë sulmet janë nga mosha 18 deri në 25 vjeç.
Sa i përket rrezikut të ndjekjes së shembullit nga të tjerë pasues, për këtë rol duhet të luajnë politika dhe mediat, thotë eksperti Alexander Rosenbach: Pikërisht sepse ka individë të radikalizuar, duhet që të mos i jepet hov flakës, por ajo të mbahet sa më e zbehtë të jetë e mundur. "Idetë dhe emrat e tyre duhet të prezantohen sa më pak të jetë e mundur, për të minimizuar shpërblimin për veprimet e tyre, sepse ata synojnë pikërisht publicitetin".
Dorasit në rrjetete xhihadiste gjejnë një bashkësi dhe një narrativë, që i jep kuptim jetës së tyre. Vendet europiane duhet që të diskutojnë për përjashtimin social dhe margjinalizimin dhe duhet të kuptojnë, se përse këto njerëz ndihen të përjashtuar. Margjinalizimi nxit idetë radikale. Debati nuk mund të zhvillohet vetëm në këndvështtrimin e sigurisë, thekson Alexander von Rosenbach. Lufta kundër terrorit xhihadist vazhdon qysh prej 20 vjetësh me intensitete të ndryshme. Ndërkohë duhet kuptuar, që „Terrorizmi është i pranishëm dhe mbetet këtu".