Europa Lindore: Toka e premtuar për investimet kineze?
15 Dhjetor 2014Money never sleeps - paraja nuk fle kurrë, ose së paku nuk duhet të flejë. Sepse vetëm në lëvizje ajo mund të prodhojë rendite dhe norma interesi. Këtë moto të njerëzve të bursës dhe konsulentëve financiarë e njohin mirë edhe në Pekin dhe dinë ta vënë në jetë me mençuri. Kina ka rezerva gjigande të devizës, gati katër bilionë dollarë. "Rritja ekonomike në Kinë është ngadalësuar disi. Në këto momente Pekini po përpiqet t'i japë hov ekonomisë vendase, në vend që ta bllokojë kapitalin me obligacionet në vende të ndryshme", shpjegon eksperti nga Beogradi për investimet e huaja, Milan Kovačević.
Pikërisht në Beograd takohen të martën kryeministri kinez, Li Keqiang me krerët e shteteve dhe qeverive të 16 vendeve europianoqendrore dhe lindore. Hapësira postkomuniste nga vendet balltike deri në Detin e Zi dhe Adriatik po kthehet në një territor atraktiv për investime kineze. Politikanët nga 11 "të rinjtë" e BE-së dhe 5 aspirantë duan që të marrin me dëshirë para nga burimi kinez. "Këto vende mund të përfitojnë nga tendenca kineze për ekspansion në eksport", thotë Kovačević për Deutsche Wellen.
Vëllim tregtar modest
Pas Budapestit, Varshavës dhe Bukureshtit ky takim në Beograd është takimi i katërt i grupit 16+1 - pra vendet e Europës Qendrore dhe Lindore dhe Kinës. Megjithatë vëllimi tregtar i Kinës me këto vende le për të dëshiruar. Me 43 miliardë euro gjithsej, ai është gati sa vëllimi tregtar i Kinës me Italinë. "Vëllimi tregtar është vërtet i ulët, por po rritet aktualisht me shpejtësi", thotë Christian Dreger ekspert i makroekonomisë në Institutin Gjerman për Studimet Ekonomike. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit ky vëllim është katërfishuar. Pekini pret që ky vëllim në pak vite të kapë shifrën e 100 miliardë eurove.-
Sipas qëndrimit të vendeve europianoqendrore dhe lindore bashkëpunimi me Kinën nuk është gjithmonë i shoqëruar nga moti i mirë. Tregtia me Kinën favorizon së tepërmi gjigandët aziatikë. "Është shumë e vështirë të eksportosh në Kinë. Vendet e zhvilluara europiane kanë ushqyer konkurrencën e atjeshme me makina dhe teknologji - kjo është e gjitha", thotë Kovačević. Sipas tij është gati e pamundur t'u eksportosh kinezëve mallra konsumi dhe të fitosh betejën kundër çmimeve të tyre mjaft të lira dhe rrogave të ulta. Christian Dreger shikon një shans fillimisht tek produktet agrare. "Përmes investimeve kinezedo të mund të ecet përpara edhe në drejtim të produkteve industriale", thotë ekonomisti që hulumton edhe në Akademinë Kineze të Shkencave Sociale në Pekin.
Të dy ekspertët Dreger und Kovačević janë të një mendimi se bashkëpunimi i Kinës me vendet qendrore dhe lindore të Europës ka vetëm natyrë ekonomike. Kina i vë kundër njëri-tjetrit vendet europiane thotë ish-eurokomisioneri për tregtinë, Karel de Gucht. Ndërsa në një analizë të "Institutit për Europian për Studime Aziatike", në Bratislavë, eksperti për Azinë Richard Turcsányi shkruan se grupi 16+1 nuk është i orientuar kundër Bashkimit Europian, megjithëse e anashkalon Brukselin. "As Kina dhe as vendet qendore dhe lindore europiane nuk kanë synim të dobësojnë BE. Në vend që të kritikojnë partnerët, do të ishte më mirë që vendet perëndimorë europiane të përpiqen t'i kuptojnë ato", shkruan Turcsányi.
"Fenomeni i urës"
Takimi tre ditor në Beograd duket se do të zhvillohet në traditën e atij të Bukureshtit. Përfaqësuesit e vendeve qendrore dhe lindore do të paraqesin projekte të ndryshme, dhe do të shpresojnë që do të zgjojnë me to vëmendjen e qeverisë kineze. Vetëm në vitin 2013 në listën e dëshirave të qeverisë serbe ishin shënuar 50 propozime. Në vitet e kaluara bëhej fjalë për projekte prestigjioze infrastrukturore në vlerë miliardash: Linja hekurudhore Beograd-Budapest, pjesë autostrade në Malin e Zi, reaktorë atomike në Rumani, industria kimike në Hungaru apo portet në Kroaci dhe Bullgari.
Por edhe këto projekte fillimisht janë me avantazh për Kinën. Këtë e tregon edhe Ura e Danubit në Beograd, që do të hapet me ceremoni të mërkurën. Banka e Kinës ka ofruar për të një kredi me norma të ulta interesi, por projekti iu akordua një firme kineze, edhe punëtorët dhe materialet vijnë nga Kina. "Ura praktikisht është importuar", thotë Kovačević. Ndërkohë që firmat kineze nuk paguan për këtë projekt as doganë dhe as tatime. Këtë e konfirmoi edhe Ministria serbe e Transportit e pyetur nga Deutsche Welle.
Christian Dreger ndriçon edhe aspektet pozitive: Ura mbetet në Europën lindore dhe përmirëson parimisht ndërlidhjen e rajoneve. Në këtë konteskt zhvillohen edhe efektet pozitive për ekonominë lokale." Me tone pozitive shprehet edhe Lu Shan drejtor i "China Road and Bridge Corporation" -"Korporata Kineze për rrugët dhe urat", e cila ndërton një pjesë të autostradës në Malin e Zi. Ekonomia vendase e vendit të vogël ballkanik përfiton nga ky projekt, tha Shan para gazetarëve. Artikujt ushqimorë për punëtorët kinezë do të blihen në Malin e Zi. Por produktet tradicionale kineze sigurisht do të merren me vete.