1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Udhëto dhe ndjeje jetën

26 Gusht 2017

Një pretencë për ruajtjen e mjedisit, një ligjëratë emocionale për aventurën e udhëtimit. Autorja gjermano-rumune, Carmen-Francesca Banciu nuk evokon vetëm pushimet e verës në serinë e Deutsche Welle-s, "Europa ime".

https://p.dw.com/p/2iqda
Deutschland Carmen-Francesca Banciu
Fotografi: DW/P. Kouparanis

Të leverdisshme, të rehatshme dhe me një ndjenjë lehtësie - kështu duhet të jenë pushimet. Mbi të gjitha të kenë një efekt freskues në jetën tonë. Udhëtimi na ndihmon të çlodhemi, të mbushemi me energji, të zgjerojmë horizontin tonë. Ne - shtegtarët - duam të marrim me vete diçka me vete nga këto udhëtime në vende të panjohura. Por çfarë lemë në këmbim në vendet që na dhurojnë kaq shumë?

Tokë e djegur

Gjatë muajve të pushimeve vendet e njohura turistike të Europës dhe botës duhet të përballen me turizmin masiv. Për një kohë të gjatë mbizotëronte avantazhi i derdhjes së parave dhe mbyllej një sy ndaj efekteve në mjedis. Nga ana ekologjike pasojat mund të krahasohen me emigrimin masiv të popujve. Vendi si Venecia, Firence, apo ishuj si Majorka rënkojnë nën peshën e mbipopullimit në verë - harxhim i jashtëzakonshëm i ujit, probleme me kanalizimet, gazra ndotës, male me plehra, zhurmë. Sjellja pa fre, arroganca, mungesa e respektit i bëjnë këto vende të duken pas sezonit të verës si tokë e djegur.

Por të gjitha këto me sa duket nuk do nuk mundet më t'i durojnë këto vende. Spanja, Italia, dhe vende të tjera po ngrihen - ato duan zhdëmtime, po mendojnë për tatim të pushuesve.

Gjithnjë kam pyetur veten, se pse njerëzit duan të shkojnë gjithmonë atje ku shkojnë të gjithë? Pse nuk duan ta zbulojnë botën më vete? Sa për mua, ëndërroj të jem në udhëtim. Europa është e arritshme kudo, koha e pushimeve ndoshta mjafton. Në shumë vende mund të shkosh me tren, autobus apo anije, madje me çmime të leverdishme.

Çfarë ndodh kur humbet anijen...

Madje edhe ishulli më i largët në lindjen e Islandës, Seydisfjördhur mund të arrihet nga Hamburgu me tren, anije dhe autobus për 57 orë. Të paktën njëherë gjatë këtij udhëtimi mund të flesh në Danimarkë. E nga kjo mund të dalë një përvojë e paharrueshme. Përfytyroni aventurën, nëse e humbisni tragetin Norröna të Smyril Lines në Hirtshalsin danez në veri...nga këtu mund të lëvizësh vetëm një herë në javë me anije për në Thorshavn drejt ishujve Faröer dhe në Seydhisfjördhur mund të shkosh vetëm të nesërmen.

Mund të hysh në biseda me vendasit, të kërkosh ndihmën apo të gjesh mikpritjen e tyre. Një leksion për jetën drejt e në terren. Mund të shohësh e të mendosh, të krijosh opinionin tënd. Sepse në fund të fundit dëshira për aventura në botën e madhe nuk është gjë tjetër, veçse dëshira e fshehtë për të zbuluar veten tek tjetri, të reflektohesh, të njohësh veten.

Ka mënyra të ndryshme, se si të hysh në kontakt, gjuha, por edhe skicat, piktogramët, gjuha e duarve e gishtave, e të gjithë trupit. Por gjuha e syve, e fytyrës është më e pangatërrueshmja. Ajo kuptohet nga të gjithë. nga ajo që na bashkon mund të krijohet një nyje e fortë. Prej kësaj lind edhe ndjenja e përgjegjësisë për të huajën. Për fatin e planetit tonë.

Me avion nga Berlini në Rhodos mund të shkosh për 3 orë. Por çfarë mund të përjetosh në tre orë fluturimi veç kontrollit? Sipas Google për këtë distancë duhen vetëm 36 orë udhëtim me automobil. Ndërsa me këmbë përmes Çekisë, Hungarisë, Bullgarisë, Turqisë, përfshirë edhe udhëtimet me traget të duhen 519 orë. Sigurisht... bëhet fjalë për 2618 km.

Të papriturat e aventurës së udhëtimit...

Shkrimtari i njohur britanik i udhëtimeve, Patrick Leigh Fermor në vitin 1933 nisi udhëtimin më këmbë nëpër Europë drejt Konstantipolit vetëm me një çantë shpine, disa harta, fjalorë, lapsa, blloqe shënimesh, fletore skicash, lirikat angleze dhe një vëllim me poezi të Horacit.

Për hir të së vërtetës duhet thënë se atij iu desh një vit rrugë. Sipas Google këtë distancë mund ta përshkosh për 529 orë. Më pak se një muaj. Sidoqoftë vetëm në rast se gjatë rrugës nuk bie në dashuri si Sir Patrick me një princeshë rumune...dhe shijon momentet e jetës në Bukuresht apo Vllahi, ose ndoshta ngre një strehë të re përgjithmonë. Sepse nëse lufta nuk do ta kishte shkatërruar dashurinë idilike, Sir Patrick ndoshta ...nëse nuk ka vdekur, do të jetonte atje ende.

 

 

Carmen Francesca Banciu është një shkrimtare rumune që jeton në Berlin.