1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Në pritje të kryengritjes fshatare...

4 Shkurt 2018

Nga lëvizja emancipuese #MeToo që ka pushtuar botën tek burrat e tipit Trump dhe autoritarizmi - para këtyre zhvillimeve socialdemokracia gjermane duket pa orientim, mendon Jagoda Marinic.

https://p.dw.com/p/2s4UG
Jagoda Marinic Autorin
Fotografi: D. Piroelle

Jetojmë në kohët, kur një grup gjithnjë e më i vogël njerëzish pasurohet gjithnjë e më shumë, e një grup gjithnjë e më i madh - megjithë mirëqenien e punën - nuk ka pjesë në këtë pasuri. Socialdemokracia nevojitet si kurrë më parë, por ajo ngatërrohet me kotësira e sensibilitete. Nëse në të shkuarën konsiderohej si shenjë vetëbesimi, kur një politikan dinte ta pranonte me qetësi kritikën, sot gjithnjë e më tepër politikanë fërkohen me gazetarët kritikë.

Kjo ndjeshmëri e re, vendosja e politikanëve në fokus, lidhet me babain e ndjeshmërisë së tepruar, Donald Trump. Çdo gazetar duhet të marrë mësimin e duhur, çdo kritik sjell refleksin e mbrojtjes. Askush nuk është i panjohur sa të mos i tregohet vendi në Twitter. Por është detyrë e mediave për ta ushtruar këtë kritikë, bën pjesë në lirinë e medias që të vlerësojnë politikën ndryshe nga politikanët në detyrë. Ky lloj replikimi as nuk është i afërt me qytetarët dhe as i orientuar nga ndonjë diskurs. Politikanët rrezikohen të bëhen si Liza në botën e çudirave. Kjo është e padurueshme, sepse kemi nevojë për politikanë që nuk merren me veten, por me kushtet e jetesës së njerëzve. Duhet ndalur erozioni që po pëson uniteti i shoqërisë. Flitet shumë për #MeToo dhe transformimin që po nis nga kjo lëvizje e fortë femërore. Por shumë pak flitet për dëmin që ka shkaktuar Trump tek meshkujt e rinj e forcat drejtuese me demonstrimin e një burrërie autoritare neoliberale të lidhur fort me unin. Dialektika e luftës gjinore për momentin – Vetëvendosja e gruas shkon paralelisht me rikthimin e sundimtarit autoritar.

Kur në Davos krerët e koncerneve europiane ishin ulur në një tavolinë me Trump, dreka ceremoniale ishte si një përqeshje për punëtorët që e shikonin këtë atë në ekranet e televizorit. Ka pasur një kohë, kur fshatarët dhe punëtorët rrëzonin qeveritë, kur ata uleshin për drekë më shpenzimet e shtetit. Mendohej se këto elita përtypnin frytet e punës së duarve tona të enjtura. Ndërsa sot ky qëndrim nuk duket më i kohës, sepse jo aq shumë punëtorë e paguajnë punën e tyre me duart e enjtura, por me burn-out dhe depresione. Jetojmë në epokën post-ideologjikë dhe duam t'i zgjidhim çështjet shoqërore pa Marksin. Por si do të veprohet me ringritjen e maskilitetit autoritar?

Kreu i Siemensit, Joe Kaeser ia del të tallë 6000 vetë që do të humbasin vendet e punës. Fillimisht ai thotë, se „nuk kemi nevojë për turbina gazi." Kjo do të kushtojë në Gjermani 6000 vende pune. E punëtorët shohin në lajme, se Kaeser i pazëshëm fryhet para Trumpit e thotë, se do të ndërtojnë turbina gazi në SHBA. Big Daddy tund kokën në shenjë miratimi. Rrallë e kanë humbur fytyrën zotërinjtë neoliberalë si kjo trupë burrash në tavolinë me Trumpin në Davos. Fitues është kush maksimalizon fitimet. Humbjet duhet të mbahen nga supet e komunitetit, një komunitet, ku individi gjithnjë e më shumë është i vetmuar, sepse për shkak të vendimeve si të Joe Kaeserit nuk mund të ushqejë familjen.

Ka pasur një arsye të fortë, pse e Majta ka qenë kundër globalizimit-deri sa erdhi Trumpi, po ashtu kundër globailizimit. Me këtë kritikët e globalizmit i zuri frika, se mund të futen në një kategori me nacionalistët. Nuk dëgjohet më njeri. Nga frika e akuzave kundër elitave, nuk e hap më kush gojën për atë që nuk shkon mirë brenda elitave. Kush dhe çfarë është „Davos"? Ka pasur një kohë, kur demokrate e demokratë kërkonin struktura që të kontrollonin dhe t'i bënin transparente vendimet e politikës. Por takimi informal i Davosit, i dominuar nga ekonomia me dekor politik e minon këtë transparencë. Bileta për Davosin kushton me një shifër pesëshifrore. Vjen Macron. Vjen Merkel. Vjen Trump. Në krye Kina. Kur i thërrasin iniciativat qytetare është shpesh shumë e vështirë për politikanët të gjejnë një orar. Ishte kjo populiste? Për mua si të doni.

Gjermania e pasur që ka me sa duket rol udhëheqës në Europë, nuk ia del të rregullojë sektorin e kujdesit shëndetësor për të moshuarit që qytetarët e saj të kalojnë me dinjitet pjesën e fundit të jetës. 130.000 kujdestarë mungojnë. Merren forca nga Jordania dhe Europa Juglindore. Në të njëjtën kohë këto forca mungojnë në vendet e tyre. 35.000 mësues të shkollave fillore mungojnë në Gjermani. Në Gjermaninë e „pasur", ku firmat si Siemensi kanë filluar të bëjnë historinë e tyre mungon arsimi i duhur. Një shembull mes shumë të tjerëve.

Duket sikur ka ardhur një kohë, kur menaxherët flasin publikisht pa turp, sikur të jenë punëtorët material për kapital. Burimet njerëzore - kur u fut ky nocion shumë karrieristë u gëzuan për një anglicizëm të ri neoliberal, me të cilin fituesit e këtij rendi botëror mund të demonstronin internacionalitetin e tyre. Sindikatat gjermanë kërkojnë ndërkohë 28 orë pune dhe 6% kompensim rroge. E padëgjuar, reagojnë të zemëruar super të pasurit dhe Joa Kaeserët e kësaj bote. Nuk bëhet do thonë, dhe do kthejnë kokën nga Panama Papers.

Në fund të fundit burimet njerëzore ata i gjejnë kudo në botë. Edhe nga ato madje pa sindikata. Tragjike është që, nuk ka më fshatarë  të gatshëm për rebelim si dikur. Ndoshta ky është problemi bazik i socialdemokracisë sot – ajo nuk e di më kush është vetë, kush janë fshatarët e sotëm dhe si mund të komunikosh me ta.

Jagoda Marinic është shkrimtare kroato-gjermane, autore teatri dhe gazetare. Së fundmi u botua libri i saj, „Made in Germany- çfarë është gjermane në Gjermani?"