Europa ime: Nostalgjia për Europën ekziston
7 Maj 2017Franca bën zgjedhjen të dielën mes një demokrati dhe një ekstremisti të djathtë. E sepse shumica e francezëve janë demokratë e jo ekstremistë të djathtë, Emmanuel Macron ka për të fituar. Por goditja pas Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump në SHBA i është ngulitur thellë në kockat e europianëve, prandaj tani ka kaq tensionim në Europë tani, e sytë janë drejtuar nga Parisi.
Por nëse Marine Le Pen vërtet zgjidhet presidentja e re e Francës, atëherë këto votime në Francë janë më të rëndësishme, se votimet në vetë vendet europiane, thonë politikanët. Me këtë zgjedhje francezët do t'i jepnin BE goditjen vdekjeprurëse. Edhe pse qytetarët e përkëdhelur të BE-së shpesh harrojnë: Ka ende vende që duan t'i bashkohen BE-së.
Vështrimi shpresëdhënës drej Juglindjes
Qytetarët në Shqipëri, Kosovë, Bosnje-Hercegovinë, Serbi, Maqedoni e ndjekin me shumë vëmendje fushatën në Francë. Këto vende janë vende kandidate për në BE dhe shumica e qytetarëve nuk duan më korrupsion, luftë kundër varfërisë, paqe, liri shtypi dhe siguri ligjore. Ajo që për shumë qytetarë europianë sot është e vetëkuptueshme, është për njerëzit në Europën Juglindore ende një rrugë e gjatë. Në Turqi po shihet dal-vivo se çfarë ndodh, nëse një vend largohet nga BE.
Marine Le Pen dhe forcat e tjera politike armiqësore ndaj Europës, janë miq ideali me ekspertin e propagandës, Vojisllav Sheshelj. Në një konferencë i pyetur, se si do ta pengonte ai anëtarësimin e Serbisë, Sheshelji përgjigjet. "Serbia nuk do të kurrë anëtare e BE, sepse BE do të shpërbëhet më parë.”
Një puçërr në fytyrën e Europës
Për shkak se Marine Le Pen vetë nuk është ndonjë përfaqësuese e qëndrimit të drejtë dhe korrektësisë politike, nuk ka pse të kesh drojë, të mos e thuash haptazi më çfarë identifikohet ajo. Ta përcaktosh atë si raciste është thjesht nënvlerësim: Marine Le Pen është puçrra e aknes së armiqësisë ndaj të huajve, urrejtjes dhe kthimit pas –elementë që përhapen sot në profilin e Europës.
Përhapja e gënjeshtarev dhe urrejtjes kundër pakicave është pjesë e programit të saj. Nacionalizmi ekstrem dhe gatishmëria për të rendur pas liderëve karizmatikë nuk është e panjohur në Europë. Së fundmi kjo u pa edhe në shpërbërjen e Jugosllavisë. Retorika e stili i saj politik të bën të mendosh, se ajo ka marrë mësime tek luftënxitësit e Europës Juglindore.
Prezencën e myslimanëve që falen në Francë, Le Pen e krahason me pushtimin e nazistëve në Luftën e II Botërore. Ajo është më e rrezikshme, se i ati, që i relativizoi dhomat e gazit në kampet gjermane të përqëndrimit si „detaj të historisë". Sepse Marine Le Pen ka veshur maskën e të moderuares dhe disa francezë janë bërë pre e kësaj.
Mbështjetja nga e majta dhe e djathta
Fakti që diskutohet një fitore e mundshme e Le Pen lidhet edhe me dy grupime të tjera politike në Francë. Katolikët konservatorë dhe të majtët. Sipas anketimeve, 23% e votuesve të François Fillon duan ta vënë kryqin tek Le Pen. Refuzimi i tyre ndaj shoqërisë së hapur është kaq i madh, saqë ata preferojnë më shumë një ekstremiste të djathtë dhe jo një liberal. Fillon përdori në fushatë të njëjtat tema si migracioni, siguria dhe lufta kundër terrorizmit.
Në romanin e Michel Houellebecqs "Nënshtrimi" socialistët, konservatorët e një parti fiktive myslimane në vitin 2022 bëjnë një aleancë për të penguar zgjedhjen e Le Pen. Por që në Francën e vitit 2017, një i majtë si Jean-Luc Mélenchon nuk ka fuqinë që të japë një rekomandim zgjedhor për Emmanuel Macron.
Në një kohë që të majtët e patën më të lehtë, sepse për të majtën një Fillon nuk do të ishte i votueshëm. Por pse jo një socialliberal, si Macron që qëndron për një politikë të ekuilibruar sociale, për rigjallërimin e industrisë franceze, dhe jo aq për një politikë ekonomike neoliberale, si e akuzojnë kritikët e majtë. Me sa duket Mélenchon do të jepte një rekomandim në zgjedhje, vetëm nëse do të dilte në votim figura e reinkarnuar e Karl Marksit.
Perspektiva e zhvendosur
Kush e ndjek argumentimin e të majtëve mund të mendojë ata flasin për një vend në zhvillim të varfër, e jo për ekonominë e gjashtë botërore të botës, që krahas Gjermanisë është lidere në BE. Për europianët nga Tirana, Beogradi e Sarajeva kjo duket si pikturimi I një imazhi negativ, qarje dhe ankim por në nivele të larta. Le Pen nuk do t'i fitojë zgjedhjet, por ajo ia bëri të qartë Europës, se shpërbërja e BE është një opcion realist.
Edhe të majtëve nuk mund t'u ndihmohet dot, kur ata e refuzojnë kaq shumë një Macron, saqë nuk e zgjedhin atë as para një ekstremisteje të djathtë, si Marine Le Pen. Po ashtu edhe katolikëve konservatorë, për të cilët izolimi i Francës është më i rëndësishëm se lajtmotivi Liri, Barazi, Vëllazëri. Me këtë ata kërcënojnë të shkatërrojnë një BE me kaq shumë fuqi rrezatuese në botë. Sidomos për njerëzit që jetojnë jashtë kufijve të saj.
Krsto Lazarevic (27) ka lindur në Bosnje-Hercegovinë, dhe ka ardhur si fëmijë në Gjermani. Ai jetonnë Berlin dhe shkruan për media të ndryshme gjermane.