Europa ime: …Atëherë nuk do të ishte më Europa ime
15 Janar 2017Idomeni, Gjevgjelija, Preshevë, Rëshke, Tovarnik, Brezhicë - të gjithë janë qytete të vegjël, për ekzistencën e të cilëve deri në verën e vitit 2015 unë nuk dija më shumë, veçse se ato shtrihen në kufijtë e Europës Juglindore. Por pastaj erdhën qindra mijëra vetë nga zonat e luftës, Siri, Irak dhe Afganistan. Si reporter shihja të njëjtat skena. Mijëra vetë të lodhur, të uritur, të sëmurë, por gjithë shpresë për një të ardhme në paqe flinin në tokë dhe shtypeshin në trena apo autobusë të tejmbushur. Shumica i hynë një rruge të tillë, sepse vendlindja e tyre ishte shkatërruar nga lufta, apo se në kampet e Libanit, Jordanisë e Turqisë nuk kishte më financime. Tjetra: Sepse me çdo vit që kaloi, ata e humbën shpresën se paqja do të vinte, që ata të ktheheshin.
Për vite bëhej sehir, se si pak qindra kilometra nga kufijtë e jashtëm të Europës në Siri ndodhte një nga katastrofat më të mëdha të refugjatëve pas Luftës së II Botërore, e kjo katastrofë vështrohej, sikur kishte të bënte vetëm me vendet fqinjë të Sirisë. Kur për një kohë të shkurtër u ça një shteg në fortesën Europë, 26 vite pas rënies së Murit të Berlinit u ngritën shpejt gardhe të reja ndarës. Në mes të Europës, mes vendeve anëtare të BE-së. Ky ishte hapi i parë i shpërbërjes së Europës. Nëse Angela Merkeli do të kishte dëgjuar kritikët e saj dhe do të kishte mbyllur kufijtë gjermanë, ky do të kishte qenë një rrezik mjaft serioz për ekzistencën e BE, si e njohim sot. Për fat të mirë ajo nuk e bëri këtë.
Vlera europiane të humbura
Sot Europa është sërish fortesë. Qytetet e vogla përgjatë itinerarit të Ballkanit perëndimor janë harruar. Ata mijëra vetë të ngujuar në të ftohtë, në temperatura minus 15 gradë, pa strehë e ngrohje për opinionin publik në Berlin, Vjenë e Stokholm nuk kanë më shumë vlerë se një njoftim në media.
BE ka pasur dy aleatë të rëndësishëm për të hequr qafe përgjegjësinë për pranimin e refugjatëve – autokratin turk, Recep Tayyip Erdogan dhe Mesdheun. Më së paku 5022 vetë janë mbytur në Mesdhe në vitin 2016. BE e quan sigurim të kufijve, por në realitet është luftë, luftë që ne e bëjmë kundër atyre që duan të hyjnë në Europë. BE pretendon se lufton kriminalitetin e kontrabandistëve, por në realitet ata kërkojnë çmime më të larta, se kurrë më parë. BE krijon ofertën për kontrabandistët, sepse për shumë vetë nuk ka asnjë mundësi legale të vijnë në Europë apo të bëjnë një kërkesë për azil. Kjo nuk ka të bëjë shumë me vlerat europiane të ngritura aq lart. Europa nuk është në krizë, sepse po digjet Siria. Europa është në krizë, sepse populistët e djathtë përpiqen të ringjallin fantazmat e viteve 30-të.
Europa dhe refugjatët
Hannah Arendt kuptoi pas Luftës së II Botërore, se të drejtat e njeriut të miratuara nga Kombet e Bashkuara nuk kanë vlerë në realitet, kur shtetet kombëtare përballen me miliona refugjatë, sepse këta nuk kanë asnjë mundësi për të kërkuar në fakt të drejtat e tyre. Sot ia vlen të lexosh sërsish Hannah Arendt, sepse për mijëra vetë që mbyten në Detin Mesdhe të drejtat abstrakte të njeriut vërtet nuk kanë asnjë vlerë.
Në një kohë që Europa nuk do të ishte sot kjo është, nëse shtetet anëtare të saj nuk do të kishin pranuar pas luftës miliona të dëbuar. Nuk do të ishte kjo që është, nëse pjesa e lirë e Europës nuk do të kishte hapur kufijtë për njerëzit që donin të iknin nga regjimi i socializmit dhe për refugjatët që donin të shpëtonin nga çmenduria etnosocialiste e luftërave të Jugosllavisë.
Mes Bosnje-Hercegovinës dhe Gjermanisë nuk ka Det Mesdhe, ku mund të mbytesh. Kur familja ime iku nga lufta e Bosnjes, ne nuk duhej të rrezikonim jetën. Në vitin 1990, vetëm Gjermania ka pranuar qindra-mijëra vetë nga ish-Jugosllavia, nga vendet e Traktatit të Varshavës, apo shtetet pasuese të Bashkimit Sovjetik. Kjo nuk e ka bërë Gjermaninë një vend më të keq, por më të mirë.
E tani Europa kërcënon të shpërbëhet, sepse shtetet anëtare me 510 milionë banorë, nuk bien dot në ujdi si të veprojnë me dy milionë refugjatë, kur në të gjithë botën ka më shumë se 65 milionë refugjatë? Nëse e lejojmë këtë, atëherë do të humbasë shumë nga ajo që u arrit pas Luftës së II Botërore dhe rënies së Murit të Berlinit. Atëherë kjo nuk do të jetë më Europa ime.
Autori Krsto Lazarevic (27) ka lindur në Bosnje-Hercegovinë dhe si fëmijë erdhi me familjen e tij në Gjermani. Sot ai jeton në Berlin dhe shkruan për media të ndryshme gjermane.