1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ethet e futbollit kanë përfshirë Gjermaninë

18 Qershor 2012

Në bare, në rrugë, në shtëpi: ethet e futbollit kanë përfshirë të gjithë fansat e futbollit. Miliona vetë mblidhen çdo natë para ekraneve të mëdhenj për të ndjekur ndeshjet e Kampionatit Europian.

https://p.dw.com/p/15H17
Public Viewing në Hamburg
Public Viewing në HamburgFotografi: picture-alliance/dpa

400 mijë vetë ishin të pranishëm në Berlin për të ndjekur ndeshjen e parë të kombëtares gjermane në Kampionatin Europian të Futbollit 2012 kundër Portugalisë. Fitorja 1:0 kundër Portugalisë u shfaq në shtatë ekrane gjigandë të vendosur tek Porta e Branderburgut. Ky ishte një nga 100 eventet me më shumë publik në Gjermani. Ndërkohë në Këln u mblodhën më shumë se 30 mijë fansa për të ndjekur së bashku përballjen që luhej në Lviv.

Optimizmi lokal

Për banorët e Bonit hapi dyert stadiumi lokal Sportpark-Nord. Atje mblidhen më pak fansa se në Këln, por atmosfera është e njëjtë. „Këtu mblidhen rreth tre mijë fansa entuziastë,“ thotë i kënaqur organizatori Elias Kahlag. „Kjo është hera e parë që organizojmë një gjë të tillë këtu dhe jemi të kënaqur.“

Pothuajse të gjithë fansat veshin bluzen e kombëtares gjermane, valëvisin flamurë dhe në fytyrë kanë ngjyrat e flamurit gjerman. Ata janë të gjithë optimistë për rezultat e kombëtares gjermane. „Jam e sigurtë se ata do të shkojnë të paktën në gjysëmfinale,“ thotë Sandra, një studente e re. Ndërsa Patrick, i cili qëndron në krah të saj, shkon më tej: “Jam i sigurtë se ne do të jemi kampionët e rinj të Europës,“ thotë 19 vjeçari.

Public Viewing në Berlin
Public Viewing në BerlinFotografi: picture-alliance/dpa

Jo vetëm për fansat e Gjermanisë

Sportpark-Nord është planifikuar të hapet për publikun vetëm kur do të luajë kombëtarja gjermane dhe tashmë që është pjesë e tetë skuadrave më të mira, pritet të ketë më shumë fansa. Por fansat e ekipeve të tjera në Euro 2012 nuk duhet të shqetësohen.

Të gjithë pronarët e bareve dhe restoranteve kanë vënë re interesin e madh të tifozëve për të ndjekur ndeshjet e Euro 2012 dhe kanë vendosur ekrane të mëdha, ku transmetojnë të gjitha sfidat e jo vetëm atëherë kur luan kombëtarja gjermane. Nëse ecën në rrugët e Bonit gjatë kohës kur luhen ndeshjet të kujtohet atmosfera e Kupës së Botës të zhvilluar në Gjermani në vitin 2006.

Martin është ulur një kafene të vogël në qendër të Bonit dhe po ndjek ndeshjen e Hollandës kundër Portugalisë. “Unë jetoj jo shumë larg që këtu, por vij në këtë kafene sepse më pëlqen televizori dhe atmosfera është e këndshme,” thotë ai. Kjo është edhe arsyeja se pse të gjithë duan të shikojnë ndeshjet në ambjente publike: të parit në grup e bën atmosferën më të këndshme.

Autor: Andre Leslie/Amarildo Topi

Redaktoi: Lindita Arapi