1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ethel Brooks: profesorja e parë rome në SHBA

Nadine Michollek
13 Korrik 2024

Kur ishte fëmijë Ethel Brooksit i thoshin "o jevgë, shko në fund të klasës!" Por megjithë përvojat me racizmin ajo u zhvillua dhe është sot profesorja e parë rome në SHBA.

https://p.dw.com/p/4iF2J
Ethel Brooks: profesorja e parë rome në SHBA
Ethel Brooks: profesorja e parë rome në SHBAFotografi: Nils Huenerfuerst/DW

Lajmet për sukseset e Ethel Brooksit janë përhapur me shpejtësi mes komunitetit rom të Europës: "E keni marrë vesh? thonë njerëzit, "Ne kemi profesoren e parë rome në SHBA!”

Në botë ka mbase disa profesorë romë, dhe njëra prej tyre është Ethel Brooks, profesorja e parë rome në Shtetet e Bashkuara.

Çdo rom që arrin majat njihet mirë nga komuniteti rom: Livia Jaroka, gruaja e parë rome në Parlamentin Europian, për shembull, ose Nizaqete Bislimi-Hoso, avokate e suksesshme në Gjermani, apo Esma Redzepova, e cila shpesh quhet mbretëreshë e muzikës rome.

Racizmi pengesë

Këta romë njihen mirë nga komuniteti rom, sepse racizmi kundër romëve shpesh e bën të pamundur kapërcimin e pengesave. Etheli e ka përjetuar vetë këtë racizëm.

"Shumë here shokët e mi të shkollës më thoshin, "o jevgë, shko në fund të klasës,'" tregon ajo duke shtuar se megjithëse ndihej e indinjuar dhe e vrarë nga brenda, ajo kurrë nuk i ka shprehur këto ndjenja me zë të lartë. 

Ethel Brooks
Ethel Brooksit i është dashur të bëjë një rrugë të gjatë për t'u bërë profesoreFotografi: Nils Huenerfuerst/DW

Kur flet Etheli, zëri i saj nuk tregon nervozizëm. Por megjithë ngrohtësinë, trishtimi duket hapur.

Nga kamperi në një nga universitetet më të mira të SHBA

Është një nga ditët e nxehta, të mbushura me re dhe lagështirë në Universitetin Rutgers të Nju-Xhersit, një kampus i moçëm kolegji që të kujton Gilmore Girls, Yale dhe Ivy League. Shiu sapo ka pushuar. Kudo qetës e madhe. Asnjë student nuk ndodhet këtu, sepse pushimet e verës sapo kanë filluar.

Ethel Brooksit i është dashur të bëjë një rrugë të gjatë për të arritur këtu: ajo është rritur në një kamper dhe tani qëdnron e qeshur para një porte të vjetër metali të kuq dhe të zi të universitetit amerikan, ku ajo punon.

Të ëmën e Ethelit, tezet dhe xhaxhallarët as nuk i lejuan të shkonin në shkollë. Asokohe tregon ajo, komuna thoshte "fëmijët jevgj” nuk kanë pse të shkojnë në shkollë.

Dyqind vjet në SHBA

Dhoma e punës në shtëpinë e Ethelit është e mbushur plot dritë. Në kolltukët pranë dritares ka jastëkë me motive dhe ngjyra të shumta. Shtëpia e saj është piktoreske si ndonjë reklamë në Airbnb ose shtëpi në Instagram reel. Në mure ka të varura fotografi bardhë e zi kuajsh të mëdhenj dhe muskulozë.

Familja e Ethelit është nga Masaçusets. Familja e saj ka ardhur 200 vjet më parë në SHBA dhe është marrë me tregti kuajsh mes SHBA-së dhe Europës. Sot familja e saj jeton në Masaçusets dhe Nju-Hempshajër, ku është rritur edhe Etheli.

Racizmi ende i pranishëm

Në SHBA jetojnë mesatarisht një milionë romë. Shumë prej amerikanëve dinë pak për romët. Disa prej tyre madje as nuk e dinë aktualisht se romët ekzistojnë dhe se janë një komunitet real.

Pavarësisht kësaj shumë filma amerikanë riprodhojnë stereotipet që ekzistojnë për romët, shpesh në shaka ku thuhet se romët vjedhin, gratë hedhin fall dhe janë shtriga.

Dhoma e punës në shtëpinë e Ethel Brooksit
Dhoma e punës në shtëpinë e Ethel BrooksitFotografi: Nils Huenerfuerst/DW

Ethel thotë se racizmi ekziston, sidomos aty ku jetojnë komunitete të mëdha. "Shumë e përhapur është ideja dhe shprehja 'mos shko ta rregullosh makinën tek ata djemtë sepse ata janë jevgj dhe do të të mashtrojnë" - tregon ajo.

Nga India në Europë

Racizmi kundër romëve është i pranishëm prej shekujsh. Ekspertët thonë se romët kanë migruar fillimisht nga India, mbase për shkak të dhunës dhe arsyeve ekonomike dhe kanë mbërritur në Europë diku andej nga vitet 1000 të erës sonë. Gjuhëtarët e mbështesin këtë teori, sepse gjuha e vjetër indiane, sanksritishtja është baza e gjuhës rome, "romanes”.

Mendohet se sot në Europë jetojnë rreth 12 milionë romë. Komuniteti rom është divers. Anëtarët e tij i gjen kudo në botë, me tradita të ndryshme, fe të ndryshme dhe dialekte të ndryshme.

Muzeu i kultures rome Serbi
Anëtarët e komunitetit rom i gjen kudo në botëFotografi: Maja Radu/DW

Por megjithë këto ndryshime, Etheli ndien se komuniteti global rom është i bashkuar në një gjë: "Mënyrën se si ne respektojmë dhe kujdesemi për të moshuarit dhe mënyrës si adhurojmë fëmijët,” tregon ajo për Deutsche Wellen.

Ajo thekson se kjo ka të bëjë me kujdesin për njëri-tjetrin, mbështetjen reciproke dhe, siç thotë ajo "ndjenjën e vërtetë se ne të gjithë jemi në këtë gjë së bashku, nganjëherë kundër gjithë botës, sepse duke qenë romë ne e dimë çfarë është racizmi, diskriminimi dhe margjinalizimi."

Mbështetje nga familja

Edhe Etheli ka pasur mbështetje pa kusht nga familja e saj. Ajo shfleton një grumbull dokumentesh të vjetra që përmbajnë letra, albume mbushur me fotografi bardhë e zi dhe gazeta lokale nga vitet e saj shkollës. Prindërit e saj i kanë mbledhur të gjitha këto, sepse ato tregojnë për arritjet e Ethelit, konkurset e shqiptimit, fjalimet dhe çmimet.

Prindërit e çonin në bibliotekën lokale sepse donin që ajo të dilte me rezultate të mira në shkollë. Në kohën kur ajo shkonte në universitet, i ati i Ethelit nuk kishte blerë madje as ilaçe për veten në mënyrë që familja të kishte më shumë para për librat e saj. Ajo nuk e dinte këtë gjë, por e mësoi pasi ai ndërroi jetë.

Mbledhje njohurish të sakta për romët

Muret e zyrës së Ethelit janë të mbuluar nga rafte librash. Aty këtu ka fotografi të vogla  të gjysheve, të tezeve, të hallave, të dajava apo të xhaxhallarëve.

Ethel Brooks është profesore dhe shefe e katedrës për Studime Femërore, Gjinore dhe Seksuale në Universitetin e Rutgerit. Temat e kërkimeve të saj janë ekonomia politike kritike, globalizim, teoritë feministe, nacionalizmi dhe post-kolonializmi.

Ajo i tha Deutsche Welles se e mori titullin doktor dhe u bë profesore për të krijuar një vend ku mund të mblidhen njohuri të sakta për romët, sepse kur filloi të studionte në universitet ajo nuk kishte gjetur shumë informacione për komunitetin rom.

Libra plot me racizëm

"Gjatë pushimeve të para të vjeshtës kur isha në universitet, mora me vete kur shkova në shtëpi disa libra për romët,” tregon ajo. Etheli u ul me të ëmën dhe tezen për t'i lexuar librat së bashku. "Unë u thashë: kjo që po bëjmë, është gabim. Ne nuk e ditkemi çfarë do të thotë të jesh rom, sepse shikoni si thonë këto libra, ju duhet ta bëni këtë gjë në këtë mënyrë.”

Racizmi kundër romëve arriti kulmin gjatë gjenocidit nazist të Luftës së II Botërore.
Racizmi kundër romëve arriti kulmin gjatë gjenocidit nazist të Luftës së II Botërore.Fotografi: Andrea Grunau/DW

Tezja e saj e pa dhe i tha: "Nëse unë nuk e di çfarë do të thotë të jesh rom, atëherë kurrkush nuk e di. Këta libra janë gabim.” Librat ishin të mbushura me racizëm dhe stereotipe.

Tani si profesore Etheli kërkon ta ndryshojë këtë gjë. "Unë dua të krijoj njohuri kritike që jo vetëm na mbështesin ne si romë, por që mbështesin njerëzit e margjinalizuar kudo në botë,” thotë ajo.

Emëruar nga presidenti Obama

Racizmi kundër romëve arriti kulmin gjatë gjenocidit nazist të Luftës së II Botërore. Gjermania e pranoi gjenocidin kundër sintit dhe romëvepër herë të parë në vitet 1980-të.

Ish-presidenti amerikan Barack Obama e zgjodhi Ethelin në Këshillin Përkujtimor të Holokaustit, në SHBA. Etheli thotë se kjo ka qenë e rëndësishme jo vetëm për të, por për gjithë romët në SHBA dhe sintit dhe romët në gjithë botën. Ajo thotë se ky emërim ishte një mënyrë për të thënë: "Ja ku jemi dhe më në fund jemi gati t'i pranojmë humbjet që kanë përjetuar njerëzit tanë gjatë nazizmit, prej Holokaustit dhe duarve të nazistëve.”

Punës së Ethelit në universitet i janë bashkuar shumë studentë që vijnë nga grupe të margjinalizuara. Ajo e di çfarë do të thotë kjo dhe kërkon që t'i fuqizojë ata për të gjetur vendin e tyre në shoqëri.

"Duke e kuptuar kush jemi, ne mund të bëhemi të fuqishëm," thotë ajo. "Mbijetesë do të thotë për ne përcaktim i logjikës historike, trajektoreve që kuptohen kur flasim për historinë. Do të thotë rezistencë. Rezistenca është diçka që ne e bartim me vete, që e marrim prej të parëve tanë dhe ua transmetojmë fëmijëve.”