Escobar: Situata në veri ka potencial konflikti rajonal
21 Qershor 2023I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, i përfshirë drejtpërdrejt në dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, tha të martën se situata në veri të Kosovës ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal. Në këtë kuadër ai iu bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të punojnë për shtensionimin e situatës në veri dhe t'i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kërkesa e SHBA dhe BE: Kthim në dialog!
Emisari amerikan Gabriel Escobar, gjatë një fjalimi në Këshillin Atlantik së bashku me të dërguarin evropian për dialogun Miroslav Lajçak, shprehën shqetësimin e tyre me zhvillimet në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të jetë e tensionuar. "Jam shumë i shqetësuar, dhe kjo situatë ka potencialin të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe konfrontim rajonal dhe kjo është arsyeja përse ne po i mbështesim kaq fort përpjekjet evropiane. Kjo duhet të jetë përpjekje evropiane, sepse të dy vendet janë në Evropë, aspirata më e lartë e tyre është integrimi në Bashkimin Evropian”, tha Escobar. Sipas tij, SHBA si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, do të donin ta shihnim Kosovën pjesë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kështu që theksoi se "ne duam një proces që ul shqetësimet e pesë vendeve mosnjohëse dhe ky duhet të jetë proces evropian, por kjo nuk do të thotë se ne qëndrojmë pasiv”, tha Escobar.
Edhe i ngarkuari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajҫak bëri thirrje që palët t'i kthehen dialogut. "Situata është shumë e vështirë, jam shumë i shqetësuar. Që nga 26 maji ka njerëz që po qëndrojnë në rrugë, ka policë të Kosovës, ka forca të KFOR-it ndërsa tashmë kemi parë një seri incidentesh, prandaj vlerësoj se përparësi është shtensionimi i situatës. Të largohen njerëzit nga rruga, palët t'i kthehen dialogut dhe padyshim pjesë e këtij procesi është organizimi i zgjedhjeve të reja në veri me pjesëmarrje të komunitetit serb. Nëse nuk arrijmë të bëjmë këtë atëherë mund të ketë viktima dhe nuk mund ta përballojmë këtë”, tha Lajcak.
I ngarkuari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar, ndërkaq, kërkoi nga autoritetet e Serbisë, lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës që po mbahen të arrestuar në Serbi. Ky qëndrim u mbështet edhe nga Miroslav Lajçak.
Takim së shpejti në Bruksel?
Diplomacia e BE ka përforcuar sërish përpjekjet për shtensionimin e situatë. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell ka ftuar Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuҫiq dhe kryeministrin i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të martën se është i gatshëm të marrë pjesë në një takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç gjatë kësaj jave në Bruksel, me ftesë të shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell. "Po, unë jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel në mënyrë që të paraqes hollësisht të gjitha këto të dhëna, të cilat i morëm dhe ta kuptojnë që depërshkallzëzmi i situatës që po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pa kusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë, ndërkaq normalizimi nënkupton zbatimin e menjëhershëm, pa kushte dhe të plotë të marrëveshjes bazike”, tha kryeministri Kurti, duke folur për gjendjen e policëve kosovarë që po mbahen të arrestuar në Serbi. Kurti tha se shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, ka vizituar policët e Kosovës që po mbahen në një burg në qytetin e Kralevës, ndërsa theksoi se rrëfimet e tyre dëshmojnë se arrestimi është kryer brenda territorit të Kosovës.
Vuçiq: Çështja e policëve kosovarë u takon organeve të drejtësisë
Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm të dëgjojë thirrjet e diplomatëve perëndimorë për të liruar tre policët, duke theksuar se “çështja u takon organeve të drejtësisë”. E sa i përket takimit me Kurtin në Bruksel, Vuҫiq tha se “nuk do të bisedojë me zotin Kurti derisa të lirohet çdo serb i arrestuar në veri të Kosovës dhe deri sa të mos tërhiqen kryetarët shqiptarë të komunave veriore”. Thirrjeve të Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë për lirimin e tre policëve të Kosovës ju bashku edhe kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban. "Me respekt, ju lus i dashur Aleksandar që ta mendoni mirë këtë. Armiqtë e Serbisë janë të etur për të dëmtuar Serbinë dhe kjo është një situatë dhe rast i tillë dhe mendoj se do të ishte më mirë që ju të dëgjoni rekomandimin e Hungarisë për t'i kthyer ata në Kosovë”, tha kryeministri Orban në një konferencë me gazetarë në qytetin serb të Suboticës, pas një takimi ndërmjet qeverive të të dyja vendeve.
Nga dita e hënë vendkalimet që lidhin Kosovën me Serbinë, në Merdar dhe Jarinjë, janë të bllokuara dhe autobusët dhe kamionët nga Kosova nuk po lejohen të hyjnë në territorin e Serbisë nga grupe qytetarësh serbë. Ata po protestojnë në shenjë revolte ndaj vendimit të javës së kaluar të Prishtinës zyrtare për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në Kosovë, pas arrestimit të tre policëve kosovarë.