1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Escobar:Ka një çarje në komunikimin diplomatik SHBA - Kosovë

12 Mars 2024

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin, Gabriel Escobar, thotë të jetë i shqetësuar, që Kosova nuk është duke dëgjuar për ofertën amerikane të partneritetit për të avancuar integrimin e Kosovës më tej.

https://p.dw.com/p/4dRrF
Gabriel Escobar
Fotografi: Klix.ba

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka quajtur "katastrofik” dhe "jokompetent”, vendimin e autoriteteve të Kosovës për ta zbatuar një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave. Zbatimi i rregullores automatikisht e ndalon perdorimin e dinarit të Serbisë në Kosovë. Escobar ka përsëritur qëndrimin, se SHBA-ja nuk e kundërshton legjitimitetin e vendimit, por ka probleme me mënyrën e zbatimit të tij dhe ndikimin që ka tek komuniteti serb. Këto deklarata emisari amerikan Escobar i bëri në Bruksel në një konferencë të hapur me gazetar, vetëm një ditë para se ai të qëndrojë për vizitë nëKosovë. Ai tha se "gjatë vizitës në Prishtinë, në fokus do të ketë një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për ta ndaluar dinarin, si dhe për transfertat prej Serbisë për qytetarët e Kosovës, të cilët varen prej tyre”.

"Shpejtësia me të cilën është zbatuar vendimi, mungesa e ofrimit të ndonjë alternative për të pranuar paratë, nuk janë kontaktuar komunitetet e prekura prej vendimit, komuniteti ndërkombëtar ka pasur vështirësi që ta bindë Kosovën që të ofrojë ndihmë teknike, të gjitha këto janë shqetësime”, tha Escobar, duke shtuar se "qeveria e Kosovës duhet të punojë me komunitetin ndërkombëtar për të gjetur zgjidhje për këtë vendim, që do ta quaja katastrofik dhe madje jokompetent, të zbatimit të vendimit që ka krijuar kaos në ekonominë e Kosovës”.

Me një dozë "cinizmi”, diplomati amerikan rikujtoi që Francës i është dashur gati një vit për ta adoptuar euron, ndërsa, siҫ tha, “në veri të Kosovës kanë dashur ta zbatojnë vendimin brenda tri javëve”.

Emisari amerikan i pyetur nga gazetarët për marrëdhëniet Kosovë-SHBA, e pranoi se "ekziston një çarje në komunikimet diplomatike mes SHBA-së dhe Kosovës”, duke rikujtuar se në të kaluarën komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.

"Dialogu në fazë kritike"

"Partneriteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie politike. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Dhe nuk janë jo vetëm Shtetet e Bashkuara që kanë problem, është problem që e ka Kosova edhe me Bashkimin Eevropian, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe me shumë partnerë tjerë, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Gabriel Escobar.

Sipas diplomatit amerikan, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ndodhet në një fazë kritike edhe e gjithë kjo për shkak të vendimeve të pakoordinuara të qeverisë së Kosovës, sikurse dhe vendimi i fundit ai për dinarin. Escobar tha, se qëllimi i vizitës së tij në Prishtinë ka të bëje edhe "për ta kthyer dialogun në binarë”.

"Dialogu ka qenë mekanizmi për zgjidhjen e shumë sfidave në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe vazhdon të jetë mekanizmi primar për zgjidhjen e këtyre mosmarrëveshjeve. U kërkoj palëve që të respektojnë të gjitha marrëveshjet, posaçërisht aneksin e Ohrit, të dëshmojnë përkushtim të mirë dhe të përmbahen nga çfarëdo provokimi që pengon zbatimin e marrëveshjeve dhe krijon më shumë tensione ndërmjet dy vendeve. Kjo është një nga arsyet kryesore pse do ta vizitoj Kosovën”, tha Escobar. Sipas tij, nga Kosova specifikisht "kërkohet të punojë në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ndërsa prej Serbisë kërkohet që "zotimet e bëra të jenë ligjërisht obliguese dhe të pakthyeshme”.

Diplomati amerikan përmendi edhe draft-statutin e hartuar prej Perëndimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për të cilin siҫ tha ai, "qeveria e Kosovës nuk ka dhënë kurrë përgjigje të plota nëse e pranon ashtu siç është, dhe nuk e kuptojmë pse nuk e dërgojnë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”.

"Kam dëgjuar shumë arsyetime, por nuk e pranoj asnjërin prej tyre. Inkurajoj qeverinë e Kosovës që të ecë përpara. Asociacioni nuk do të jetë Republika Srpska, nuk do të jetë shtet brenda shtetit, nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe asgjë që mund të krijojë probleme kushtetuese për Kosovën”, siguroi emisari amerikan Gabriel Escobar që me datën 13 mars qëndron për vizitë në Kosovë.