1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Escobar dhe Lajçak: Marrëveshjet me Serbinë të zbatohen

Bekim Shehu
2 Shkurt 2022

Diplomatët Escobar dhe Lajçak në Kosovë: Të zbatohen marrëveshjet Kosovë-Serbi e këtu përfshihet edhe Asociacioni i komunave serbe. Respektojmë parimet e integritetit, rendit kushtetues dhe funksionalitetit të Kosovës.

https://p.dw.com/p/46R3h
Kombibild Gabriel Escobar und Miroslav Lajcak
Fotografi: Leon Neal/Getty Images

Dy diplomatët perëndimorë që qëndruan tri ditë në Kosovë, Gabriel Escobar i ngarkuar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe i ngarkuari  i BE për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak thanë, se si Kosova edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e deritashme. Në këtë mes përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, por pa e dëmtuar tërësinë dhe funksionalitetin e Kosovës. Çështja e Asociacionit të komunave serbe është pika që e ndan në qëndrime Kosovën dhe Serbinë dhe një ndër shkaqet kryesore e ngecjes së dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, por kjo hidhet poshtë nga Prishtina. Në një konferencë për medie, Mirosllav Lajçak, tha  se  gjatë bisedimeve me udhëheqësit politik kosovar e kemi bërë të qartë  se "respektojmë plotësisht parimet e Kosovës që janë integriteti, rendi kushtetues dhe funksionaliteti”.

"Kosova është palë e barabartë në bisedime, që nënkupton se asgjë nuk mund t'i imponohet Kosovës, pa pajtimin e saj. E dëgjoj shpesh se nuk duam një Republikë Serbe dhe mendoj që kam qenë shumë i qartë shpesh, se askush nuk dëshiron një Republikë Serbe në Kosovë. Ka një parim universal se çdo gjë për të cilën është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe këtë ua themi të dyja palëve”, tha zoti Lajçak.

Zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi që këtu përfshihet edhe Asociacioni i komunave serbe e nënshkruar si marrëveshje e parimeve në vitin 2013, e kërkoi edhe diplomati amerikan, por tha se "është çështje e bisedimeve, se cili do të mund të ishte modeli i themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

"Synimi im me përmendjen e faktit se ekzistojnë shumë mundësi për themelimin e asociacionit, ishte të them që nuk duhet të jetë një model që dëmton sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta gjejmë një model të tillë, që mund të negociohet dhe të arrihet marrëveshje rreth tij. Ky është qëllimi i bisedimeve. Nuk është qëllimi i Shteteve të Bashkuara të imponojë një të tillë”, tha Gabriel Escobar. Ai përsëriti se "Kjo administratë sikurse administratat e kaluara, mbështesin fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës”, duke shtuar se "përtej kësaj, është pjesë e bisedimeve se si të dyja vendet, Serbia dhe Kosova arrijnë normalizimin”.

Edhe Mirosllav Lajçak, duke iu referuar dialogut nënvizoi, se "bisedimet nuk kanë të bëjnë me negocimin e statusit të Kosovës, por për negocimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

"Nuk ka ndryshim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kur flitet për bisedimet dhe rezultatin përfundimtar. Formula evropiane thotë, se ne nuk përjashtojmë asnjë rezultat dhe nuk imponojmë asnjë të tillë. Është përgjegjësi e të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë, që të pajtohen se cili do të jetë rezultati përfundimtar”, tha Lajçak.

Kryeministri i Kosovës, i cili një ditë më parë takoi dy diplomatët perëndimorë tha, se Kosova është e vendosur "që integriteti territorial, sovraniteti, funksionaliteti shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria të mbeten të paprekura nga çdo përpjekje e kujtdo”.

"Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj jam i gatshëm që t'u përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, me ç'rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara", tha Albin Kurti, duke aluduar në idenë që shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, komuna këto në jug të Serbisë, të trajtohen njësoj sikurse komuniteti serb në Kosovë.

Edhe tri partitë kryesore opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pas takimeve që zhvilluan me Escobar dha Lajqak, thanë se ata kanë qëndrime unanime në lidhje me rezultatin përfundimtar që duhet të sjellë dialogu e ajo është që marrëveshja përfundimtare me Serbinë duhet të jetë brenda kufijve ekzistues të Kosovës.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të listës Srpska, Goran Rakiq, tha se u ka përcjellë diplomatëve perëndimorë se "populli serb i kundërshton qëllimet e Prishtinës për të reduktuar detyrimet e saj, sa i përket kompetencave të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Dy diplomatët perëndimorë Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, përfunduan vizitën në Kosovë, prej nga shkojnë në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për të lëvizur përpara në dialogun Kosovë dhe Serbi. Të dy zyrtarët e lartë shprehën shpresën, se  ky vit do të jetë vit i takimeve të ngjeshura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me shpresën për të arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Por, një ditë më parë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq, tha se "fajtor për moszhvillimin e raundeve të reja të negociatave është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti”.

"Qëndrimi ynë dhe ajo që nuk ndryshon është se ne jemi gjithmonë të gatshëm të ulemi në tryezën e bisedimeve dhe të bisedojmë. Është e qartë për ne se, qëkurse Kurti ka nisur të udhëheqë në Prishtinë, nuk ka pasur dialog dhe ndoshta nuk do të ketë, përderisa ai vendos", ka thënë shefi i diplomacisë serbe Selakoviq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së. Raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021.