1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erdogan: Godisni FETO që marrëdhëniet tona të mos errësohen

18 Janar 2022

Presidenti turk, Erdogan përfundoi vizitën zyrtare në Tiranë dhe veç inagurimit të apartamenteve la pas vetes një pritshmëri të qartë: Të merren masa të shpejta kundër gülenistëve.

https://p.dw.com/p/45fae
Albanien | Recep Tayyip Erdogan und Edi Rama
Fotografi: Press Office Premiership

Bilanci i vizitës së presidentit turk Erdogan, të hënën, (17.01) në Tiranë ka një spektër të gjerë. Me pak fjalë ai mund të përmblidhet në konkretizim zotimesh  të ndërsjellta për të forcuar më tej marrëdhëniet dypalëshe Turqi-Shqipëri dhe kushtëzim të tyre me goditjen e gülenistëve në Shqipëri.

Gjatë 12 orëve të qëndrimit të tij në Shqipëri,  (09.30-21.30) u nënshkruan shtatë marrëveshje bashkëpunimi përfshirë ato në fushën e medias, zbatimit të ligjit, emergjencave civile dhe kulturës.  Erdogan inaguroi kompleksin me 522 apartamente të reja në bashkinë e Kurbinit, qarku i Lezhës , të prekur rëndë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, të financuar nga Turqia me një fond prej 42 milionë eurosh dhe siguroi për një rol konstruktiv të Turqisë në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. 

Erdogan: Marrëdhëniet me Shqipërinë - më të qëndrueshmet në Ballkan 

Inagurimi i 522 apartamenteve të reja është pjesë e konkretizimit të zotimit të Turqisë, në konferencën ndërkombëtare të donatorëve, më 17 shkurt 2020 në Bruksel  për të mbështetur me 1 miliardë euro rimëkëmbjen e Shqipërisë nga tërmeti, strehuar mijra njerëz të mbetur pa banesa, rindërtuar godina publike, shkolla dhe spitale. Turqia rezulton vendi me donacionin më të lartë për rimëkëmjen e Shqipërisë nga tërmeti i sipërpërmendur. Në një deklaratë në prag të vizitës në Tiranë, presidenti turk Erdogan i vlerësoi marrëdhëniet me Shqipërinë, "një nga më të mirat dhe më të qëndrueshmet në Ballkan”. Ai theksoi se në Shqipëri operojnë "600 kompani turke, janë punësuar 15 mijë shqiptarë duke e bërë Turqinë investitorin dhe partnerin e saj më të madh tregtar.”

"Lidhjet mes dy vendeve janë në nivelin e partneritetit strategjik. Synojmë ta ꞔojmë në 1 miliardë dollarë vëllimin e tregëtisë dypalëshe. Në Shqipëri Turqia ka investuar 3,5 miliardë dollarë,” theksoi ai në deklaratën e tij. Me një fond prej 40 milionë euro qeveria turke po ndërton në qëndër të Tiranës, në një sipërfaqje prej 6 mijë metrash katrorë "Xhaminë e Namazgjasë,” një nga më të mëdhatë në Ballkan.

Organisierte Kriminalität und Drogenschmuggel in Albanien
Fotografi: Marina Strauß/DW

Kërkesa: Godisni FETO në Shqipëri, që marrëdhëniet tona mos të errësohen

Zotimin për forcim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë presidenti turk Erdogan e kushtëzoi në Tiranë,  të hënën (17.01),  me goditjen e elementeve të organizatës së njohur me inicialet FETO, të drejtuar nga Fetullah Gülen, kundërshtari politik i presidentit Erdogan dhe të klasifikuar si organizatë terroriste pas grushtit të shtetit të 15 korrikut 2016, ku u vranë mbi 300 vetë dhe u plagosën rreth 2.100 të tjerë.

Lëvizja güleniste duket se ka ende kolegje private në Shqipëri, të ngritura me fondet e klerikut Fetullah Gülen  të fokusuara në matematikë, shkenca dhe predikimin e një islami tolerant dhe reformator. Pas grushtit të shtetit, kur presidenti Erdogan vizitoi Tiranën 6 vjet më parë, ai u kërkoi autoriteteve të saj t'i godiste këto kolegje duke i mbyllur dhe dorëzuar mësuesit gülenistë. Kërkesa u përsërit me forcë edhe gjatë vizitës së djeshme në Tiranë. "Fakti që FETO është ende e aftë të gjejë fushë veprimi në vendin mik dhe vëlla, në Shqipëri, e lëndon thellë popullin turk. Pritshmëria jonë është që në periudhën që kemi përpara të ndërmerren masa më konkrete, vendimtare dhe hapa të shpejtë kundër strukturave të FETO-s në Shqipëri”, tha presidenti turk Erdogan në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama.

Albanien | Namazgjaja Moschee in Tirana
Fotografi: Ani Ruci/DW

Në fjalën përshëndetëse që ai mbajti në mbrëmjen e të hënës, në seancën e parë parlamentare të këtij viti, Erdogan shkoi më tej kur theksoi se " ꞔështjen e FETOs e shohim si parakusht të vëllazërisë, miqësisë dhe partneritetit strategjik. Presim që Shqipëria të marrë masa të menjëhershme dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen.”

Roli i Turqisë në rajon

Kryeministri Rama tha në konferencën e përbashkët për shtyp që "roli i Turqisë në rajonin tonë është i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm dhe pa diskutim një rol konstruktiv në funksion të paqes. Turqia është një valvul e pazëvendësueshme për BE", theksoi Rama duke zhvleftësuar opinione të studiuesve dhe politologëve lidhur me përpjekjet e Turqisë për të fituar influencë politike dhe ekonomike në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Erdogan iu referua rolit që luan Turqia si vend anëtar i NATO-s kur tha në konferencën e përbashkër për shtyp se Turqia „ do të vazhdojë të bëjë detyrat siç ka bërë deri tani. Për Ballkanin është e rëndësishme qetësia dhe qëndrueshmëria. Turqia do të bëjë çfarë është e nevojshme për qetësinë e Ballkanit, për të siguruar dhe garantuar një të ardhme paqësore."

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana