Erdoğan, Rama dhe Thaçi përurojnë aeroportin e Prishtinës
23 Tetor 2013Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përuruan në Kosovë, terminalin e ri të “Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari”. Vizita në Kosovë e kryeministrit të Turqisë, Erdogan lidhet me faktin se aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës i është dhënë me koncesion një konsorcumi turko-francez “Limak Aeroport de Lyon”, që në vitin 2010, për një periudhën 20 vjeçare.
Të dy kryeministrat, Erdogan dhe Rama u priten me ceremoni shtetërore nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, para shumë personaliteteve të pranishëm në përurim, ku kishte edhe ministra nga qeveria turke dhe ajo e Shqipërisë, Kosovën e cilësoi si “një ndër vendet më mike të Turqisë”. “Çdo herë që vijmë në Kosovë shohim përparime. Shpresoj se do të ketë një zhvillim edhe më të hovshëm. Kosova është vend mik i Turqisë dhe Turqia do ta mbështesë edhe më tutje zhvillimin e Kosovës”, tha Recep Tayyip Erdoğan.
Edi Rama vlerëson Erdoganin
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga ana e tij u shpreh shumë i lumtur që “në një mot plot me diell, e presim në Kosovë kryeministrin Erdogan, vëllanë tonë të pandarë, në festa dhe vështirësi”. Duke uruar qytetarët e Kosovës për terminalin e ri, Rama tha: “Urime me gjithë zemër për këtë vepër të shkëlqyer të këtij shteti pesë vjeç, që këto pesë vite ka kapur shumë nga koha e humbur, duke u bërë një shembull admirues edhe për rajonin”, tha kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përurimin e terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës e cilësoi si ditë historike, duke e ndërlidhur edhe me pjesëmarrjen në ceremoni të dy kryeministrave, atij turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Thaçi tha se “kjo është një ditë e madhe ee historike për Kosovën”.
Thaçi: Kosova qendër dhe lidere në rajonit për aviacionin civil
“Ndërtimi i këtij aeroporti, tregon se Kosova është një shtet i mundësive të mëdha, i mundësive të reja, i mundësive evropiane”, tha kryeministri Thaçi. Terminali i ri i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari, ka një sipërfaqe prej 42 mijë metrash katrorë. Kostoja e investimeve sipas përfaqësuesve të konsorcumit turko-francez “Limak Aeroport de Lyon”, është rreth 130 milionë euro.
Kompani nga Turqia, janë pjesmarrëse me aksione edhe në distribucionin e Korporatës Elektroenergjtike të Kosovës dhe pjesëmarrëse drejtpërdrejt në ndërtimin e autostradës Kosovë-Shqipëri. Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, të mërkurën pasdite vizituan edhe qytetin e Prizrenit, duke mbajtur një tubim me qytetarët në qendrën historike të qytetit. Në qytetin e Prizrenit është i koncentruar më së shumti komuniteti turk i Kosovës.