Emra të rinj, qëndrime të vjetra: Raport për Kosovën në OKB
14 Prill 2021Takimet informuese të Këshillit të Sigurimit për Kosovën mblidhen në bazë të rezolutës 1244 të vitit 1999. Sipas saj, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, duhet të informojë rregullisht anëtarët e Këshillit të Sigurimit për aktivitetet e misionit të OKB në Kosovë. Para zhvillimit të takimit, anëtarët e Këshillit të Sigurimit marrin raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe në bazë të tij dhe të politikës së vendit që mbulojnë përgatisin deklaratat. Raporti aktual përfshin periudhën shtator 2020- mars 2021. Presidencën e radhës në Këshillin e Sigurimit në muajin prill e mban Vietnami.
Takimi zakonisht fillon me fjalën e shefit të UNMIK-ut, që aktualisht është Zahir Tanin. Pastaj fjalën e merr përfaqësuesi i Serbisë, ministri i Jashtëm apo ambasadori pranë OKB. Pas tij flet ministri i Jashtëm i Kosovës ose ambasadori i Kosovës në SHBA, vend që e ka njohur Kosovën si shtet. OKB nuk e ka njohur ende Kosovën si shtet, megjithë mbështetjen që i jep. Që ta bëjë këtë duhet që gjithë vendet me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit të japin „Po-në". Nga pesë shtetet me të drejtë vetoje, tre e mbështesin anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara kurse dy nuk e mbështesin. Kështu ka qenë në vitin 1999, kështu është edhe sot, më 2021. Sipas OKB, misioni i UNMIK-ut sot është të promovojë sigurinë, stabilitetin dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Protesta e përfaqësuesit rus
Takimin e Këshillit të Sigurimit për Kosovënmë 13 prill 2021 e drejtoi ambasadori i Vietnamit pranë OKB, Dang Dinh Quy. Takimi ishte video- konferencë e hapur për publikun midis 19 pjesëmarrësve, 13 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe 6 të ftuarve, ministres së Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, shefit të UNMIK-ut Zahir Taninit, ministrit të Jashtëm të Serbisë, Nikola Selakovic,
Sapo ambasadori i Vietnamit filloi të merrte votat për procedurën e mbajtjes së takimit, përfaqësuesi i Rusisë, shprehu indinjatën që ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla shfaqej në video me flamurin e Kosovës, "shtet që nuk është njohur nga bota”. Ai i kërkoi ministres të largojë flamurin e Kosovës, si kusht për të marrë pjesë në takim.
Ambasadori i Vietnamit kujtoi se pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në takim bëhet sipas rregullit 39, të procedurës së mbajtjes së takimit. Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar, kujtoi se takimi është informues, nuk është takim ku merren vendime kështu që nuk ka pse ministrja Gërvalla të ndryshojë sfondin e prezantimit. Kujtojmë se në takimin e kaluar të Këshillit të Sigurimit, i njëjti incident u shkaktua nga Serbia.
UNMIK: Ndihmë për Kosovën në luftë kundër pandemisë
Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, kërkoi ndihmë për Kosovën në luftën kundër pandemisë së COVID-19, e cila ka pasur dy momente dramatike infektimi të madh një në nëntor dhe një që ka filluar në mars dhe që po vazhdon deri tani. "Numri i infektimeve ka arritur tani pikën kulminante,” tha Tanin duke shpjeguar se virusi ka infektuar në Kosovë mbi 100 mijë vetë dhe ka shkaktuar vdekjen e 2 mijë të tjerëve, një nga nivelet më të larta për frymë. Ai tregoi se 24 mijë doza vaksine që kanë mbërritur në Kosovë në fund të marsit, kanë shënuar fillimin e programit të vaksinimit dhe kërkoi ndihmë për vaksinimin, duke pasur parasysh nivelin e madh të infektimeve dhe shpërndarjen e virusit.
Kosova sipas ministrit serb është “provinca jonë jugore”
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakovic, e nisi fjalën e tij duke protestuar “për abuzimin e formatit të videos së takimit nga përfaqësuesja e Prishtinës që sipas tij synon të promovojë simbolet e shtetit të të ashtuquajturës Kosovë”. Selakovic vlerësoi lart rolin që luan UNMIK për sigurinë në Kosovë. Ministri serb tha se gjatë periudhës për të cilën po flitet “ka patur mungesë stabiliteti politik në Kosovë e Metohi”. Duke folur për zgjedhjet në Kosovë, ai tha se ato treguan se “ekstremizmi politik nuk po rritet, por po forcohet”. Politikanët shqiptarë nxisin incidente në komunat serbe, me synimin që të rrisin pikët për vete, tha ministri serb. Ai u ankua se shumë serbëve të Kosovës iu mohua e drejta për të votuar dhe presioni politik mbi ta vazhdoi edhe pas zgjedhjeve duke u mohuar përfaqësimin në qeverisje. Ministri vazhdoi të fliste për “qëndrimin kundërserb të institucioneve provizore të Kosovës” dhe përmendi një incident të janarit të këtij viti ndodhur në jug të Kosovës, ku u arrestua drejtori i një call center. Ai po ashtu akuzoi Prishtinën se shkatërron vaksinat, vetëm sepse “vijnë nga Serbia”. Ai tha se janë shtuar sulmet kundër serbëve dhe pronave të tyre. “Vetëm vitin e kaluar më shumë se 80 sulme dhe incidente kanë ndodhur në provincën tonë jugore”, thotë nga Beogradi ministri, që duket se është mësuar ta shohë Kosovën si provincë dhe veten e vet si sundimtar province. Ai tha se serbët që kthehen në Kosovë jetojnë me frikë. “Fakti që një familje e kthyer ka qenë objektiv i shtatë sulmeve, tregon për këmbënguljen e atyre që nuk duan të kenë serbë në Kosovë dhe Metohi”. Prishtina nuk ka vullnet politik që 200 mijë serbët që kanë jetuar për 23 vite jashtë Kosovës të kthehen në shtëpinë e tyre, tha ministri, duke e quajtur shumë të ulët nivelin e kthimeve që nga viti 1999, që ka qenë 1,9 përqind. Më tej ai kaloi tek Dhomat Speciale dhe u ankua për presionin që bëhet mbi to dhe mbi viktimat në proceset kundër ish ushtarëve “terroristë” të UÇK. Ministri serb tha se asnjë nuk është akuzuar për vrasjen e 17 gazetarëve në Kosovë. Ai tha se asnjë nga krimet e kryera kundër serbëve pas vitit 1999 nuk është përndjekur ligjërisht. Ministri taze i Serbisë e quajti të papranueshëm kthimin e forcave të Kosovës në ushtri, dhe kërkoi që kompetencat e KFOR-it në çështjet e sigurisë të mos i kalojnë asnjë force tjetër. Pastaj kaloi në çështjen e bashkimit të Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që kryeministri aktual e ka pas deklaruar shumë herë në të kaluarën dhe një nga punonjësit e tij e deklaroi javën e kaluar. “Ide të tilla janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin”, tha ministri serb, “jo vetëm për provincën tonë jugore, por për të gjithë rajonin”. Ai këmbënguli për angazhimin serb në dialog si zgjidhje politike për Kosovën. “Ne jemi të gatshëm të ulemi dhe të flasim me Prishtinën, ne jemi të gatshëm për dialog,” tha në fjalimin pafund ministri serb Nikola Selakovic dhe akuzoi kryeministrin aktual të Kosovës se nuk e ka prioritet dialogin.
Gërvalla: Kosova po hyn në një epokë të re
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla e nisi fjalimin me optimizmin se zgjedhjet kanë shënuar fillimin e një epoke të re. Duke folur për to ajo tregon krenare se janë “të parat zgjedhje në një vend ballkanik ku pjesa më e madhe e popullsisë votoi kundër korrupsionit dhe krimit”. “Ne ndodhemi në rrugë drejt plotësimit të dëshirës së popullit për ta bërë kombin tonë të ri pjesë të respektuar të kombeve të tjera”, tha ministrja Gërvalla. Ajo foli me optimizëm për detyrat që Kosova ka përpara për luftimin e korrupsionit dhe kthimin e Kosovës në shtet të vërtet ligjor, duke filluar me reformën ligjore, investimet dhe vendet e punës. “Kosova është e angazhuar për integrimin në Bashkimin Europian dhe NATO. Por ne jemi të angazhuar që në një moment të caktuar në të ardhmen të bëhemi edhe vend anëtar i OKB,” thotë ministrja Gërvalla, e cila mban po ashtu edhe postin e zëvendëskryeministres në qeverinë e re të Kosovës. Ajo tregoi më tej se në qeverinë e re e Kosovës, gjenden njerëz kurajoz, të hapur dhe me përvojë ndërkombëtare, që nuk tremben nga zgjidhja e çështjeve as kur ato janë të dhimbshme. “Ne jemi të hapur, jemi krenar dhe nuk kemi frikë nga asgjë dhe asnjë,” tha ministrja Gërvalla. “Megjithëse ka mes nesh njerëz që kanë përvojë të tmerrshme me Serbinë, ne preferojmë ripajtimin,” tha ajo duke përmendur përvojën kryeministrit të burgosur për më shumë se dy vjet në kohën kur ka qenë student, përvojën e zëvendëskryetares së Parlamentit të Kosovës, e cila i ka mbijetuar si 13 vjeçare një masakre serbe ku ka humbur të ëmën, gjyshen, dy vëllezërit më të vegjël si dhe familjarë të tjerë dhe shembullin e një parlamentareje kosovare, e cila është dhunuar seksualisht nga ushtarët serbë kur ka qenë 16 vjeç. Ministrja tregoi më tej për grupin e Nënave nga Gjakova, nëna që kanë humbur fëmijë gjatë luftës në Kosovë dhe nuk dinë për fatin e tyre. Krimet e kryera janë pjesë e “living memory”, kujtimet janë të gjalla, dhe dorasit nuk janë dënuar kurrë, tha Gërvalla. Dorasit jetojnë në Serbi dhe gjetkë dhe celebrohen për krimet e kryera. “Serbia duhet ta kuptojë se do paguajë çmimin për krimet që ka bërë,” tha ministrja Gërvalla, në fjalën e mbajtur për herë të parë para Këshillit të Sigurimit duke i kërkuar Serbisë që “të konfrontohet me të kaluarën e saj dhe të çlirohet nga rrënjët genocidale”. Ministrja e Kosovës shprehu bindjen se “kur Serbia të njohë rolin që ka luajtur në destabilizimin e rajonit me agresionin e saj, kur të ndalojë ndërhyrjen në vendet fqinjë duke filluar me Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën ajo do të ketë mundësi të normalizojë qëndrimin dhe të kthehet në një vend normal”. Ajo flet për interesat e Kosovës “në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, një Serbie europiane jo të prapambetur, dhe në dialogun e hapur me Serbinë për të kaluarën dhe të ardhmen”.
Donika Gërvalla tregon historinë e të atit, shkrimtar, gazetar dhe muzikant vrarë nga regjimi serb megjithëse ndodhej në Gjermani, ku kishte shkuar pas largimit nga brutaliteti i regjimit të Beogradit. “Nuk flasim për Serbinë në përgjithësi, pa bërë dallim. Por, dallimin duhet ta bëjë edhe Serbia, duke identifikuar kriminelët e luftës dhe duke i nxjerrë ata para drejtësisë, duke bashkëpunuar me OKB për të gjetur varret masive të personave ende të pagjetur, duke ndaluar së luajturi lojra dhe duke u ulur në tavolinë për të folur seriozisht, tha ministra. ”Atëherë mund të gjejmë një zgjidhje historike, jo vetëm për marrëdhëniet tona bilaterale, por edhe për pajtimin në Ballkan në përgjithësi, shtoi ministrja Gërvalla, në debatin e Këshillit të Sigurimit për Kosovën, të parin për këtë vit. “Të gjithë e dinë se pavarësia e Kosovës është një punë e mbaruar. Sa më herët ta kuptojë Serbia këtë aq lehtë mund të bëjë kalimin nga një e kaluar e errët në një të ardhme të ndritur,” tha në fund ministrja e Jashtme e Kosovës.
SHBA për stabilitet në Ballkan dhe Lindjen e Mesme
Ambasadori i SHBA-së pranë OKB, Richard Mills, vlerësoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira në Kosovë si dhe përpjekjet e bëra në promovimin e të drejtave të grave. Ai premtoi bashkëpunim me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti, për rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë qeveritare, luftimin e korrupsionit, përmirësimin e ekonomisë dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ambasadori amerikan shprehu mbështetjen për dialogun e kryesuar nga BE. „Tani që është formuar qeveria e Kosovës, ne presim që në një të ardhme të afërt, përfaqësuesi i BE të mbledhë palët,“ tha Mills i cili theksoi se palët kanë bërë përparime, „gjë që ka kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve si në Kosovë edhe në Serbi“. Duke iu kthyer takimit shqiptaro- serb në Shtëpinë e Bardhë në shtatorin e 2020, ai tha se „ka shumë për të bërë dhe koha nuk pret“. SHBA i bëjnë thirrje palëve të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme dhe t’i qasen dialogut me pragmatizëm dhe produktivitet, me synimin e arritjes së marrëveshjes së normalizimit. Ashtu si ambasadorët e mëparshëm edhe ambasadori Mills tha se UNMIK e ka përmbushur detyrën që ka pasur dhe duhet mbyllur. Ai i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të vendosin për mbylljen e UNMIK-ut, për të përmirësuar më shumë rolin e OKB në ndihmë të Kosovës. Ambasadori amerikan përshëndeti përmirësimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Izraelit, si kontribut në vendosjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në Lindje të Afërt.
Franca: Kosova dhe Serbia të veprojnë si europianë
Ambasadori i Francës pranë OKB, Nicolas de Riviere ftoi Serbinë dhe Kosovën që të veprojnë si europianë në arritjen e kompromiseve. „Kosova ka tani institucione stabile, që do i krijojnë mundësinë të kapërcejë sfidat, sidomos në bërjen e reformave,“ tha ambasadori francez, i cili shprehu mbështetjen e Francës dhe BE në ndihmë të Kosovës. Sfidat janë përveç luftës kundër pandemisë, zhvillimi ekonomik dhe social, forcimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Franca është e bindur se për Kosovën dhe Serbinë nuk ka rrugë tjetër veç arritjes së marrëveshjes finale, dhe për këtë mbështet përpjekjet që bën Miroslav Lajcak, i dërguari special i BE.
Qëndrimi rus i pandryshueshëm
Dmitry Polyaskiy, zëvendësambasadori rus pranë OKB thotë se qëndrimi rus për zgjidhjen e çështjes së Kosovës bazohet tek principet dhe është i pandryshueshëm: “Problemi mund të zgjidhet vetëm në kuadër të ligjeve ndërkombëtare, duke filluar me rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit”.
Sipas tij, fajin për ngecjen e dialogut Prishtinë – Beograd e ka qëndrimi jo konstruktiv i Prishtinës. “Në vend që të plotësojnë detyrimet për krijimin e komunave serbe, shqiptarët e Kosovës janë duke bërë deklarata të herëpashershme për një referendum për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe janë duke i dërguar ultimatume Beogradit të njohë pavarësinë e Kosovës dhe të paguajë ca “dëmshpërblime”, tha Dmitry Polyaskiy. Ai i bëri thirrje Bashkimit Europian të jetë i paanshëm dhe deklaroi se Rusia është kundër futjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Diplomati rus thotë se mungesa e përparimit në dialog ka të bëjë me situatën politike në Kosovë “të mbushur me një seri krizash pa fund”, duke futur këtu edhe zgjedhjet e fundit parlamentare ku nuk u zgjodhën kandidatët proserbë. Ai e quajti zhvillim pozitiv punën e Gjykatës Speciale “për krimet ushtarake, trafikimin e organeve dhe krimeve kundër njerëzimit të bëra nga ish Ushtria Çlirimtare”. Papjekuria e sistemit politik pengon zbatimin e reformave, thotë diplomati rus duke përmendur problemet e papunësisë tek të rinjtë dhe islamizmit militant që e kanë kthyer Kosovën në “qendër për përhapjen e ndikimt në vendet fqinje”. Ai foli për sulmet mbi serbët e Kosovës në shkolla dhe institucione të tjera, ngecjen e kthimeve të personave të zhvendosur, mungesën e besimit midis komuniteteve dhe shprehu pakënaqësinë për kthimet e pakta të pasurive serbe të marra nga shqiptarët e Kosovës.
Dmitry Polyaskiy shprehu shqetësimin duke thënë “ne kemi vënë re se Ministria Kosovare e Mbrojtjes është duke krijuar një bazë ushtarake për Forcat e Armatosura të Kosovës në Mitrovicën e Jugut” dhe e quan këtë rrezik për paqen. Ai shprehu shqetësim për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe bazës ‘Bondstill’ në ushtrimet e NATO-s të quajtura ‘Defender Europe 2021’, sepse kjo sipas tij do të legjitimonte “ushtrinë” e Kosovës. Sipas tij, Aleanca është duke u përfshirë gjithnjë e më shumë në trajnimin e ushtrisë së Kosovës.