1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Emmanuel Macron rizgjidhet President i Francës

24 Prill 2022

Liberali Emmanuel Macron u rizgjodh President i Francës. Sipas vlerësimeve të bëra pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën në mbrëmje, ai fitoi qartë kundër Marine Le Pen-it.

https://p.dw.com/p/4AMvO
Frankreich Präsidentschaftswahl | Jubel Macron-Anhänger
Fotografi: BERTRAND GUAY/AFP

Sipas kanaleve televizive France 2 dhe TF1, Emmanuel Macroni mori midis 58 dhe 58.2 për qind të votave. Le Peni mori vetëm 41.8 deri në 42 për qind.

Fitorja e Macronit mbi të gjitha duhet kuptuar si një humbje për Le Penin. Pas raundit të parë, shumë parti kërkuan ngritjen e një muri kundër së djathtës dhe që me votën për Macronin të pengohej Le Peni. Megjithë shfaqjen e theksuar të moderuar në fushatë,Le Peni vazhdon të mbrojë pozicione të ekstremit të djathtë.

Macroni 44 vjeçar përfitoi përballë luftës së Ukrainës dhe nga një dëshirë për stabilitet. Megjithatë, shumë francezë janë të pakënaqur me mandatin e parë të Macronit dhe mendojnë se stili i tij politik është arrogant.

Fitorja e Macronit në zgjedhje pritet të jetë lehtësim i madh për Gjermaninë dhe Evropën, edhe nëse liberali karizmatik është larg të qenit partneri ideal kudo. Kundërshtarja e tij donte të distancohej nga bashkëpunimi i ngushtë me Gjermaninë që vazhdon prej dekadash. Nacionalistja euroskeptike Le Pen synonte gjithashtu të pakësonte ndikimin e Bashkimit Evropian në Francë. Ajo mund të kishte frenuar, për interesa personale, shumë projekte në Bruksel.

Frankreich Präsidentschaftswahl | Wahlsieg Macron
Fotografi: THOMAS COEX/AFP

Së fundi, afërsia e saj me Vladimir Putinin, kreun e Kremlinit, ngjalli frikën se fronti i fortë proukrainas i Perëndimit mund të shpërbëhej nën Le Penin.

Le Peni pranon humbjen

Le Peni pranoi humbjen. Por ajo gjithashtu tha se "rezultati historik" i jep asaj një pozicion të shkëlqyer fillestar për zgjedhjet e ardhshme. Është hera e parë që nga rizgjedhja e Zhak Shirakut në vitin 2002 që një president francez rizgjidhet.

Që në vitin 2017, ylli i ri politik i atëhershëm, Macroni, dhe djathtistja Le Pen u përplasën në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në atë kohë Le Peni mori vetëm një të tretën e votave.

Le Peni pranon humbjen
Le Peni pranon humbjenFotografi: DARRIN ZAMMIT LUPI/REUTERS

Presidenti në Francë ka kompetenca shumë të gjera. Por e rëndësishme për Francën do të jetë nëse Macroni siguron një shumicë edhe në zgjedhjet parlamentare të qershorit. Po të mos e arrijë këtë, ai duhet të emërojë një kryetar qeverie nga kampi i mazhorancës. Fuqia e tij atëherë do të dobësohej ndjeshëm. Populisti i majtë Jean-Luc Mélenchon, i cili doli i treti në zgjedhjet presidenciale, shpreson të bëhet kryeministër në qershor po të fitojë e majta zgjedhjet. Edhe e djathta do të përpiqet të fitojë pushtetin përmes parlamentit.

Macroni, i cili u mbështet në përparimin ekonomik gjatë fushatës zgjedhore, hyri në Parlament në vitin 2017 me lëvizjen e tij La République en Marche. Një kandidat më tepër i majtë në atë kohë, ai tani ka përvetësuar tema liberalo-konservatore. Para se të bëhej President, Macroni nga veriu i Francës punoi si bankier investimesh, si këshilltar i Presidentit socialist François Hollande dhe si Ministër i Ekonomisë nga viti 2014 deri në vitin 2016 nën Hollanden.

Mbështetës të Le Penit
Mbështetës të Le PenitFotografi: JOHANNA GERON/REUTERS

Lehtësim në Evropë për fitoren e Macronit

Politikanë në Evropë reaguan me lehtësim për fitoren e Presidentit francez Macron në zgjedhje. Presidentja e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen shkroi në twitter se Evropa do të ecë përpara së bashku me Macronin e rizgjedhur.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz tha se e uron Presidentin francez Macron dhe se është i kënaqur që do të vazhdojnë bashkëpunimin e mirë. "Félicitations, urime të përzemërta President Emmanuel Macron", shkroi Scholz në twitter. Zgjedhësit e tu transmetuan sot edhe një deklaratë të fortë në mbështetje të Evropës. Jam i kënaqur që do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mirë!"

Presidentja e Bundestagut Gjerman, Bärbel Bas foli për “lajm të mirë për Evropën dhe për vazhdimin e miqësisë gjermano-franceze”. Ministri Federal i Financave dhe kryetari i FDP, Christian Lindner vuri në dukje se Evropa e bashkuar ishte "fituesja më e madhe e zgjedhjeve". Kryetarja e SPD, Saskia Esken shkroi në Twitter: "Po kërcej! Lehtësim i madh". Liderja e partisë së të Gjelbërve, Ricarda Lang, foli për rëndësinë e zgjedhjeve për luftën në Ukrainë: "Tani duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për një Evropë të fortë dhe sovrane. Dhe të luftojmë në mënyrë që miqtë e Putinit dhe ekstremistët e djathtë si Le Peni të mos i afrohen pushtetit siç bëjnë sot në Francë”.

Kreu i CDU-së, Friedrich Merz tha se me rizgjedhjen e Macronit, ishte i mundur dhe i nevojshëm një fillim i ri për bashkëpunimin gjermano-francez. Presidenti i partisë ultra të djathtë, AfD, Tino Chrupalla vlerësoi kundërshtaren e Macronit Le Pen për "rezultatin e saj të fortë". Macroni, sipas tij, arriti vetëm një "fitore të rremë".

aud (dpa, afp)