Emigracioni - Kush dhe përse largohet nga Gjermania?
5 Dhjetor 2019Emigranti mesatar gjerman është nën moshën 40 vjeç, i suksesshëm në profesion dhe ka një diplomë universitare. Ky është rezultati i një studimi reprezentativ lidhur me ata që largohen nga Gjermania dhe ata që kthehen në atdhe, realizuar nga Instituti i Studimeve Demografike në Berlin (BiB). Sipas këtij studimi rreth 180.000 gjermanë largohen çdo vit drejt një vendi tjetër, ndërkohë që 130.000 në vit kthehen sërish në Gjermani.
Një pjesë e madhe e të anketuarve largohet për arsye profesionale dhe fiton të ardhura më të mira në vendin e përzgjedhur, del në pah nga hulumtimi "German Emigration and Remigration Panel" të BiB në bashkëpunim me Universitetin e Duisburg-Essen. Mesatarisht të punësuarit me normë të plotë brenda një viti fitojnë rreth 1200 Euro më shumë se në Gjermani. "Shpesh ky transferim ka të bëjë me hapin pasues të karrierës", thotë Andreas Ette nga BiB. Si motiv i dytë jepet stili i jetesës në vendin e përzgjedhur për të emigruar. Por ka dhe shumë të tjerë që lëvizin për hir të profesionit, të partnerit ose partneres. Ata që emigrojnë nga Gjermania janë mesatarisht në moshën 36,6 vjeç. Ky grupmoshë është afërsisht dhjetë vjet më i ri se mosha mesatare e popullsisë në Gjermani. Studiuesit konstatojnë, se qendrimi në një vend tjetër zakonisht është i kufizuar në kohë.
"Largohen të mbikualifikuarit"
Shumica e 180.000 emigruesve, 76 përqind e tyre, janë akademikë. "Emigrimi është një privilegj i të mbikualifikuarve", thuhet në studim. Por jo vetëm të kualifikuarit përfitojnë nga transferimi jashtë vendit. Veçanërisht gratë me shkollë të lartë dhe ato me më pak kualifikim përfitojnë nga emigrimi. të ardhurat e tyre rriten në përqindje mesatarisht. Nisur nga fakti që kryesisht emigrojnë akademikë jashtë vendit, studiuesit në studimin e tyre rekomandojnë programe financimi me objektiv të caktuar për njerëzit me nivel më të ulët arsimimi.
Vendi më i preferuar për emigrim i gjermanëve në dhjetë vjetët e fundit me rreth 200.000 ka qenë Zvicra, pasuar nga SHBA-ja me 127.000, Austria me 108.000 dhe Britania e Madhe me 82.000. Që nga vitet 1980 numri i emigrantëve gjermanë është rritur vazhdimisht, thonë studiuesit. Burrat dhe gratë emigrojnë thuajse njësoj, por kryeson "një model klasik i familjes", ku karriera e burrave luan një rol më të fortë. Gratë shpesh punojnë sërish vetëm pas kthimit në Gjermani.
Për anketimin reprezentativ janë pyetur 10.000 vetë të lindur në Gjermani në moshën 20 deri në 70 vjeç, të cilët që nga qershori 2017 deri në qershor 2018 kanë qenë jashtë vendit ose janë kthyer nga një vend tjetër në Gjermani.