Emergjente - ndalimi i emigrimit të mjekëve nga vendet e BP
30 Prill 2019Emigrimi i mjekëve nga Ballkani Perëndimor (BP) drejt vendeve të BE, kryesisht Gjermanisë dhe Zvicrës, vijon me shifra shokuese edhe në muajt e parë të këtij viti. Sipas një studimi të Fondacionit Gjerman "Friedrich Ebert”, 24% e mjekëve ne BP janë gati për t'u larguar menjëherë, ndërsa 54% do të largoheshin, po t'u jepej mundësia. Pjesa tjetër përpiqet të kalojë nga sektori publik në atë privat, ku pagat janë më të larta. Reformat e deritanishme të sistemeve shëndetësore në BP duket se nuk kanë arritur dot të frenojnë largimin e mjekëve. Rajonit, që aspiron t'i afrohet standarteve të BE, po i ikën truri mjekësor.
Rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor vitin e kaluar nuk u reflektua në paga më të larta për mjekët. Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore edhe pse rritja ekonomike këtë vit parashikohet të arrijë 3.7 % reformat strukturore po ecin me ritme të ngadalta në BP.
Emergjente - ndalimi i emigrimit të mjekëve nga rajoni
Konferenca rajonale,”Sistemet shëndetësore në Ballkanin Perëndimor: sfida dhe vizione” organizuar ditët e fundit në Tiranë, nga Fondacioni "Konrad Adenauer”, ofroi opsione për të dalë nga rrethi vicioz ku ndodhen sistemet shëndetësore në BP. Klaudja Zerva, koordinatore programi në këtë Fondacion thotë për DW se "kthimi i besimit të mjekëve tek sistemi shëndetësor publik është një emergjencë rajonale me dritë të kuqe”.
"Mjekët pohojnë se ata vetë e kanë humbur besimin në sistemin shëndetësor ndaj duan të ikin nga Shqipëria për arsye profesionale dhe ekonomike. E njëjta situatë është edhe në vendet e tjera të BP. Ky mosbesim është tregues se refomat në sistemin shëndetësor në Ballkanin Perëndimor i janë larguar objektivit bazë: shëndetit të njeriut duke ia vështirësuar atij mundësinë për një kujdes mjekësor cilësor, si një e drejtë e garantuar për ҫdo qytetar”, thekson Klaudja Zerva për DW.
Ndryshimi i politikës së pagave - faktor kyҫ që mjekët të mos emigrojnë
Që besimi të rikthehet në rradhë të parë duhet të ndryshojë dhe modernizohet arsimi i lartë për mjekët dhe politika e pagave. Pjesëmarrësit në konferencën rajonale diskutuan për dizenjimin e politikave të reja lidhur me burimet njerëzore që nga edukimi profesional i mjekëve deri tek siguria dhe motivimi i tyre financiar.
Lulzim Basha, lider i PD dhe i opozitës në Shqipëri, i ftuar në konferencën rajonale të Konrad Adenauer e vlerësoi rritjen e pagave të mjekëve si mënyrën më efikase për të ndaluar emigrimin e tyre."Pa rritje pagash është e pamundur të ndalohet zbrazja e spitaleve nga mjekët dhe studentët e mjekësisë të cilët largohen drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE” theksoi ai.
Por buxhetet modeste të vendeve të Ballkanit Perëndimor për Ministritë e Shëndetësisë lënë hapësira të pakta për financim të qëndrueshëm në kujdesin shëndetësor. Naser Rugova, deputet në Parlamentin e Kosovës, tha në konferencë, se buxheti i shtetit në Kosovë për shëndetësinë, edhe pse është rritur 22 % në krahasim me vitin 2018, mbetet ende i pamjaftueshëm për të siguruar një shërbim cilësor për popullsinë.
Fjalën e ka politika
Emigrimi i mjekëve në Ballkanin Perëndimor dhe mosbesimi i tyre tek sistemi i shëndetësisë në vendet respektive ka të njëjtat shkaqe: paga të ulta, pamundësi për të ecur përpara në karrierë, për të kryer studime shkencore nga financimet e pamjaftueshme nga buxheti i shtetit.
"Zgjidhja i mbetet politikës. Ajo duhet të jete e shpejte, konkrete per te kthyer besimin tek mjekët dhe pacientët! Mjeket kanë nevojë për garanci profesionale, ekonomike dhe shkencore si parakushte që qytetarët te kene besim tek sistemi” thotë për DW, Klaudja Zerva, koordinatore programi në fondacionin Konrad Adenauer.