Elektroshok kundër qelizave kancerogjene
20 Qershor 2013Ndërhyrja duket mjaft jospektakulare. Mjeku fut në trupin e pacientit një gjilpërë të gjatë, por shumë të hollë. Pastaj ai shikon në një ekran që ka pranë. Aty, gjilpëra duket qartazi në pamjet e një radiografie, për shkak se intervenimi kryhet nën një aparat radiografie, zakonisht në formën e një tomografie kompjuterike. Në këtë mënyrë, mjeku mund ta lëvizë gjilpërën me saktësi aty ku duhet, p.sh. tek ndonjë tumor në mëlçi.
"Radiologu punon në ekran me duart e tij dhe e përdor kateterin ose instrumentat e tjerë prerës minimalisht në trup, për të bërë një operacion të vlefshëm." - thotë prof. Christian Stroszczynski nga Klinika Universitare Regensburg.
Deri tani, këto gjilpëra punonin sidomos sipas parimit termik: sapo gjilpëra e depëton në tumor, ajo nxehet shkurtimisht dhe qelizat e kancerit vdesin. Por ndonjëherë dëmtohen edhe qelizat e shëndetshme fqinje - një efekt anësor i padëshiruar.
"Këto janë procese termike që mund të shkaktojnë pak ndërlikime, por ama të rëndësishme në qoftë se gjilpëra gjendet për shembull në afërsi të një organi bosh si stomaku, apo në afërsi të një vene. Ne shpresojmë që nëpërmjet kësaj metode të re që nuk funksionon me ngrohje të kemi avantazhe." - thotë prof. Christian Stroszczynski.
Metoda e re bazohet tek rryma elektrike dhe elektroshoku. Pra përmes gjilpërës mjekët lëshojnë në organ jo nxehtësi por dridhje elektrike.
"Në qelizat tumorale vihen direkt elektroda dhe shkaktohet një elektroshok. Qelizat e tumorit duket se reagojnë ndaj kësaj në mënyrë selektive, ato shpërthejnë dhe pastaj nxirren jashtë nga vetë trupi." - thotë prof. Christian Stroszczynski.
Elektro-Poracion irreversibël , quhet metoda e re. Si elektroda shërbejnë deri në gjshtë gjilpëra që transmetojnë goditje elektrike të shkurtra por me fuqi të lartë. Qelizat kanceroze që përmbajnë më shumë ujë se të shëndoshat reagojnë ndaj elektroshokut më shumë se qelizat e shëndosha.
´Mjekët shpresojnë se me këtë metodë mund t'i vrasin tumoret më me saktësi, dhe në të njëjtën kohë pa dëmtuar shumë qelizat përeth. Christian Stroszczynski e ka testuar metodën e re në një studim pilot me 35 pacientë me kancer në mëlçi. Tek mëlçia është e lehtë të depërtohet me gjilpërat e holla.
Edhe studimet e tjera janë premtuese. Po a është e mundur që kanceri të shërohet me terapinë me elektroshok, apo ai kthehet përsëri pas disa kohe?
"Kjo pyetje shtrohet duhet të shtohet vërtetë pas rezultateve afatgjata. Edhe pse ne jemi optimistë, ne me siguri duhet të presim disa vjet më shumë në mënyrë që të kryejmë një krahasim të thelluar me terapitë e tjera. "
Por metoda e elektroshokut ka megjithatë një disavantazh në krahasim me metodën e ngrohjes: ajo duhet të bëhet nën narkozë të plotë, që të mos shkaktojë probleme me zemrën, pra takikardi.
Deri tani metoda e elektroshokut aplikohet vetëm në pak klinika në Gjermani dhe kryesisht për tumoret e mëlçisë. Por në rast se ajo do të ketë sukses, mund të përdoret edhe për rastet e kancereve dhe tumoreve të organeve të tjera të buta si prostata apo pankreasi.