Ekstremizmi në Gjermani: Në rritje dhe më i dhunshëm
16 Qershor 202144 692 vepra penale me sfond politik kanë regjistruar organet gjermane të sigurisë në vitin 2020. Kjo është shifra më e lartë që kur kanë filluar të mbahen statistikat, tha ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer, të martën në Berlin. Së bashku me Presidentin e Entit Federal për Mbrojtjen e Kushtetutës, Thomas Haldenwang, ai prezantoi raportin vjetor të veprave dhe aktiviteteve që kërcënojnë rendin."
Raporti nxjerr në pah se pandemia i ka radikalizuar qytetarët. "Ekstremistët dhe terroristët nuk shkojnë në lockdown", tha presidenti i Zyrës Federale për mbrojtjen e Kushtetutës, Thomas Haldenwang. "Ata punojnë nga shtëpia dhe merren me aktivitete antikushtetuese".
Më të gatshëm për dhunë
Kërcënimi më i madh për rendin e lirë demokratik në Gjermani vjen nga ekstremizmi i djathtë dhe antisemitizmi. Numri i personave të involvuar në vepra penale me motive ekstremiste të djathta është rritur vitin e kaluar me 3,8 për qind deri në 33 300, tha Seehofer. Enti për mbrojtjen e Kushtetutës konstaton, se 40 për qind e tyre janë të gatshëm për dhunë ose të dhunshëm.
Ekstremistët e djathtë janë përpjekur në kohën e pandemisë që të influencojnë te shtresat e mesme nëpërmjet protestave kundër masave të parandalimit të pandemisë, tha Seehofer. Organizata antikushtetuese "Shtetasit e Rajhut", "Reichsbürger" është rritur me 5 për qind, dhe numëron tashmë deri në 20 000 anëtarë. "Shtetasit e Rajhut" nuk e njohin Republikën Federale të Gjermanisë si shtet. Ata pretendojnë se janë shtetas të Perandorisë Gjermane. Për rrjedhojë nuk njohin as kushtetutën, as autoritetet dhe gjykatat dhe as vendimet zyrtare.
Më shumë aksione klandestine
Edhe ekstremizmi i majtë është rritur vitin e kaluar. Numri i veprave penale ka qenë në nivelin më të lartë të se më parë, me 6632.Veprat penale ekstremiste te dhunshme të spektrit të majtë janë shtuar me mbi 34 përqind, në gjithsej 1237. Edhe këtu është rritur numri i aktivistëve me 3 përqind, në 34 300.
Ndërsa më parë aksionet e ekstremistëve të majtë bëheshin kryesisht gjatë demonstratave, tani vihen re gjithmonë e më shumë aksione klandestine dhe të planifikuara nga grupimet të majta, të gatshme për dhunë.
Islamizmi politik dhe sulmet kibernetike
Edhe islamizmi politik shihet si rrezik për shoqërinë e lirë dhe të hapur demokratike. Por salafistët, rryma më e madhe islamiste në Gjermani, në vitin 2020, janë të vetmit që nuk kanë pësuar rritje, thuhet në raport: Numri i tyre ka mbetur i njëjtë: 12.150.
Organi i mbrojtjes së Kushtetutës vëren edhe rrezikun e spiunazheve dhe fushatave dezinformuese nga shërbimet e fshehta të huaja. Veç marrjes së informacioneve në mënyrë ilegale, shërbimet e fshehta të huaja kryejnë edhe aktivitete të paligjshme që kanë të bëjnë me spiunimin dhe sabotimin e grupeve opozitare nga vendet e treta. Shërbimet e fshehta mundohen gjithashtu të ndikojnë politikisht duke sulmuar enkas nëpërmjet internetit parti dhe kandidatë para zgjedhjeve, thuhet në raport. Falë punës nga shtëpia që po aplikohet gjatë pandemisë, është rritur në mënyrë drastike mundësia për spiunazh dhe sabotim kibernetik, thonë organet zyrtare.