Ekstremistët e djathtë në internet
12 Korrik 2012Neonazistët e kanë përdorur internetin gjithmonë si mjet propagande. Prej disa kohësh ata po përdorin gjithnjë e më shumë edhe rrjetet sociale si Facebook, për t'ju drejtuar në mënyrë specifike të rinjve dhe për t'i mobilizuar ata. "Për ekstremistët e krahut të djathtë rrjetet sociale janë platforma ideale rekrutimi, sepse ato parapëlqehen shumë prej të rinjve", thotë Stefan Glaser, drejtues i sektorit për ekstremizmin e djathtë në organizatën jugendschutz.net.
Organizata që mbështetet nga të gjitha landet gjermane vëzhgon internetit për të zbuluar faqe me përmbajtje të rrezikme për të rinjtë dhe përmbajtje të dënueshme sipas ligjeve në fuqi. Të tilla ata po ndeshin gjithnjë e më shumë në rrjetet sociale. "Në shumë raste Facebook dhe YouTube kanë zëvendësuar plotësisht faqet klasike ku gjenden tekste të tilla" thuhet në raportin për vitin 2011. Në Web 2.0 gjejmë shkeljet më të mëdha të ligjit nga ekstremistët e krahut të djathtë. Duket se neonazistët ndjehen në rrjetet sociale më të sigurt nga përndjekja penale, mendojnë kontrollorët e internetit të organizatës jugendschutz.net.
Ekstremizmi i djathtë 2.0
Avantazhet e rrjeteve sociale janë të dukshme: "Në to ekstremistët e djathtë mund t'ia paraqesin idetë e tyre një audience masive", thotë Stefan Glaser. Thelbi ekstremist i djathtë i mesazhit shpesh maskohet. Neonazistët përdorin çështje emocionale dhe të pakontestueshme për të rinjtë, të cilat ngjallin kureshtjen e të rinjve ose shkaktojnë miratim spontan prej tyre. Kur vjen puna për të tilla, për shembull, për të mbrojtur fëmijët nga abuzimi seksual, shumë prej përdoruesve klikojnë shpejt tek butoni "Më pëlqen" ose "Shpërndaje".
Të klikuara mijëra herë fushata të tilla kanë një peshë më të madhe dhe përhapen me shpejtësi të rrezikshme - si një video muzikore e ekstremistëve të djathtë rreth abuzimit të fëmijëve, e cila është klikuar gati një milion herë në YouTube. Vetëm pasi e shikon për herë të dytë e kupton se ajo përmban pikëpamje raciste apo antidemokratike, të cilat janë karakteristike për botëkuptimin e neonazistëve.
Fshirje sa më shpejt të jetë e mundur
Në rast se vëzhguesit ndeshin në internet përmbajtje të paligjshme ekstremiste të krahut të djathtë, atëherë mund të fshijnë ato nëse provider janë të gatshëm. Për vitin 2011 lista e organizatës jugendschutz.net përmban më shumë se 970 fshirjeje mesazhesh dhe tekstesh nga rrjetet sociale. Megjithatë mesazhet ekstremiste të djathta shpesh postohen përsëri menjëherë pas fshirjes. Stefan Glaser kritikon në këtë drejtim operatoret e platformave, sepse teknikisht është e mundshme që ata t'i identifikojnë përmbajtjet identike që postohen dhe t'i pengojnë ato.