1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekspozita "Hitleri dhe gjermanët" thyen tabu në Gjermani

15 Tetor 2010

Në Gjermani ka pasur në të shkuarën qindra ekspozita për Holokaustin dhe nazizmin, por Hitleri vetë ka qenë rrallë në fokus. Një ekspozitë e re analizon diktatorin dhe marrëdhënien e tij me popullin që e mbështeti.

https://p.dw.com/p/Pf7w
Ekspozita "Hitleri dhe gjermanët - kombi dhe krimi", thyen tabutë
Ekspozita "Hitleri dhe gjermanët - kombi dhe krimi", thyen tabutëFotografi: DW

Stenda me imazhe të mëdha janë ndër strategjitë publicitare të preferuara të universitetit, por kur vjen fjala për një ekspozitë me rëndësi qendrore për Hitlerin në kryeqytetin gjerman, posterat përmbajnë shumë tekst dhe nuk përmbajnë fotografi të diktatorit të Rajhut të Tretë.

Megjithatë, Muzeu Historik Gjerman po çel rrugë të reja me ekspozitën "Hitleri dhe gjermanët - kombi dhe krimi", e cila u hap sot. Ekspozita është e para që fokusohet në mënyrë të posaçme në marrëdhënien midis Hitlerin dhe popullit gjerman gjatë periudhës naziste, dhe e thyen konvencionin e deritashëm, duke e vënë Hitlerin në qendër.

Reklamë cigaresh me ushtar të SA-së, 1933-1945
Reklamë cigaresh me ushtar të SA-së, 1933-1945Fotografi: Arne Psille/Armin Herrmann/Indra Desnica

Ekspozita analizon shëmbëllimet e shumta të udhëheqësit nazist, që nga posterat propagandistikë të viteve 1930, deri te filmat e fundit, që tregojnë "Fyhrerin". "Hitleri dhe gjermanët" përmban gjithashtu pamje dhe objekte historike që demonstrojnë "hijet e gjata të shtypjes së ushtruar nga Hitleri, që shtrihen deri në ditët tona" dhe mbështetjen e gjerë sociale që gjeti ai, lexon në faqen e Muzeut në internet.

"Thjesht tregimi i pamjeve me Hitlerin nuk ka kuptim", thotë historiani dhe drejtori i ekspozitës, Hans-Ulrich Thamer. "Hitleri u bë ai që ishte vetëm në sajë të një mbështetjeje të gjerë, që mori nga shumë pjesë të shoqërisë."

Ndryshime qendrimi

Hitleri në dokumentarin e regjisores Leni Riefenstahl "Triumf i Dëshirës"(1934)
Hitleri në dokumentarin e regjisores Leni Riefenstahl "Triumf i Dëshirës"(1934)Fotografi: Mary Evans Picture Library

Thameri shpjegon se Gjermania e trajton sot Hitlerin ndryshe nga vitet e shkuara. Ai konstaton një shtim të mënyrave të trajtimit të Hitlerit me ironi, por edhe duke e paraqitur atë si të parëndësishëm. Këto ndryshime korrespondojnë me ndryshimin e brezave, thotë ai.

"Brezi që e përjetoi në fakt nacionalsocializmin tani nuk përfaqësohet kaq fort në jetën publike. Brezat që nuk e përjetuan Hitlerin drejtpërdrejt kanë një raport tjetër me këtë çështje", thotë Thameri.

Por këto ndryshime qendrimi nuk e bënë më të lehtë detyrën e Muzeut. Kujdes i madh iu kushtua faktit që ekspozita të mos kalojë në asnjë mënyrë në nderim të Hitlerit, thotë drejtori i ekspozitës dhe bordi drejtues i muzeut. Kjo do të thotë, që u refuzua ekspozimi i një numri objektesh, duke përfshirë uniformat e Hitlerit dhe sende të tjera personale të tij, të cilat nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë ne raportin midis Hitlerit dhe popullit gjerman nën nacionalsocializëm.

"Për ekspozitën ne synojmë të shmangim krijimin e përshtypjes së magjepsjes me Hitlerin, dhe përfshirja e sendeve personale e hapte rrugën për atë rrezik", tha drejtorja e Muzeut, Simone Erpel në një intervistë me agjencinë e lajmeve, dapd.

Letra loje »Kuarteti udhëheqës« Berlin, 1934
Letra loje »Kuarteti udhëheqës« Berlin, 1934Fotografi: Sebastian Ahlers

Frikë nga kurajoja vetjake

Fokusi tek diktatori, i cili e dallon "Hitlerin dhe gjermanët" nga ekspozitat e panumërta, që janë hapur në Gjermani për Holokaustin dhe epokën naziste, ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave gjermane. Revista "Der Spiegel" përshkruante "frikën e konsiderueshme", e cila kishte dalë në pah gjatë përgatitjeve për ngjarjen, "frikën nga kurajoja vetjake" shkruhej më tej.

Autor: Greg Wiser/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama