1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ekonomistët përgjysmojnë rritjen ekonomike në Gjermani për 2013

Eliana Xhani11 Tetor 2012

Sipas instituteve kryesore të studimeve ekonomike në Gjermani, rënia e ritmeve të rritjes në ekonominë botërore dhe kriza e euros, rëndojnë më shumë nga sa pritej në motorin gjerman të rritjes, eksportet.

https://p.dw.com/p/16NqF
Krise Streichholz Symbolbild Europa in Flammen, Griechenland, Island, Spanien, Portugal, Irland, Italien. Stauke - Fotolia
Fotografi: Fotolia/Stauke

Ekonomia gjermane vitin e ardhshëm do të rritet më ngadalë nga sa ishte parashikuar. Institutet kryesore studimore në Gjermani në ekspertizën e tyre të vjeshtës i kanë përgjysmuar parashikimet e tyre për rritjen ekonomike në 2013 dhe presin tani një rritje prej vetëm 1 për qind.

Në pranverë ishte parashikuar një rritje prej 2 për qind. Këtë vit ekonomistët presin një rritje të produktit të brendshëm bruto prej 0,8 për qind, shifër e afërt me parashikimin e pranverës prej 0,9 për qind. Pasiguria për zhvillimet e ardhshme në krizën e borxheve në Evropë si dhe errësimi i perspektivës për ekonominë botërore, janë për ekspertët shkaqet kryesore për uljen e parashikimeve për Gjermaninë.

Eurozona po rrëshqet në recesion

"Aktualisht ka shumë sinjale që flasin për dobësim të ekspansionit ekonomik rreth fundit të vitit". Ekonomia për pasojë "do të hyjë në vitin e ri me një dinamikë më të dobët", shkruajnë studiuesit e institutit Ifo në Mynih, të institutit të Kieli-it për Ekonominë Botërore (IfW), Institutit për Studime Ekonomike të Rinit-Vestfalisë (RWI) dhe të Institutit për Studime Ekonomike në Halle (IWH).

Iran Werft am persischen Golf
Fotografi: FARS

Situata e Gjermanisë është megjithatë më e mirë se e partnerëve të tjerë në eurozonë. Për të gjithë zonën e euros ekspertët parashikojnë një tkurrje të ekonomisë në 2012 dhe për 2013 presin një rritje minimale prej 0,1 për qind.

Ulja e shifrave të rritjes argumentohet nga ekspertët para së gjithash me krizën e borxheve në eurozonë, e cila ka si pasojë uljen e eksporteve gjermane në hapësirën e monedhës së përbashkët. Edhe dobësimi i ekonomisë kineze është problematik për sipërmarrjet eksportuese gjermane.