Ekonomia e BE-së në gjendje të vështirë
26 Tetor 2014Ishte një shfaqje mjeshtërore ajo e kryeministrit britanik para shtypit në përfundim të samitit të BE-së. Si publik David Cameron kishte pa dyshim parasysh qytetarët britanikë. Në një kreshendo teatrale të përsosur ai luajti rolin e "Angry Dave", pasi fillimisht përshëndeti sukseset e takimit në mbrojtjen e klimës dhe në ndihmën për luftimin e Ebolas.
Por dy miliardë eurot e kërkuara nga Komisioni i BE-së pas rillogartijes së kontributeve vjetore për buxhetin evropiane ai i quajti thjesht të papranueshme.
Kjo është një llogari krejt e pajusitifikuar, kritikoi kryeministri, nuk është e mundur që papritur të paraqitet një faturë e tillë e cila duhet paguar në 1 dhjetor. "Si kanë arritur tek kjo shifër?", pyeti Cameron dhe shtoi se nuk i shkon aspak nëpër mend të paguajë këtë faturë nga Brukseli. Të gjitha këto shërbejnë për të qetësuar skeptikët ndaj Evropës në Britaninë e Madhe sepse pas kësaj fature qendron një procedurë rutinë, me të cilën çdo vit rillogaritet kontributi i vendeve anëtare në buxhetin e BE-së në varësi të situatës së tyre ekonomike.
Kështu Gjermania këtë vit mund të gëzohet për kthimin e rreth 750 milionë eurove, ndërsa të tjerë si Holanda duhet të paguajnë më shumë nga sa kanë derdhur deri tani. Presidenti në largim i Komisionit Jose Manuel Barroso u habit nga reagimi britanik: britanikët e kanë miratuar këtë procedurë llogaritjeje, madje kishin kundërshtuar një ndryshim të planifikuar të saj dhe shifrat për ekonominë, të cilat janë baza e përllogaritjes, i kanë raportuar vetë në Bruksel. Veç kësaj në këto konsultime kanë të pranishëm edhe përfaqësues të vendeve anëtare. Pra Londra nuk kishte pse të habitej. Por David Cameron përfitoi nga rasti për të shfaqur një dramë të vërtetë.
Italia dhe Franca dhe më tej në fokus të kritikave
Pak mirëkuptim tregoi madje edhe kancelarja Merkel për zemërimin e homologut të saj: "Nuk është e thjeshtë të paguash dy miliardë euro brenda tri javësh kur je në mes të planifikimit të buxhetit." Angela Merkel u tregua e kujdesshme të mos përmendte që britanikavë u mungojnë paratë pasi edhe pse ekonomia shkon më mirë, të ardhurat fiskale janë të ulëta. Rritja ekonomike në ishull ka krijuar vërtet shumë vende pune, por në pjesën më të madhe bëhet fjalë për punë të paguara pak, të cilat nuk sjellin thuajse asgjë në arkat e shtetit. Situata ekonomike në pjesën tjetër të Evropës "nuk është e thejshtë" pranoi kancelarja. Ka shumë papunësi dhe rritja ekonomike nuk është e mjaftueshme, pra duhet të merren masa për përmirësimin e rritjes ekonomike, për krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e aftësisë konkurruese.
Merkel tërhoqi kështu vëmendjen për situatën në Itali dhe në veçanti në Francë. Parisi ka gati një vit që është në qendër të kritikave p.sh. të shefit të Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi për mungesën e zellit për reforma. Sa i takon përmirësimitt ë situatës, ky takim mbeti në terma të përgjithshëm. Vendime të tjera u shtynë për samitin e ardhshëm në dhjetor. Vetëm paketa për investime prej 300 miliardë eurosh që duhet të koordinohet nga Presidenti i ri i Komisionit Jean-Claude Juncker u miratua si fillim. Merkel tha se shpreson që nga kjo paketë do të vihen në dispozicion në radhë të parë mjete për përmirësimin e infrastrukturës digjitale dhe për kualifimin në profesione të së ardhmes.
Zënka vazhdon
Presidenti francez François Hollance pas takimit përsërit se si e përfytyton debatin e mëtejshëm me Komisionin e BE-së për planbuxhetin e vendit të tij: ne do të tregojmë se i respektojmë marrëveshjet dhe i interepretojmë me maksimumin e fleksibilitetit. Ai e mbrojti borxhin e ri prej 4,3 për qind që bie ndesh me paktin evropian të stabilitetit dhe për kritikën ndaj përpjekjeve të tij për reforma tha vetëm se Franca ka bërë atë që duhej të bënte.
Si sukses të samitit kancelarja Merkel nënvizoi krahas kompromisit për klimën edhe një herë shtimin e mjeteve financiare për luftimin e Ebolas. U caktua një i ngarkuar për koordinimin e masave të ndihmës dhe ndihmat u shtuan në një miliard euro. "Luftimi i kësaj epidemie të tmerrshme është prioriteti më i lartë" tha Merkel dhe shtoi se Gjermania është e gatshme të vërë në dispozicion edhe mjete te tjera nëse do të jetë e nevojshme.