Edhe homoseksualëve duhet t'u lejohet të dhurojnë gjak
1 Korrik 2013Në Gjermani janë të nevojshme 15.000 dhurime gjaku për të përmbushur nevojat e vetëm një dite. Për këtë arsye mjekët dhe organizatat bamirëse janë mirënjohëse për çdo vullnetar që do të dhurojë gjak.
Dhurues pa rreziqe
Megjithatë njerëzve që konsiderohen si pjesëtarë grupesh të caktuara rreziku, nuk u lejohet të dhurojnë gjak. Ndër ta bëjnë pjesë narkomanët, konsumatorët e drogave, prostitutat dhe "MSM"-të, siç quhen në zhargonin shkencor: meshkujt që kanë marrëdhënie seksuale me meshkuj. Sipas mendimit të shkencëtarëve këto grupe përfaqësojnë rrezik të shtuar për të qenë të infektuar me hepatit ose me SIDE/AIDS.
Para se dikush të dhurojë gjak, duhet të mbushë një pyetësor, ku ka edhe pyetje nëse personi bën pjesë apo jo në grupet me rrezikshmëri të shtuar. Megjithatë askush nuk e kontrollon dot nëse formulari është plotësuar me sinqeritet. "Ne duhet të shpresojmë për ndershmërinë e popullit," thotë Hartmut Mësges, mjek në një repart për transfuzionin e gjakut të Kryqit të Kuq Gjerman në Këln. Çdo ditë aty vijnë rreth 25-50 dhurues gjaku, por ata nuk mjaftojnë.
"Me një analizë gjaku mund ta zbulosh shpejt ndonjë infeksion tek gjaku i dhuruesit, por mes infektimit dhe mundësisë për ta hetuar atë ka një boshllëk diagnostik që zgjat deri në 24 orë." - thotë Hartmut Mësges për Deutschen Wellen. Prandaj ne u kërkojmë dhuruesve të jenë të sinqertë në lidhje me hollësitë që kërkohen në pyetsor. Hartmut Mësges punon prej vitesh si mjek dhe mendon se përjashtimi i homoseksualëve nga dhurimi i gjakut është një veprim i drejtë: "Nga praktika ime si mjek unë e di se rreziku i infektimit me HIV ndër meshkuj homoseksualë është shumë më i lartë se ndër ata johomoseksualë. Statistikat flasin në këtë mes një gjuhë të qartë. "
Mesazh i gabuar
Martin Pfarr, anëtar i Shoqatës gjermane të lesbikeve dhe homoseksualëve përjashtimi i homoseksualëve nga e drejta e dhurimit të gjakut është diskriminim. Sipas tij ka meshkuj dhe femra heteroseksuale që bëjnë një jetë seksuale më të shthurur dhe të mbushur me rreziqe se sa ata meshkuj homoseksualë, që jetojnë në marrëdhënie monogame afatagjata. Çështja është jo nëse dikush është apo jo gay, por nëse njerëzit praktikojnë apo jo seks të sigurt. "Nëse i hedhim të gjithë në një kandar mund të thuhet vërtetë se përqindja e infektimit të gay-ve me HIV është më e lartë. Por kjo nuk është e drejtë për çdo rast të veçantë dhe për të gjithë." - thotë Martin Pfarr.
Edhe Urdhëri federal i Mjekëve në Berlin hodhi në qeshor idenë për ripërcaktimin e grupeve që konsiderohen si të rrezikshme dhe që përjashtohen nga dhurimi i gjakut. Sipas këtij propozimi personat e këtyre grupeve, që për një kohë të caktuar kanë pasur seks të sigurt, mund të lejohen të dhurojnë gjak.
Rregullat e BE-së nuk i përjashtojnë homoseksualët
Peter Liese, mjek dhe eurodeputet i CDU-së, sqaron se "Në rregulloren evropiane thuhet se 'personat sjellja seksuale e të cilëve përbën një rrezik të lartë për sëmundje të rënda infektive që transmetohen përmes gjakut', nuk lejohet të dhurojnë." Pra aty nuk përdoret formulimi që përdoret p.sh. në rregulloret gjermane, si "meshkujt që bëjnë seks me meshkuj".
Komisioneri i BE-së për Shëndetin, Tonio Borg, u ka bërë thirrje shteteve anëtare që në nëntor 2012 që në interpretimin kombëtar të rregullave të BE-së të mos jenë diskriminues dhe që ta heqin nga pyetsorët për dhuruesit e gjakut, pyetjen nëse ata janë apo jo gay.
"Një numër vendesh si Portugalia, Suedia dhe Italia nuk kanë asnjë pyetje të drejtpërdrejtë nëse një mashkull ka seks me meshkuj. Kjo sepse rreziku vjen nga sjelljet e rrezikshme seksuale - dhe të tilla ndeshen edhe tek heteroseksualët." - tha për DW mjeku dhe eurodeputet i CDU-së, Peter Liese.