E qetë dhe e përmallur - Fjoralba Turku prezanton albumin e saj të dytë në Mynih
13 Dhjetor 2011
“Kjo është një këngë që e kam shumë për zemër...” , thotë këngëtarja në skenë. Është numri i katërt në repertorin e Fjoralba Turkut. Kënga e dytë shqiptare. E vetmja jopopullore. “E ka kënduar një këngëtare e madhe shqiptare që jeton në Zvicër, Vaçe Zela, idhulli i shumë muzikantëve shqiptare”. Një fije ngazëllimi depërton mbi zërin e saj zakonisht të përmbajtur. “Valsi i lumturisë e ka titullin”. Fjoralba Turku e thotë këtë me një përkujdesje që të kujton dikë që prezanton një bizhuteri të çmuar nga trashëgimia familjare.
Salla në “Jazzclub Unterfahrt” të Mynihut është plot me njerëz. Të rehatuar nëpër karriget dhe stolat e bodrumit me nga një gotë përpara, ata presin me kureshtje dashamirëse të dëgjojnë se si tingëllon një këngë shqiptare e muzikës së lehtë. Vetëm njëri është pak i shqetësuar: Violinisti dhe mësuesi i muzikës, Fagu Turku, ish-koleg i këngëtares së madhe shqiptare dhe babai i Fjoralbaës. Muzikë. Një intro me piano, mbi të cilin hyn me butësinë e një ninulle zëri i këngëtares, la-la-ja euforike mungon, shthurje e melodisë nga pianoja, rithurje në tingujt e ngrohtë të kontrabasit, sërish zëri me ngjyrën e veçantë..... “Bravo!” dëgjohet në fund nga salla. Duartrokitje. I ati është i lehtësuar dhe i prekur.
"Një emër që duhet mbajtur mend"
Nëntë vjeçe ishte Fjoralba Turku kur u largua nga Shqipëria për t'iu bashkuar familjes në Mynih, por afiniteti i saj me muzikën shqiptare është i madh. Si në albumin e parë (Joshua, 2010) ashtu edhe në këtë të dytin “Serene” kënga shqiptare zë një vend të madh.
“Unë përpiqem ta shoh muzikën shqiptare me një shikim të ri. Gjej atë që më prek dhe provoj t'i jap diçka të veçantë nga vetja ime”, thotë këngëtarja 28vjeçare.
Kanë kaluar vetëm katër vjet që kur, për të thyer monotoninë pas lindjes së të birit, ajo hyri për herë të parë në një kurs kënge te kitaristi dhe kompozitori nga Nju Jorku Geoff Godman. Pastaj ngjarjet u rrokullisën në favor të saj: Filloi bashkëpunimi me Godmanin, hyri në shkollën e lartë trevjeçare të xhazit në Mynih dhe mes koncerteve të shumta nëpër Evropë arriti të nxirrte edhe dy albume solo. I pari, i titulluar Joshua (sipas të birit) i solli këngëtares shqiptare “që i jep çdo kënge një ngjyrë të vetën” (KulturSpiegel) shumë lavdërime nga kritika. “Ky është një emër që patjetër duhet mbajtur mend” – do të shkruante në shkurt 2010 revista “Jazzthing”.
Nostalgji për Shqipërinë
Fjoralba Turku nuk ua mundoi shumë kujtesën frekuentuesve të xhazit. As dy vjet nuk kanë kaluar dhe ajo ka dalë tani me albumin e saj të ri: Serene (E qetë). E qetë dhe sigurt në vetvete është ajo në skenë, e veshur me fustan të zi mbrëmjeje dhe këmbëzbathur, tek prezanton këngët. “Unë tani e përdor zërin tim si një vegël muzikore”, thotë në intervistë. Mbas saj, si aranzhues, kompozitor dhe kontrabasist, një profesionist i vjetër: braziliani Paolo Cardoso, që prej 20 vjetësh docent në konservatorin Richard Strauss të Mynihut. Edhe pianisti izraelit Tal Balshai, xhezisti Jonas Burgwinkel dhe saksofonisti Florian Trübasch janë instrumentistë të njohur në skenën gjermane të xhazit.
Thuajse gjysmën e këngëve ajo i ka kompozuar vetë. Ato tregojnë nga njëra anë pjekjen profesionale të muzikantes së re, e nga ana tjetër hapin një dritare në botën e brendshme të saj: Atë e përshkon një përmallim romantik për kohërat e vjetra dhe vendet e largëta që ndihet në dy kompozimet e poezive të Bajronit “There Be None of Beauty's Daughters” dhe “She Walks In Beauty“ ose në këngët “Marrakech” dhe “Purple Song” që janë frymëzuar nga atmosfera vibruese e “medina”-ve të Marrokut e nga bossa braziliane. Me nostalgji ajo shikon edhe kohërat e fëmijërisë në Shqipëri: “Sido që këtu jam rritur dhe socializuar, këtu kam shoqërinë e familjen, prapëseprapë ndjej se më mungon diçka, sidomos kur vjen dimri, që këtu është tepër i gjatë e i ftohtë”, ka thënë dikur Fjoralba . “Të japë një koncert në Shqipëri”, kjo është dëshira më e madhe e saj për momentin. Gjithsesi ajo mund të realizohet vetëm pasi të ketë kaluar ky dimër, i cili është rezervuar rastësisht për një vend më të ftohtë se Gjermania: Kandaja ku ajo do të fillojë turneun që në janar 2012.
Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Aida Cama