1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Informacione nga qeveria gjermane mbi Serbinë e Kosovën

LA/DW5 Maj 2016

Qeveria gjermane i përgjigjet një kërkese me shkrim të disa deputetëve të Majtë të Bundestagut mbi Serbinë, marrëdhënien e saj me Kosovën, Bashkimin Europian dhe NATO-n, si edhe bashkëpunimin ushtarak serbo-rus.

https://p.dw.com/p/1Iiaq
Deutschland Plenarsaal Bundestag
Fotografi: picture-alliance/Sven Simon/A. Hilse

Një grup deputetësh gjermanë të partisë së Majtë, deputetja Sevim Dagdelen, Wolfgang Gehrcke, Heike Hänsel, Kathrin Vogler, Andrej Hunko, Niema Movassat, në emër të grupit tyre parlamentar në Bundestag i kanë drejtuar një kërkesë me shkrim qeverisë gjermane për informim me titull: "Kandidati i BE-së, Serbia dhe NATO". Në një përgjigje 18-faqëshe , të cilën Deutsche Welle e ka ekskluzivisht, qeveria gjermane prononcohet mbi qëndrimet e saj ndaj Serbisë, marrëdhënien e kandidatit të BE-së me Kosovën dhe aleancën veriore-atlantike, por edhe mbi bashkëpunimin ushtarak serbo-rus.

Negociatat me Serbinë përfundojnë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën

Deputetët e Majtë gjermanë kërkojnë të informohen nga qeveria gjermane mbi ndikimin që ka tek negociatat nga njëra anë mosnjohja e Kosovës dhe nga ana tjetër dëshira për pranim e Serbisë në BE. Ata pyesin se sa qëndron sipas qeverisë gjermane shtjellimi i mëposhtëm, se me hapjen e kapitullit 35 të negociatave të pranimit ku bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, nuk kërkohet drejtpërdrejt njohja e Kosovës, por hapa që duhet të bëjë Serbia, të cilat jo-drejtpërdrejt çojnë në pranimin e Kosovës si shtet i pavarur.

Për qeverinë e koalicionit me bazë të gjerë, është e qartë, kjo vihet re në përgjigje se "marrëveshja e negociimit e Serbisë me BE-në e vulosur në janar 2014 kërkon që deri në fund të negociatave të kemi një normalizim të zgjeruar të marrëdhënieve Serbi-Kosovë, në formën e një marrëveshjeje me fuqi ligjore. Por nuk kërkohet njohja e Kosovës nga ana e Serbisë", bën të qartë qeveria gjermane. Qeveria gjermane konfirmon se Serbia e refuzon momentalisht njohjen e Kosovës.

Sevim Dagdelen MdB Die Linke
Deputetja e Partisë së Majtë, Sevim Dagdelen kërkon nga qeveria informacione mbi marrëdhënien e Serbisë me Kosovën, BE-në, NATO-n dhe RusinëFotografi: picture-alliance/dpa/K. Schindler

Bashkëpunimi NATO Serbi

E Majta gjermane kërkon të dijë nëse qeveria gjermane ka dijeni (ndoshta edhe të shërbimeve sekrete) mbi vlerësimin e qeverisë serbe për gatishmërinë ruse që ta ndihmojë në mënyrë të vazhdueshme vendin ballkanik përtej çështjes së Kosovës. Përgjigja e qeverisë gjermane është se nuk ka njohuri të sigurta mbi qëndrimin e udhëheqjes serbe në këtë drejtim.

Për deputetë e Majtë gjermanë një çështje me mjaft interes është qëndrimi i Serbisë ndaj NATO-s, sidomos në kompleksitetin e neutralitetit serb dhe marrëveshjeve ushtarake me Rusinë. E Majta kërkon të dijë nëse është e vërtetë sipas njohurive të qeverisë gjermane se më shumë se dy të tretat e serbëve nuk e duan anëtarësimin në NATO dhe se për këtë në marrëveshjen e Serbi-NATO, e njohur si Plani Individual i Aksionit për Partneritet (IPAP), qëndron e përcaktuar edhe fillimi i një fushate propagandistike për NATO-n?

Qeveria gjermane në përgjigjen e saj pranon se në bazë të sondazheve të ndryshme, pjesa e serbëve që janë kundër një anëtarësimi në NATO lëviz në kuadrin e përmendur nga e Majta. Por ajo thekson se "çështja e anëtarësimit nuk luan rol në IPAP. Plani i Partneritetit vetëm se përcakton kuadrin e bashkëpunimit mes Serbisë e NATO-s. Këtu bën pjesë që në kuadër të marrëdhënieve me publikun, që të ketë informim mbi politikën serbe të sigurisë e mbrojtjes, përfshirë edhe bashkëpunimin me NATO-n. Kjo është e njohur në marrëveshjet e NATO-s me vendet partnere." Po ashtu e Majta pyet, nëse është qëllim i qeverisë gjermane të fitojë Serbinë për NATO-n. Qeveria përgjigjet këtu, se Gjermania ndjek politikën e afrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor me BE dhe NATO-n, por thekson se intensiteti e formësimi i marrëdhënieve me NATO-n varet nga vullneti politik i Serbisë.

Serbien Anti-Terror-Übung mit Russland
Manovër e përbashkët antiterrori, Serbi-Rusi në vitin 2014Fotografi: Beta

Bashkëpunimi Serbi - Rusi

Edhe qëndrimi i presidentit serb, Tomislav Nikolic mbi marrëdhënien Serbi-Rusi përbën interes për deputetët e Majtë. Ata kërkojnë të dinë, nëse qeveria gjermane e ndan qëndrimin e presidentit Nikolic, se një bashkëpunim i përmirësuar ushtarak serbo-rus, nuk bie ndesh me ambiciet europiane të Serbisë. Përgjigja e qeverisë gjermane lë të kuptohet se në ç'drejtim duhet të shkojë politika serbe e jashtme dhe e sigurisë. "Qeveria gjermane nuk e konfirmon se ka një bashkëpunim të përmirësuar ushtarak mes Rusisë-e Serbisë, po ashtu nuk e njeh deklaratën konkrete të presidentit Nikolic, së cilës i referohet Huffington Post. Parimisht një bashkëpunim me Rusinë, edhe në sferën ushtarake nuk bie ndesh me anëtarësimin në BE. Megjithatë Serbia si vend kandidat ka marrë përsipër detyrimin që të përshtasë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë deri në anëtaresim me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë në BE."

Këmbëngulja e deputetëve të së Majtës gjermane për të marrë informata me shkrim nga qeveria gjermane mbi Serbinë dhe marrëdhënien me Rusinë vazhdon me pyetje të detajuara mbi pjesëmarrjen e Serbisë në manovrat ushtarake ruse dhe kohën kur ato janë zhvilluar. E Majta kërkon të dijë edhe se në cilat manovra ruse do të marrë pjesë Serbia në vitin 2016, e madje me çfarë forcash ushtarake. "Sipas dijenive të qeverisë gjermane, Serbia planifikon në vitin 2016 pjesëmarrjen në trajnimin "Slavyanskoye Bratstvo 2016" në Serbi në shtator 2016, me trupa të krahasueshme me manovrën e vitit 2015."

E Majta ka kërkuar të dijë edhe se sa dijeni ka qeveria gjermane mbi aktivitetet e qendrës humanitare ruse në Nish. Përgjigja e qeverisë gjermane mbi këtë është e përgjithshme. "Sipas njohurive të qeverisë gjermane, qendra humanitare në Nish drejtohet së bashku nga Serbia dhe Rusia. Qendra ka një drejtor serb dhe një bashkëdrejtor rus. Rreth 35 vetë përbëjnë trupën civile të rregullt. Gjysma e tyre janë shtetas rusë- Qendra është ndërrajonale dhe përgjegjëse për koordinimin e misioneve të ndihmës në raste katastrofash."