1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E ardhmja u takon librave elektronikë

13 Tetor 2011

Aktualisht qëndron i hapur në Frankfurt Panairi i 63 Ndërkombëtar i librit. Këtë radhë pjesëmarrja është më e vogël dhe stendat më të bollshme. Shkak është se gjithnjë e më shumë botues orientohen nga tregu elektronik.

https://p.dw.com/p/12rTT
Kindle Fire -minikompjuter i specializuar për leximin e librave elektronikë
Kindle Fire -minikompjuter i specializuar për leximin e librave elektronikëFotografi: AP

Kiendle quhet biblioteka e Andrejt. Ajo është vetëm sa pëllëmba e dorës: e vogël, por me kapacitet të madh. Deri në 1000 tituj librash mund të stivohen në raftet digjitale të minikompjuterit të specializuar për leximin e librave elektronikë. Andrej ka disa dhjetëra, shumica janë libra beletristike, por vetëm shumë pak prej tyre i ka blerë: Të tjerat i ka shkarkuar në internet nga një platformë piratësh. “Unë jam student, por kur të filloj punën do t'i blej librat”, justifikohet 25 vjeçari nga Sllovenia.

Dëme nga pirateria e librave në internet

Pirateria në internet është një nga problemet më të mëdha të tregtarëve dhe botuesve. Rreth 60 për qind e librave elektronikë aktualisht shkarkohen në mënyrë ilegale, thotë kryetari i Shoqatës së Librarëve Gjermanë, Gottfried Honnefelder. E megjithatë ekspertët nuk kanë asnjë pikë dyshimi që “e ardhmja është në multimedia”.

Juergen Boos, drejtori i Panairit të Frankfurtit, nuk është i vetmi që e thotë këtë. Edhe shifrat flasin një gjuhë shumë të qartë: Vetëm këtë vit xhiroja me të ashtuquajturat e-books pritet të trefishohet, siç parashikohet në një studim të kompanisë këshilluese Pricewaterhouse Coopers.

Deri në vitin 2015 xhiroja me librat elektronikë pritet të arrijë në 255 millionë euro në vit, kjo do të thotë një rritje me nga 52 përqind në vit, ndërsa për tregun e librit të shtypur parashikohet një rritje prej 1,2 përqind 10,25 miliardë euro.

Edvin Bega nga Botimpex me një mysafire në stendën e tij.
Edvin Bega nga Botimpex me një mysafire në stendën e tij.Fotografi: DW/Anila Shuka
Besian Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve në Kosovë.
Besian Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve në Kosovë.Fotografi: DW/Anila Shuka

Tregu i e-books në Gjermani ka potencial rritjeje

Në Gjermani segmenti i librave elektronikë është ende i vogël, por zhvillimi i aparateve të reja elektronike (e-reader) dhe kompjuterave tablet (ipad) kanë bërë që interesimi të rritet me hapa të mëdha, bëhet e ditur në të njëjtin studim. Panairi i Frankfurtit i ka kujtuar kësaj teme një sërë konferencash dhe takimesh. Edhe Frankfurt Academy ka reaguar duke ftuar në seminaret e saj me editorët e rinj personalitete si David Naggar nga Amazon apo Mitch Joel nga Twist Image.

Botuesi i Onufrit, Bujar Hudhri.
Botuesi i Onufrit, Bujar Hudhri.Fotografi: DW/Anila Shuka

Në hapësirën shqipfolëse ky segment ende nuk ka filluar të zërë vend. Në Kosovë kërkesa për librin elektronik është ende e vogël, thotë Besian Zeneli, kryetar i Shoqatës së Botuesve. Në Shqipëri interesimi duket të jetë më i madh, sipas tregtuesve, por mungon interesimi i botuesve për investim. “Por edhe Shqipëria së shpejti do t'i bashkohet këtij trendi,”është i bindur botuesi i Onufrit, Bujar Hudhri.

Autore: Anila Shuka / Frankfurt

Redaktoi: E. Xhani