Burg për politikanin opozitar rus Navalny
18 Korrik 2013Në një proces gjyqsor të zhvilluar në qytetin Kirov të Rusisë, trupi gjykues e shpallli politikanin opozitar Alexej Navalny-n fajtor për faktin se gjatë kohës së tij si këshilltar i guvernatorit liberal të rajonit të Kirovit në vitin 2009, ka mashtruar për përvetësim personal një firmë shtetërore druri me 400.000 euro. Gjykatësi Sergej Blinov tha se “provat e paraqitura në gjykatë ishin të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se Navalny kishte përfituar shuma të rëndësishme nga mashtrimi i një kompanie druri”. Prokuroria kishte kërkuar gjashtë vjet burg për liderin e opizitës ruse. Vetë Navalny i hodhi poshtë akuzat duke e quajtur gjithë procesin një skenim politik.
37 vjeçari ishte pranuar madje të mërkurën si kandidat për garën për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë së Moskës. Por tashmë dënimi do ta pengojë atë që të konkurrojë në zgjedhjet lokale në kryeqytetin rus në muajin shtator. Navalny u bë tepër i njohur në protestat kundër parregullsive në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2012 që zgjatën me ditë të tëra në mbarë vendin. Ai e ka akuzuar pushtetin e Moskës dhe gjyqësorin si “pjesët më të kalbura” të shtetit rus. Navalny është një prej figurave kryesore të opozitës ruse dhe një nga rivalët kryesorë të Putinit. Si një bloger, Navalny ishte bërë i njohur po ashtu prej vitit 2007 për shkak të hulumtimeve kritike për praktikat e dyshimta të biznesit në koncernet e mëdha ruse.