Dy parti shqiptare ndajnë pushtetin në 4 komunat e veriut
24 Prill 2023Me një pjesëmarrje shumë të ulët dhe bojkotim nga ana e partive politike serbe u zhvilluan zgjedhjet për kryetar të komunave në katër komuna të veriu të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm 1 mijë e 567 qytetarë, apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar e hodhën votën e tyre. Megjithë këtë pjesëmarrje kaq të ulët, procesi i zgjedhjeve cilësohet "legjitim". Komunat veriore me shumicë serbe kanë tanimë 4 kryetarë të zgjedhur. Sipas rezultateve paraprake, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, është fitues në Leposaviq me 73.5 për qind të votave, apo 100 vota gjithsej. Kandidati i tjetër i VV, për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Në Zubin Potok, fitoi Izmir Zeqiri, nga Partia Demokratike e Kosovës me 52.1 për qind të votave, apo 196 vota. Dhe në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës me 60 për qind të votave apo 114 vota. Vetëm një kandidate në Zveçan ishte serbe, Sllagjana Pantoviç.
Reagime ndërkombëtare pas zgjedhjeve
Megjithë bojkotimin masiv që ju bë zgjedhjeve në veri nga serbët dhe partitë politike serbe, Ambasada Amerikane në Prishtinë, tha se "zgjedhjet në veri janë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës”. "Mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t'u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullsisë së cilës i shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatën zyrtare të ambasadës amerikane.
Kurse Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, nga ana e tij, tha se dalja e ulët në zgjedhjet në veri, nuk i kontribuon zgjidhjes politike dhe se atij i vjen keq që jo të gjitha partitë morën pjesë në zgjedhje. "Zgjedhjet me kaq pak votues nuk i kontribuojnë zgjidhjes politike. Megjithatë, pozitive ishte profesionalizmi i treguar nga autoritetet e rendit në Kosovë dhe ato ndërkombëtare”.
Vuçiq bën fjalë për zgjedhje pushtuese
Pas zgjedhjeve në veri të Kosovës reagoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai i cilësoi zgjedhjet si "pushtuese”, ndërsa kryeministrja serbe, Ana Brnabiç, duke postuar fotografi të policëve të Kosovës pranë qendrave të votimit, shkroi se "këto janë imazhet që me të vërtetë përshkruajnë sundimin e ligjit” dhe kuptimin e vërtetë të "zgjedhjeve demokratike” në Kosovë të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe vendet e ‘Quin-tit”. Edhe Presidenti Vuçiq dhe kryeministrja Bernabiq, kritikuan ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se "qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Vendet e Quint-tit, nuk e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, që llogaritet subjekti kryesor politik serb në Kosovë, që e ka mbështetjen e Presidentit Vuçiq. Rrjeti i organizatave joqeveritare që vëzhgojnë zgjedhjet, "Demokracia në Veprim”, thanë se "ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”.
Zgjedhje pa incidente
Asnjë incident nuk u shënua gjatë procesit të zgjedhjeve. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, u shpreh i bindur se kryetarët e rinj të komunave në veri të Kosovës, nuk do të kenë probleme në punën e tyre, sepse, siç tha, "ligji do të zbatohet në të gjithë vendin”. E përfaqësues të Listës Srpska, thanë se "nuk do të lejojnë që komunat në veri të Kosovës të udhëhiqen nga ata që "fituan 1 apo 2% të votave”, por, nuk sqaruan se çfarë masash mund të ndërmarrin. Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të shkruar pasi përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës dhanë dorëheqje, për shkak të mospajtimeve që kishin ndaj një vendimi të qeverisë së Kosovës për ri-regjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.