1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zilli Schmidt, sinteca që mbijetoi kampet naziste

Publikuar 22 Tetor 2022Përditësimi i fundit 18 Dhjetor 2023

Gjermania e ka njohur shumë vonë gjenocidin e nazistëve ndaj sintit dhe romëve. Një nga të mbijetuarat, Zilli Schmidt, i ka përmbledhur kujtimet e saj në një libër.

https://p.dw.com/p/4IXj9
 Nachruf auf die Auschwitz- und Holocaust-Überlebende Zilli Schmidt
Fotografi: RomaTrial e.V., Hamze Bytyçi

"Kam qenë në tre kampe. Një prej tyre ishte Aushvic-Birkenau. Kampi që në të vërtet ishte për të vrarë." Zilli Schmidt ishte mbi 90 vjeç, kur filloi të rrëfejë publikisht historinë e persekutimit të saj. Ajo botoi edhe një libër. "Zoti kishte diçka parasysh me mua. Kujtimet e një sinteje." Premtimi i saj ndaj lexuesve. "Për sa kohë të jem, do t'jua rrëfej historinë time deri sa të mbyll sytë dhe të shkoj te Zoti im." E këtë premtim e mbijetuara e Holokaustit e mbajti. Në vitin 2021 ajo u nderua me Kryqin e Meritës së presidentit gjerman për angazhimin e saj kundër urrejtjes, përjashtimit dhe ekstremizmit të djathtë. Kur kreut të bashkisë së Manhaimit që ia dha dekoratën iu desh pak më shumë kohë për ta fiksuar, ajo i tha miqësisht. "Zilli nuk dorëzohet."

Zilli Schmidt nuk u dorëzua asnjëherë. Gruaja e vogël e imët me besim të fortë ishte e bindur se ajo i kishte mbijetuar për një fije terrorit nazist për të rrëfyer më vonë gjenocidin nazist mbi sinti dhe romët. Zilli rrëfente për fëmijërinë e lumtur pas lindjes si Zilli Reichmann në Tyringji, për udhëtimet me familjen dhe ofendimet në shkollë. Në luftë vëllai i saj i shërbente Wehrmachtit. Por kjo nuk e mbrojti familjen nga përndjekja e nazistëve. Ajo bashkë me kushërirat u kap në Straßburg. "Vepra penale: cigane", ishte shënuar nga policia. Nga kampi i parë i përqëndrimit Lety në Bohemi ajo ia doli të arratiset.

Zilli Schmidt në Mannheim gjatë ceremonisë së dorëzimit të Kryqit Federal të Meritës, më 21 janar 2022.
Zilli Schmidt nderohet me Kryqin e MeritësFotografi: VDSR-BW

Me rrezik për jetën

Por në mars 1943, Zilli në moshë të re, u dërgua e para nga familja Reichmann në të ashtuquajturin "kamp i familjeve cigane" në Aushvic-Birkenau. Për të ndihmuar fëmijët dhe të tjerët ajo vidhte patate në kuzhinë, çizme në depo duke rrezikuar edhe jetën. Edhe familja e saj u deportua në Aushvic, bashkë me të bijën Gretel. Aty u përballën me dhunë, me uri, me plumba ndaj fëmijëve të vegjël, vrasje masive. Zilli ishte e vetmja në familje që më 2 gusht 1944 u deportua nga Aushvici në kampin e përqëndrimit Ravensbryk. Aty ajo mësoi se të gjithë të mbeturit në kampin e ashtuquajtur "kampi i ciganëve" ishin vrarë në dhomat e gazit: prindërit, motra Guki me fëmjët, vajza e saj katër vjeçare, Gretel. Vetëm në këtë natë SS-t vranë rreth 4 300 njerëz që qanin dhe bërtisnin, një ditë tmerri e gjenocidit nazist ndaj sinti dhe romëve në Europë.

Gretel, një fotografi bardhezi e një vajze, marrë nga libri i Zilli Schmidt.
Foto e e vajzës, GretelFotografi: Zilli Schmidt/Buch: Gott hat mit mir etwas vorgehabt. Erinnerungen einer deutschen Sinteza

"Rinia nuk ka mësuar ende"

Më 2 gusht 2018, 74 vite me vonë ajo foli për herë të parë publikisht për jetën e saj, për vrasjen e sinti dhe romëve në ceremoninë përkujtimore në Berlin për gjenocidin ndaj sintit dhe romëve. Zilli ishte e gëzuar që kishte shumë të rinj. "Rinia nuk ka mësuar ende, nuk e ka mësuar këtë në shkollë". Nuk ishte e lehtë për Zillin të rrëfente historinë e saj. E mbijetuara vuante nga depresione dhe ëndrra makthi. Në një bisedë me Deutsche Welle në vitin 2020 ajo tha me zë të bindur se detyra ime është të rrëfej, se çfarë kanë bërë nazistët me ne. "Ata u vranë të gjithë në dhomat me gaz, familja ime, të gjithë njerëzit  e mi." Pas lufte gati askush nuk e dinte këtë. Zilli Schmidt nuk e kishte të lehtë pas çlirimit nga nacionalsocializmi në vitin 1945. Ajo luftoi me vite me autoritetet gjermane për "dëmshpërblimin", një kompensim financiar për vuajtjen dhe padrejtësinë e bërë. Pas shumë vitesh luftë burokratike ajo mori pak dëmshpërblim. Vetëm në vitin 1982 Gjermania pranoi përndjekjen raciste kundër pakicës më të madhe europiane.

Zilli Schmidt, duke folur në foltore.
Zilli Schmidt, e mbijetuara e Aushvici, duke mbajtur një fjalim më 2 gusht 2018 në Berlin.Fotografi: M. Priske

Gati një shekull ajo u përball me përvojën e përjashtimit dhe përndjekjes si grua sinte. Në vitin 2020 tha para fëmijëve: "të dashur fëmijë duhet të jeni të fortë", duke shtuar se jetojmë në kohë të këqija, hitlerianët veprojnë. Romeo Franz, sintoja i parë në Parlamentin Europian, edhe atij një pjesë e familjes i është vrarë në Aushvic i dha asaj premtimin se do të angazhohet kundër ekstremizmit djathtist nacionalist dhe anticiganizmit. Vetë Romeo Franz e ka përjetuar diskriminimin si fëmijë kur kthehej nga shkolla dhe e fyenin duke e quajtur "cigan i fëllliqur".

Zilli Schmidt, një grua e thinjur por e gjallë, me syze, me ruaza, e ulur në një kolltuk me lule që shikon me buzëqeshje në kamera.
Zilli Schmidt, vdiq në nëntor 2023 në moshën 90-vjeçare.Fotografi: Markus Mertens

Të mos harrohet se çfarë ka ndodhur me sintit

Zilli Schmidt megjithatë dinte të jetonte dhe e përballonte jetën me shumë humor. "Nuk janë të gjithë nazistë. Ka shumë njerëz të mirë", tha ajo e pyetur se si ia del të jetojë në Gjermani, duke pasur këtë përvojë.  Zilli Schmidt ndërroi jetë në nëntor 2023 në moshën 98-vjeçare në një spital në Mannheim. Librin e saj ajo e ka përfunduar me fjalët. "Dua që bota ta dijë se çfarë ka ndodhur me sintit. Dua të që ta dinë, se çfarë ka ndodhur në kampe, se çfarë kanë bërë me fëmijët. Dua që ta dinë si është të vazhdosh të jetosh edhe kur ke humbur gjithçka që ke dashur. Këtë dua t'ua them, sa të mundem. Dua që njerëzit edhe më vonë të lexojnë dhe të mos harrojnë. Por tani, tani Zilli po i jep fund."