Droga, papunësia, dhuna - si ndihmohen të rinjtë për të qendruar larg tyre
19 Qershor 2008E martë pasdite në vizitë tek të ashtuquajturit 'ndihmësit e rrugës' në qarkun Neukölln, thënë më saktë në Reuterkiez ku ndodhet edhe shkolla Rütli. Një emër që para dy vitesh e gjysëm përfshiu shtypin kombëtar dhe ndërkombëtar, kur mësuesve për shkak të agresivitetit, injorancës dhe mosrespektimit iu desh të propozojnë mbylljen e shkollës. Në këtë qark me një të tretën e banorëve migrantë, një shkallë të lartë të familjeve që jetojnë nga ndihmat sociale dhe shumë problemeve të tjera, pedagogët social të Gangway vizitojnë të rinjtë nëpër sheshe, rrugë dhe oborre të shkollave. Parakusht i rëndësishëm i punës së tyre, thotë Felix Mreiche është krijimi i besimit:
"Ka raste kur për javë të tëra ne dalim nëpër këto sheshe dhe tregojmë praninë tonë, për të rënë në sy të të rinjve, në mënyrë që pastaj të futemi në bisedë me ta. Ne pastaj u sqarojmë atyre se çfarë bëjmë: se nuk punojmë me policinë dhe nuk i lajmërojmë prindëritë e tyre. Ne duam të bëhemi presona të besueshëm për të rinjët dhe tu ndihmojmë atyre në të gjitha gjendjet e mundshme të jetës".
Prej brengave dashurore, çështjes së shkollimit e deri tek mbrojtja nga burgu. Normalisht zgjat pothuajse një gjysëm viti deri sa të jetë fituar një besim i tillë dhe të rinjtë të filojnë të flasin për çështje, të cilat i brengosin ata. Andaj ata luten që gazetarët dhe kurreshtarë të tjerë të mos ngarkojnë të rinjtë me pyetje - raportet e besimit mund të thyhen shumë lehtë. Punëtori social me origjinë turke Çengiz Tariverdio:
"Cilat probleme mbizotërojnë? Temë kryesore është papunësia dhe problematika e alkoolit në familje. Janë këto probleme për të cilat të rinjtë nuk flasin me familjet e tyre, për shkak se familjet e kanë vetë këtë problem. Dhe si pasojë ata dalin në rrugë".
Në Neukölln para së gjithash janë të rinj migrantë për të cilët përkujdesen punëtorët social në rrugë. Ata janë kryesisht me origjinë arabe, turke, kurde, shqiptare apo polake. Por jashtë nuk mbeten as të rinjët gjerman sqaron Anna Schaefis. Problemet kyresore të tyre janë alkoholi dhe propaganda e ekstremizmit të djathtë.
Ndërkaq tek të rinjtë myslimanë problemin kryesor e përbën droga. Për shkak se tradita ua ndalon përdorimin e alkoolit ata marrin Kanabis.
Pika ku të rinjtë migrantë dhe ata gjermanë nuk dallojnë nga njëri-tjetri është dhuna. Dhunën që ata përjetojnë në familjet e tyre e marrin me vete në rrugë. Për shkak se mundësitë e tyre për t'u shprehur verbalisht janë të kufizuara ata e bëjnë këtë me grushta.