Dritë jeshile për zgjedhjen e presidentit në Liban
21 Maj 2008Konflikti i brendshëm politik në Liban duhet të zgjidhet në tryezën e bisedimeve e jo në rrugët e Bejrutit. Pas pesë ditë negociatash intensive qeveria properëndimore dhe opozita e drejtuar nga shiitët e Hizbollahut kanë rënë dakord për një qeveri të unitetit kombëtar dhe një ligj të ri zgjedhor. Kjo i hap rrugë zgjedhjes së gjeneralit të ushtrisë Mishel Syleiman në postin e presidentit të ri të vendit. Posti i presidentit ishte vakant prej nëntorit të vitit të kaluar si pasojë e divergjencave të mëdha partiake. Tensionet e shtuara e sollën para dy javësh Libanin në prag të një lufte të re qytetare.
Shenjat e para për arritjen e një marrëveshjeje u dhanë të martën edhe pse më parë procesi negociator ishin futur në krizë dhe kërcënohej të dështoj. Nën drejtimin e shtetit të Gjirit Persik Katar dhe të Ligës Arabe qeveria libaneze dhe opozita ranë përfundimisht dakord për dy pikë kompromisi: kabineti qeveritar i kryeministrit Siniora i cili mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të zgjerohet edhe me përfaqësues të Hizbollahut dhe aleatëve të saj. Ata do të kenë më tepër se një të tretën e posteve dhe do të kenë kështu të drejtën e vetos. Përveç kësaj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare duhet të hyj në fuqi një ligj i ri zgjedhor.
Hizbollahu nën presion politik
Tema e armatimit të Hizbollahut ishte vendosur që të mos preket gjatë negociatave në Katar me kusht që lidhur me këtë të bisedohet në një të ardhme të afërt në Liban. Milicët shiitë gjatë trazirave të fundit me reth 80 të vdekur përdorën ato kundër popullatës së tyre. Përkundër demonstrimit të fuqisë ushtarake Hizbollahu u fut me këtë hap nën presion politik. Për qeverinë libaneze kompromisi i Katarit përkundër lëshimeve të bëra përbën një sukses. Kjo marrëveshje i siguron asaj mbijetesën dhe kursen Libanin nga një luftë e re qytetare.