Dritë e gjelbër për paratë për Greqinë
14 Dhjetor 2012Për Greqinë po merr fund një odise e gjatë, sikurse tha Komisioneri i BE-së për Çështjet Monetare, Olli Rehn. Presidenti i eurogrupit Jean-Claude Juncker deklaroi pas një nga takimeve më të shkurtra të këshillit të BE-së: "Sot ne kemi dhënë përfundimisht dritën e gjelbër për një pagesë prej 49 miliardë euro për programin e dytë të ndihmës greke". Kreditorët ndërkombëtarë do t'i paguajnë Greqisë së zhytur në borxhe ditët e ardhshme, gati 35 miliardë euro, madje pa kushte të mëtejshme. Në fillim të vitit të ardhshëm atyre do t'u shtohen rreth 15 miliardë euro të tjera. Një pjesë e tyre lidhet me kushte, për shembull me zbatimin e një reforme tatimore. Mbledhja shumë e dobët e tatimeve konsiderohet si një nga dobësitë më të mëdha të administratës greke. Rehn tha se lufta kundër evazionit fiskal dhe shmangies së taksave nuk është e rëndësishme vetëm për financat publike por është edhe një çështje e drejtësisë sociale.
Shpenzime shtesë për fondin e shpëtimit
Në këtë mënyrë ndihmat kapin një shumë totale prej 49 miliardë euro. Kjo pritet të paguhet javët e ardhshme. Më parë ishte diskutuar vetëm për 44 miliardë. Sipas ministrit gjerman të Financave Wolfgang Schäuble rritja shpjegohet me programin për riblerjen e borxhit grek. Prej kësaj varej edhe vendimi i fundit i ministrave të Financave. Sidomos Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, kishte këmbëngulur për një program për riblerjen e borxhit si kusht që të merrte pjesë në ndihmat ndaj Greqisë. Ky program ka përfunduar pak ditë më parë dhe e ka lehtësuar borxhin e Greqisë me 20 miliardë euro. Por ky aksion nuk qe kaq i lehtë: afati u desh të zgjatej me disa ditë. Po ashtu programi është më i shtrenjtë se sa ishte planifikuar fillimisht. Paratë vijnë nga fondi i shpëtimit EFSF.
Lehtësim në samit
Rehn tha se vendimi i eurogrupit u dha fund shumë muajve të gjatë të pasigurisë për Greqinë. "Ky vendim hap rrugën për besim të ri, për investime, rritje ekonomike dhe punësim. Në pranverë shumë vëzhgues qenë të bindur se për shkak të situatës shumë të paparashikueshme politike, loja për Greqinë në eurozonë kishte marrë fund. Por në fund të këtij viti të trazuar u bë e qartë se këto parashikime ogurzeza ishin të gabuara."
Megjithatë Greqia dhe tani nuk duhet të rrijë duarkryq, por duhet të vazhdojë me konsolidimin e saj. Vendimi i fundit është sidoqoftë një lehtësim i madh për drejtuesit e BE-së. Problemet e Greqisë kanë qenë ngarkesë për disa nga takimet e mëparshme. Vendimi i tanishëm së bashku me vendimin e ministrave të Financave të 27 vendeve të BE për mbikëqyrjen bankare, konsiderohen tani një ogur mirë për takimin.