1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dorëheqje masive e serbëve nga institucioinet e Kosovës

8 Nëntor 2022

Kosovë: Vazhdojnë dorëheqjet e serbëve nga institucionet qendrore dhe lokale. Për këto zhvillime, kryeministri Kurti akuzon Beogradin. Vuçiq thotë, se "populli serb në Kosovë nuk do të mbetet pa mbështetjen e Serbisë”.

https://p.dw.com/p/4JAzg
Kosovo Mitrovica
Fotografi: Idro Seferi/DW

Kryeministri Kurti, po akuzon Beogradin zyrtar se ka për qëllim destabilizimin e situatës në Kosovë dhe e gjitha, kjo sipas tij, po ndodh për shkak se Vuçiqi ka refuzuar planin franko-gjerman. Kurti tha, se ai i ka vërejtjet e tij për planin, por, nuk e ka kundërshtuar propozimin.

Po vazhdojnë pa ndalur dorëheqjet e serbëve të Kosovës të përfshirë në institucionet qendrore dhe lokale, situatë kjo që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Këto dorëheqje sipas përfaqësuesve serb, po ndodhin për shkak të një vendimi të qeverisë së Kosovës, e cila megjithë kërkesën për shtyrje të vendimit nga komuniteti ndërkombëtar, nisi zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se deri më 7 nëntor, kanë paraqitur dorëheqjen 461 zyrtarë serbë të rendit nga veriu, 107 policë kufitarë dhe dhjetë hetues policorë. Ata po dorëzojnë armët dhe uniformat. Të hënën (07.11) po ashtu, 10 deputetët e listës Srpska, dorëzuan mandatet e tyre të kuvendit të Kosovës, duke i lënë serbët pa asnjë përfaqësim në kuvend. Natyra e dorëheqjes është e parevokueshme dhe sipas kryetarit të kuvendit Glauk Konjufca, "ata do të zëvëndësohen sipas ligjit për zgjedhjet”. Dorëheqje kanë dhënë edhe gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e administratës nga Mitrovica e veriut. Dorëheqje dhanë edhe katër kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, dhe asambleistët komunal dhe në këto komuna sipas ligjit të zgjedhjeve duhet të organizohen zgjedhje të parakohshme.   

"Këto dorëheqje po vijë nga kërcënimet dhe shantazhet e Serbisë ndaj këtyre zyrtarëve në rast se ata nuk japin dorëheqje”, tha ministri i punëve të brendshme Xhelal Sveҫla.

Plani gjermano-francez

Për të gjitha këto zhvillime, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po akuzon Beogradin. Sipas tij ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që për qëllim kanë destabilizmin e situatës në veri të vendit. Kurti tha, se "kjo po ndodh për shkak se Vuçiqi ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdor pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për ta destabilizuar Kosovën”.

"Për shkak të refuzimit që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin serbët në veri që ende vazhdojnë t'i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje. Pra, Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin", tha kryeministri Albin Kurti në një konferencë për medie. Ai tha se "plani franko-gjerman ka edhe mbështetjen e Brukselit dhe Uashingtonit dhe këtë ai e ka cilësuar "si hap në drejtimin e duhur”, ndonëse nuk tha ta ketë pranuar si të tillë.

"Më 9 shtator, patën ardhur në zyrë tek unë këshilltarët e lartë të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron bashkë me ndërmjetësuesin e njohur Lajçak. Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, modeleve që unë nuk i kam refuzuar dhe kam thënë se janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtjet e mia dhe ua kam thënë edhe atyre, por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozim”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti serb Aleksandër Vuҫiq nga ana e tij, akoma nuk e ka kundërshtuar publikisht planin franko-gjerman, detajet e të cilit ende nuk dihen, por vetëm ka theksuar se këtë plan tashmë e ka parë.  Ndërkaq, lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës ai tha, se "populli serb në Kosovë nuk do të mbetet pa mbështetjen e Serbisë”.

"Pa lëvizje të nxituara, gjithmonë me popullin tonë për të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Kjo është politika që ne ndjekim dhe që e zbatojmë çdo ditë. Ne vazhdojmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, dhe në të njëjtën kohë luftojmë për çdo faktor që mund të sjellë përfitime, të na bëjë më të fortë dhe më të mirë”, shkroi Vuçiq.

Reagon NATO dhe BE

Për zhvillimet në veriun e Kosovës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, diskutoi përmes telefonit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nga të cilët kërkoi që të përmbahen nga përshkallëzimi i situatës.

"U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim të situatës. Dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara. NATO mbetet vigjilente”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

Bashkimi Evropian nga ana tjetër edhe njëherë i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe të shmangin përshkallëzimin e mëtejmë të situatës. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha në Bruksel se "tensionet mes Kosovës dhe Serbisë mund të kenë ndikim negativ në tërë rajonin.

"Prioriteti kryesor tani është depërshkallëzimi i situatës në terren. Ditët e fundit kemi parë  rrezikun e një përshkallëzimi më të madh të situatës, gjë që është duke i vënë në rrezik përpjekjet shumë vjeçare dhe të arriturat deri më tash. Kjo mund të ketë pasoja jo vetëm në Kosovë e Serbi, por, në gjithë rajonin. U bëjmë thirrje të dyja palëve që jenë në nivel të përgjegjësisë dhe të gjejnë zgjidhje evropiane”, tha Stano. Sipas tij, Kosova duhet të shtyjë vendimin për targat dhe e ka për detyrim themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

"Është detyrim i qartë për Kosovën që menjëherë të krijojë ose të ndërmarrë hapa për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ky është obligim ligjor i detyrueshëm i Kosovës dhe mospërmbushja e vazhdueshme jo vetëm që cënon parimin e sundimit të ligjit, por dëmton edhe reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës”, tha Peter Stano. Për këtë çështje, shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, gjatë fundjavës diskutoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq.

"BE-ja dëshiron t'i afrojë Kosovën dhe Serbinë drejt një zgjidhjeje evropiane, t'i ulin tensionet dhe që sa më shpejt të përfshihen në dialog, sepse kjo është e vetmja rrugëdalje nga tensionimi momental”, tha Peter Stano.

Sidoqoftë tash për tash, situata në veriun e Kosovës paraqitet e qetë, nuk është shënuar ndonjë incident, ndonëse tensionet janë të larta. Misioni i KFOR-it është duke monitoruar situatën në veri dhe thonë se KFOR-i është në kontakt të ngushtë me të gjitha autoritetet dhe se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e kësaj force.

"Trupat e KFOR-it po monitorojnë situatën në terren dhe vazhdojnë të zbatojnë mandatin e tyre në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të garantuar një mjedis të sigurt për lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha KFOR-i për mediet lokale. Sipas tyre për trupat paqeruajtëse të NATO-s, është thelbësore që palët të vazhdojnë dialogun "për hir të sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në rajon”.