1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Donald Tusk në Berlin: Afrim mes Polonisë dhe Gjermanisë

12 Shkurt 2024

Kryeministri liberal i Polonisë, Donald Tusk vjen në Berlin për të normalizuar marrëdhënien e dëmtuar polako-gjermane. Sot ai përfaqëson një Poloni me vetëbesim, që nuk do të jetë më vendi i i vogël.

https://p.dw.com/p/4cFeW
Donald Tusk kryeministri polak, para mediave
Kryeministri polak, Donald TuskFotografi: Omar Havana/AP Photo/picture alliance

Vizita e kryeministrit polak në dy kryeqytete europiane brenda një dite është e shkurtër, por me rëndësi të madhe. Donald Tusk takohet të hënën (12.02.2024) në fillim me presidentin francez, Emmanuel Macron e më pas me kancelarin gjerman, Olaf Scholz në Berlin. Për kryeministrin polak vizita në Berlin do të jetë një akt ekuilibrues. Nga njëra anë ai do të riparojë marrëdhënien e dëmtuar me Gjermaninë këto vite, por duhet të ketë kujdes të mos tregojë shumë afërsi me fqinjin perëndimor. Sepse partia nacional-konservatore polake, Ligj dhe Drejtësi, (PiS) e Jaroslaw Kaczynskit, që e ka shpallur Tuskun "agjent gjerman" do të ndjekë çdo hap të Donald Tuskut në parketin politik në Berlin.

Kancelari, Olaf Scholz duke folur në Bundestag
Olaf ScholzFotografi: Liesa Johannssen/REUTERS

Kaczynski: Tusk si Hitleri

Partia e Kaczynskit që e qeverisi Poloninë në tetë vitet e fundit, la pas rrënoja në politikën europiane të Polonisë. Ajo vendosi të ketë lidhje të ngushta ushtarake me SHBA, por partneri i preferuar atëherë ishte Donald Trump, dhe i dëmtoi marrëdhëniet me Francën dhe Gjermaninë. Marrëdhëniet gjermano-polake janë në krizën më të thellë që nga rënia e Perdes së Hekurt. Në fushatën zgjedhore në tetorin e kaluar, PiS madje e shpalli Gjermaninë si rrezikun më të madh për sovranitetin e Polonisë, dhe Tuskun e ktheu në përfaqësues të interesave të huaja, sidomos atyre gjermane.

Pas dështimit në zgjedhje, Kaczynski madje e forcoi retorikën antigjermane. Ai i krahasoi përpjekjet e Donald Tusk për të rivendosur shtetin ligjor në Poloni me metodat e Adolf Hitlerit.

Donald Tusk takon presidentin Zelenski në Kiev, shtrëngim duarsh
Donald Tusk takon presidentin Zelenski në KievFotografi: Ukrainian Presidential Office/SvenSimon/picture alliance

Scholz uron dhe fton, Tusk heziton 

Pas betimit të qeverisë së koalicionit të majtë dhe të qendrës në dhjetor 2023, entuziazmi në Berlin nuk fshihej. Kancelari gjerman e uroi Donald Tusk spontanisht për marrjen e detyrës dhe i ofroi bashkëpunim. "Roli i Polonisë në dhe për Europën është sot më i madh se kurrë", tha Scholz në deklaratën qeveritare dhe shprehu shpresën se Gjermania dhe Polonia do të çojnë përpara "krah për krah" marrëdhëniet bilaterale. Ai shpreson të përshëndesë "në javët e ardhshme" Tusk në Berlin, tha Scholz. Por u deshën të kalojnë gati dy muaj që Tusk të merrte rrugën drejt kryeqytetit gjerman. Procesi i vështirë i marrjes së pushtetit nga Tusk, politika bllokuese e PiS e çuan në rend të dytë politikën e jashtme. Përplasja për mediat dhe hapat e parë për rivendosjen e shtetit ligjor u dukën më të rëndësishme se iniciativat politike.

Por pati edhe arsye të tjera: "Tusk veproi me shumë kujdes kundrejt Gjermanisë, që të mos u japë shkas për sulme kritike populistëve të djathtë", beson Piotr Buras, drejtues i përfaqësisë së Varshavës në Këshillin Europian të Marrëdhënieve të Jashtme, ECFR. Politologu kujon, se Tusk në deklaratën e parë qeveritare nuk e përmendi me asnjë fjalë Gjermaninë. Edhe zgjedhja e vizitave, fillimisht Parisi, pastaj Berlini nuk është e rastësishme, sipas tij.

Ndjenja antigjermane në Poloni

"Tetë vite propagandë antigjermane kanë lënë gjurmë të thella në shoqërinë polake. PiS ka fituar të drejtën e vetme për të interpretuar debatet për Gjermaninë", shpjegon Buras. Prandaj Tusk deri në zgjedhjet europiane të paktën do të jetë i kujdesshëm. "Ai ka nevojë për më shumë kohë". Agnieszka Lada-Konefal, zëvendësdrejtoreshë e Institutit Gjermano-Polak, DPI në Darmstadt thekson se "Tusk është një lloj pengu i retorikës së PiS për Gjermaninë" dhe se pala gjermane e kupton mirë situatën e kreut gjerman të qeverisë. "Berlini nuk tregon as zhgënjim, as padurim dhe as mosbesim", thotë Lada-Konefal. Gjermanët e kanë kuptuar, se nuk duan ta detyrojnë për asgjë Varshavën, dhe se "nuk do ta paraqiten si vëllai i madh që e mëson gjithmonë vëllanë e vogël".

Pas kthesës demokratike në vitin 1989, ministri i parë i Jashtëm jo komunist polak, Krzysztof Skubiszewski kishte bërë thirrje për bashkësinë e interesave gjermano-polake. Më vonë ai bëri fjalë për bashkësi të fatit, ku Gjermania u bë avokate e Polonisë dhe i hapi rrugën vëllait të vogël për në BE apo NATO. "Por sot jemi në një situatë tërësisht tjetër", thekson Lada-Konefal. Ndikimi i Tusk është rritur si politikan me përvojë që drejtoi për pesë vite Këshillin e BE. Edhe roli i Polonisë në votë ka ndryshuar, sidomos me ndihmën e shpejtë e të madhe ushtarake për Ukrainën dhe pranimin e miliona refugjatëve ukrainas. Në të njëjtën kohë Gjermania për shkak të politikës së saj të gabuar ndaj Rusisë ka humbur në imazh. Marrëdhënia e fuqive ka ndryshuar në favor të Polonisë.

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen me Donald Tusk në Bruksel, shtrëngim duarsh, von der Leyen me xhaketë blu, Donald Tusk me kostum blu të errët
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen me Donald Tusk në BrukselFotografi: Dursun Aydemir/Anadolu/picture alliance

Ndërkohë procesi i normalizimit të marrëdhënieve ka filluar me hapa të vegjël. Qeveria polake ka bërë të ditur, se do të lirohen fondet e bllokuara nga qeveria paraardhëse për mësimin e gjermanishtes për pakicën gjermane në Poloni. Edhe një libër historie gjermano-polak i bllokuar do të lejohet shpejt.

Por në politikën e migracionit dhe reformimit të BE ka nevojë që palët të bisedojnë, sidomos tek qëndrimi i Berlinit për reformimin e BE që të merren vendime me shumicë për politikën e jashtme në BE dhe jo unanime. Si një shpatë e Damokloeut në marrëdhëniet gjermano-polake po ashtu është çështja e reparacioneve për viktimat polake të luftës. Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski apeloi javën e kaluar tek kreativiteti gjerman për këtë çështje. Përgjigja nuk është dhënë ende.

 

Jacek Lepiarz, një burrë i thinjur me golf të zi dhe xhaketë ngjryë jeshile që shikon drejt e në kamera
Jacek Lepiarz Gazetar i redaksisë polake të DW, me fokus të veçantë në çështjet polako-gjermane