Kundër migrantëve-Jo nënshtetësi amerikane nëse lind në SHBA
30 Tetor 2018Presidenti amerikan, Donald Trump planifikon mbajtjen larg të refugjatëve, përmes ngritjes së qytezave me çadra në kufi, ku ata do të qëndrojnë deri në fund të procesit të azilit. Kjo masë parashihet si masë kërcënuese për ndërprerjen e fluksit të refugjatëve drejt SHBA. "Po qe se kërkojnë azil, ne do t'i mbajmë ata të ndaluar derisa ta procesi i tyre të përfundojë", tha Trump për televizionin konservator, Fox News.
Trump ka bërë të ditur po ashtu se do të ndryshojë edhe parimin Ius soli, që siguron të drejtën e nënshtetësisë për ata që lindin në Amerikë, edhe nëse prindërit nuk janë amerikanë, i garantuar ky nga neni shtesë 14 i kushtetutës amerikane. Trump tha për televizionin Home Box Office HBO se do të reformojë ligjin e shtetësisë amerikane që emigrantët të mos përfitojnë prej tij.
Ndërkohë mijëra refugjatë vazhdojnë rrugën përmes Meksikës drejt SHBA-së. Në kufi ata priten nga mijëra ushtarë. "Ne do të ndërtojmë qytete me çadra, do të ndërtojmë kudo çadra", tha Trump. SHBA nuk do të ngrejë për "qindra milionë dollarë" ndërtesa, por "çadra të bukura". Ata do të qëndrojnë në çadra për sa kohë të trajtohet kërkesa e tyre. Kjo masë do të sigurojë që askush të mos kalojë në ilegalitet dhe të mos vijnë më masa të tjerë njerëzish nga Amerika Qendrore, tha Trump.
Retorikë e ashpërsuar zgjedhore
Trump theksoi, se nuk do të bëjë gabimin e paraardhësit demokrat e të tjerëve, Barack Obama që i kishin lejuar azilantët brenda SHBA për kohën e procedimit të azilit. Para zgjedhjeve për kongresin, më 6 Nëntor Trump e ashpërsoi edhe njëherë retorikën kundër migrantëve. Por muri i planifikuar prej tij për t'u ndërtuar në kufirin me Meksikën nuk është bërë ende realitet.
Të hënën ushtria amerikane bëri të ditur se do të dërgojë 5.200 ushtarë në kufirin me Meksikën, ku ndodhen 2.100 trupa. Ushtarët duhet të sigurojnë kalimet kufitare dhe zonat përreth, tha gjenerali i aviacionit luftarak, Terrence O'Shaughnessy.
la(dpa, ap, afp)