Domosdoshmëri për reforimin e sistemit gjerman të arsimit - Nivel mesatar i Gjermanisë në studimin e OECD-së, PISA
7 Dhjetor 2004Publikimi i studimit të parë të OECD-së me seli në Paris në vitin 2000 shkaktoi një shok reagimesh në Gjermani, sepse nxënësit gjermanë krahasuar me vendet e tjera paraqiteshin më dobët. Edhe studimi i dytë, i sapopublikuar, ndonëse ka sjellë një farë përmirësimi, nuk ka rezultate të kënaqshme, sepse nxënësit gjermanë dëshmojnë një nivel mesatar krahasuar me vendet e tjera. Koordinatori i projektit të OECD-së, Andreas Shleiher, vë në dukje, se suksesi i arsimimit në Gjermani, ndryshe nga shumë vende të tjera me sistem të suksesshëm arsimor, është i varur në një masë të madhe nga prejardhja sociale e njerëzve: "Kjo do të thotë që një fëmijë punëtori në Gjermani qysh në fillim ka shanse më të këqia se një fëmijë intelektuali. Aq më keq është gjendja për fëmijët që vijnë nga familjet e emigrantëve."
Duke u pozicionuar në një konferencë shtypi lidhur me reuzltatet e studimit të programit PISA, ministrja e arsimit Edelgard Bulman, tërheq vëmendjen, për faktin që pikërisht nxënësit me rezultatet më të dobëta nuk kanë bërë asnjë përmirësim:
"Grupi i ashtuquajtur i rezikuar është mjaft i madh, rreth 22% e nxënësve largohen nga bankat e shkollës pa përvetësuar njohuritë e nevojshme. Këta nxënës do të kenë vështirësi shumë të mëdha në jetë për të gjetur një vend pune apo një kurs kualifikimi. Këtë gjendje duhet ta ndryshojmë urgjentisht."
Sipas ministres së arsimit duhet vënë në pikëpyetje edhe sistemi i deritanishëm i arsimit bazë, ku pas seleksionimit të nxënësve sipas nivelit, një kategori syresh detyrohet të futet shumë shpejt në rrugën e kualifikimit profesional: "Ne duhet të mendojmë seriozisht, nëse është e drejtë që fëmijët qysh në moshën 10 vjecare të orientohen drejt arsimit profesional, ky është një seleksionim që u bëhet fëmijëve në këtë moshë. Mendoj që këtë cështje duhet ta diskutojmë esëll dhe pa rezerva ideologjike", nënvizoi ministrja Bulman.
Vendet skandinave merren vazhdimisht si shembull për sistemin e arsimit. Nxënësit finlandezë dëshmojnë një nivel mjaft të mirë përgatitjeje. Në këtë vend motoja e sistemit arsimor është "një shkollë të për të gjithë", dhe ky është edhe kyci i suksesit, nënvizon Kai Pitkenen, zëvendësdrejtor në drejtorinë e shkollave. deri në vitet 60 situata në Finlandë ishte e ngjahsme me gjendjen e sotme në Gjermani. Por duke u nisur nga sfidat e së ardhmes qysh atëherë u vendos të ndërmerrej një reformë radikale në sistemin arsimor, thekson zoti Pitkenen: "Krijimi i shkollave të përbashkëta të integruara për 7 deri në 15 vjecarët është një nga hapat më të rëndësishëm të kësaj reforme. Në këto shkolla në Finlandë synohet që fëmijëve t´u jepet mundësia të arrijnë të njëjtin qëllim mësimor, pavarësisht nga niveli i arsimit që kanë prindërit e tyre dhe nga gjendja financiare në familje. Eshtë e padrejtë që fëmijët në moshën 10 vjecare të ndahen nëpër shkolla të niveleve të ndryshme. Arsimimi i mirë është i rëndësishëm si për shoqërinë ashtu edhe për ekonominë e vendit."
Një tjetër avantazh në Finlandë është autonomia e madhe që gëzojnë mësuesit, sepse vetëm nxënësit më të mirë pranohen në shkollat pedagogjike. Sistemi i notave vihet në përdorim duke filluar nga klasa e pestë, shkollat administrohen prej komunave dhe nxënësit e dobët mbështeten në klasa speciale brenda shkollës fillore. Bërthama e këtij sistemit gjerman është shkolla fillore e integruar.
Nga ana tjetër vlen të theksohet që janë shprehur edhe kritika në adrësë të OECD-së lidhur me mënyrën e përpilimit të raportit krahasues. Në studimin PISA nuk ka pyetësor as për faktet e dijes dhe as për testimin e formimit humanist. Pra në raportin e OECD-së nuk jepet informacion, se deri në c´masë p.sh. të rinjtë i njohin autorët klasikë të letërsisë botërore, apo të asaj gjermane. Studjuesit e OECD-së kanë vlerësuar nivelin e arsimit të nxënësve më të mirë të traditës anglo-saksone dhe kanë vendosur që studimi krahasues të bëhet mbi bazën e një standarti që konsiderohet si ndërkombëtar.