Do t'i sheshojë qeveria gjermane grindjet e brendshme?
28 Gusht 2023Grindjet brenda koalicionit gjerman e kanë ulur si kurrë më parë përkrahjen e gjermanëve për qeverinë. Pikërisht në gjysmën e legjislaturës së qeverisë gjermane, pakënaqësia e qytetarëve është rritur sipas një sondazhi të Institutit të Opinionit, You Gov me porosi të agjencisë gjermane të lajmeve, dpa. Sipas tij vetëm 23% e qytetarëve janë të kënaqur me punën e qeverisë. Gati tre çereku i gjermanëve është i pakënaqur me punën e koalicionit të socialdemokratëve, SPD, Të Gjelbërve dhe liberalëve. Krerët e partive kanë thënë se do të ulen për t'i zgjidhur mosmarrëveshjet. Në Meseberg takohen të martën për të debatuar mbi grindjet e brendshme në qeveri kancelari, Olaf Scholz dhe 16 ministrat e tij. Presidenti i Punëdhënësve gjermanë, Rainer Dulger shikon në këtë takim një shans për një kurs të ri të politikës ekonomike.
Këto ditë kancelari Olaf Scholz po përpiqet më shumë se kurrë të japë përshtypjen se e ka në dorë timonin e qeverisë së tij. Por pas dyerve të mbyllura, ministrat duhet të luftojnë për çdo hap përpara. Vetëm javën e kaluar, një mbledhje e zakonshme e qeverisë ngjalli debate të mëdha. "Nuk më pëlqen që sërish është përfolur kaq shumë në publik”, tha Scholz.
Konfliktet brenda qeverisë shtohen
Që nga fillimi i detyrës në vitin 2021 qeveria gjermane ka njohur vetëm kriza: Lufta në Ukrainë, kriza energjetike dhe tani recesioni ekonomik. Në fillim koalicioni tripartiak i qendrës së majtë ishte optimist se me gjithë divergjencat do t'ia dilte, por numri i konflikteve po shtohet.
Grindja e fundit është një mosmarrëveshje publike e paprecedentë mes këtyre të dyve. Ministrja e Familjes, nga partia Të Gjelbrit, Lisa Paus bllokoi planet e tij për lehtësime tatimore për bizneset e mëdha, sepse ministri i Financave, nga Partia Liberale, AI nuk po i jep më shumë para për të luftuar varfërinë e fëmijëve. Stefan Marschall, politolog thotë, se kjo "ishte një si "frenë emergjence” në minutën e fundit për të shpëtuar nismën e saj, por ndoshta edhe për të penguar nismën e tij. "
Nuk është shenja e parë e disharmonisë në koalicionin e qendrës së majtë mes socialdemokratëve, liberalëve dhe të gjelbërve. Edhe më parë ata janë grindur për heqjen nga përdorimi të centraleve bërthamorë, kur Rusia ia mbylli Europës rubinetin e gazit. Robert Habeck (Të Gjelbrit), ministër i Ekonomisë tha se, "nuk na nevojitet energjia bërthamore, ne kemi problem me ngrohjen industriale, e jo me rrymën elektrike. "
Disa muaj vonë grindja tjetër ishte për datën e ndalimit të ngrohjes me lëndë fosile. Grindja u ashpërsua mes Të Gjelbërve e liberalëve që nuk e donin atë ligj në atë formë, si ishte përgatitur nga ministri, Habeck. Konstantin Kuhle (FDP), deputet i Bundestagut atëherë u shpreh. "Të jeni të sigurt se ligji i Robert Habeckut nuk do të miratohet në atë formë, siç e kishte planifikuar ai." Kancelarit Scholz do t'i duhet të dëshmojë në takimin e Mesebergut se vërtet e ka timonin në dorë.