1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialog strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës

10 Janar 2025

Kosova dhe SHBA-të do të finalizojnë së shpejti marrëveshjen për dialogun strategjik mes dy vendeve. Kjo u bë e ditur nga vizita në Kosovë e Zëvendëssekretarit amerikan për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma.

https://p.dw.com/p/4p1bN
Richard R. Verma shtrëngton duart me Vjosa Osmani
Takim i Richard R. Verma me presidenten Osmani në PrishtinëFotografi: Office of the Kosovo Presidency

Kosova dhe SHBA pritet së shpejti të përmbyllin dialogun strategjik që do të përfshijë fusha të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës. Këtë e bëri të ditur përmes një njoftimi për media zyra e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me zëvendës Sekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma.

Lajmi mirëpritet në Kosovë

"Presidentja Osmani ritheksoi propozimin që i ka bërë SHBA-ve, që nga viti 2021 për dialog strategjik në mes Kosovës dhe SHBA-ve, si një platformë që do të shërbente për forcimin e bashkëpunimit në fusha të interesit strategjik e të dyanshëm. Në këtë drejtim, Zv.Sekretari Verma i dha Presidentes Osmani lajmin e shkëlqyeshëm se marrëveshja për dialog strategjik në mes vendeve tona do të finalizohet së shpejti dhe u dakorduan që ekipet tona të punojnë intensivisht në ditët në vazhdim lidhur me këtë proces”, thuhet në njoftimin e zyrës së Presidentes. Sipas presidentes Osmani, dyja palët u dakorduan për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë për të avancuar interesat e përbashkëta dhe për të forcuar partneritetin mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Richard R. Verma ulur në karrige përballë presidentes, Vjosa Osmani, dekor krishtlindjesh
Richard R. Verma dhe presidentja OsmaniFotografi: Office of the Kosovo Presidency

Normalizmi i marrëdhënieve me Serbinë - temë bisedimesh

Zëvendës Sekretari amerikan Verma, i cili vizitoi Kosovën në kuadër të një vizite në rajon, nuk bëri ndonjë koment të menjëhershëm për takimet në Kosovë. Departamenti Amerikan i Shtetit më herët tha se Zëvendëssekretari Verma do të riafirmojë përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimo për integrimin euroatlantik dhe bashkëpunimin më të thellë rajonal. Departamenti Amerikan i Shtetit po ashtu pati njoftuar se Richard R. Verma, në Kosovë do të diskutojë edhe për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Departamenti Amerikan i Shtetit, Logo blu e globit me rreth të verdhë
Logoja e Departamentit të ShtetitFotografi: Charles Dharapak/AP Photo/picture alliance

Verma viziton Beogradin

Zëvendëssekretari amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma nga Kosova udhëton për në Beograd, ku pritet të theksojë siç thuhet, partneritetin strategjik në rritje edhe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë për energjinë dhe çështje të tjera ekonomike. Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, zoti Verma do të ofrojë mbështetje për integrimin e Serbisë në institucionet evropiane, normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, forcimin e sundimit të ligjit dhe bashkëpunimin më të ngushtë dypalësh për çështjet ushtarake dhe të sigurisë. SHBA-ja udhëheq dialog strategjik me një numër vendesh, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Vizita në rajon e Zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, Richard R. Verma, zhvillohet vetëm pak ditë para se administrata Biden përfundon mandatin dhe presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, Donald Trump të kthehet në Shtëpinë e Bardhë.