1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Pakistan Frauen

27 Dhjetor 2011

Në qytetet e mëdha të Pakistanit ka shumë gra politikane të arsimuara të cilat luftojnë për të drejtat e njeriut për gratë. Në krahinat rurale, ato varen nga gratë si ministrja e Grave dhe Çështjeve sociale Sitara Ayaz

https://p.dw.com/p/13ZrD
Ministrja pakistaneze e Grave dhe Çështjeve Sociale, Sitara Ayaz
Ministrja pakistaneze e Grave dhe Çështjeve Sociale, Sitara AyazFotografi: picture-alliance/dpa

Sitara Ayaz duket e hapur, e thjeshtë dhe plot pasion, mbi supet e saj ajo ka hedhur një shami të gjatë elegante, flokët i mban të lëshuara. Ajo është një aktiviste e përkushtuar për gratë në provincën veri-perëndimore të cilat kanë përjetuar shumëçka. Fillimisht tërmetin gjashtë vjet më parë, pastaj luftën në mes të militantëve islamikë dhe ushtrisë pakistaneze dhe vitin e kaluar përmbytjet e Indus-it. "Gratë dhe fëmijët," thotë Sitara Ayaz, "vuajtën më së shumti". Megjithatë, ata u përpoqën të çojnë përpara veten dhe familjet e tyre.

Fondet e ndihmës për zhvillim, ministrja i përdorë për të ndërtuar strehimore për gratë e pastrehë, për gratë e burgosura të liruara nga burgu dhe për gratë që punojnë por që jetojnë vetëm. Zyrtarisht, vetëm 19 përqind e femrave punojnë në Pakistan. Por në fakt, numri i grave që duhet të sigurojnë mbijetesën ekonomike të familjeve të tyre është shumë më i madh. Ato punojnë sot në pothuajse të gjitha profesionet, raporton Ayaz: si mësuese apo mjeke, si punëtore në fabrikat e përpunimit të qumështit apo gjithnjë e më shpesh edhe si kultivuese të perimeve organike. Shumë gra udhëheqin manufaktura të vogla për prodhimin e qilimave apo mobiljeve.

"Ato që kryejnë punët në shtëpi", kritikon Ayaz, "në përgjithësi nuk njihen si gra të punësuara". Prandaj ajo ka hartuar një propozim për të ndryshuar ligjin e punës dhe për të siguruar barazinë. Sitara Ayaz mbështet gratë, kudo që të jetë e mundur, për shembull, në panaire, ku gratë mund të shesin prodhimet e tyre.

Dhuna - një problem i madh për gratë

Ministrja për punë dhe çështje sociale ndodhet në Berlin me ftesë të GIZ-it. Një vizitë në një shtëpi të grave dhe në një shtëpi strehimi për gratë është pjesë e programit të vizitës sepse dhuna është një problem i madh për gratë në provincën e saj. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti u vranë 179 gra, në mesin e tyre të paktën 14 vrasje për çështje nderi. 81 raste të dhunës në familje u njoftuan zyrtarisht. 28 gra u kidnapuan.

Gra dhe vajza pakistaneze duke dëgjuar një fjalim
Gra dhe vajza pakistaneze duke dëgjuar një fjalimFotografi: picture-alliance/ dpa/dpaweb

Shumë gra preferojnë një punë nga shtëpia edhe për shkak të frikës sepse ato nuk ndjehen të sigurta në rrugë, thotë Ayaz. Ngacmimi seksual në vendin e punës dhe në publik është pjesë e jetës së përditshme edhe pse ka kohë që dënohet me ligj. Po ashtu nuk duhet harruar as kërcënimet e ekstremistëve të dhunshëm.

Frikë pavarësisht të drejtës për divorc

Sa i përket dhunës në familje tani një ligj pritet të ndikojë në përmirësimin e gjendjes. Edhe pse për këtë ligj po diskutohet edne në parlamentin pakistanez, gjasat për miratimin e tij janë të mira. Ligji i ri ka për qëllim që të dënojë martesat e detyrueshme. Gjithashtu në të ardhmen nuk do të ndëshkohen vetëm autorët por do të vihen në dispozicion të të holla për të mbështetur gratë e prekura.

Fauzia Viqar, përfaqësuese e organizatës së gruas Shirkat Gah në Pakistan
Fauzia Viqar, përfaqësuese e organizatës së gruas Shirkat Gah në PakistanFotografi: DW

"Megjithatë" sqaron Fauzia Viqar nga organizata e grave Shirat Gah, "ligji pakistanez njeh të drejtën e grave për të kërkuar divorc." Dhe gratë gjithnjë e më shumë kanë guxim për të bërë këtë. "Por," shton veprimtarja për të drejtat e grave, "këto gra trondisin themelet e shoqërisë pakistaneze. "Vrasjet për çështje nderi, sulmet me acid si dhe martesat me detyrim dhe martesat e hershme kanë traditë të njëjtë siç është zakoni që për zgjidhjen e konflikteve gratë t'i dorëzohen palës armiqësore. "Gratë janë ende konsiderohen si pronë e familjes apo e burrit ", deklaron Fauzia Viqar. Dhe shumëçka ka ndryshuar për të keq për gratë që nga arritja e paqes me islamistët në vitin 2009.

Ndërkohë, gratë dhe vajzat janë aq të frikësuara sa që e kanë të vështirë të dalin nga shtëpia dhe kur e bëjnë këtë, atëherë vetëm me burkë ose ferexhe. "Qeveria krahinore nuk ka mbrojtur të drejtat e grave dhe vajzave me të gjitha mjetet", kritikon aktivistja për të drejtat e grave Viqar.

Autor: Henriette Wrege / Esat Ahmeti

Redaktoi: Mimoza Kelmendi