Gewalt gegen Frauen
3 Dhjetor 2009Shpresa Hysa është një grua rreth të 35-ve që para një muaji denoncoi në Drejtorinë e Policisë në Tiranë bashkëshortin e saj. Prej shumë kohësh ai ushtronte dhunë fizike ndaj Shpresës. Që pas denoncimit Shpresa merr mbështetje psikologjike dhe sociale në Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza të Dhunuara, në Tiranë.
“Nuk tregoja se burri më rrihte edhe në sy të fëmijëve. Kisha frikë, nuk guxoja, me vinte edhe turp. Derisa një ditë nuk durova dot më. Kisha parë afishet e kësaj qendre në rrugë. Mora ne telefon dhe bëra denoncimin. ” - tregon Shpresa.
Historia e saj është e ngjashme në thelb me atë të qindra grave të cilat rrihen dhe keqtrajtohen fizikisht nga bashkëshortët e tyre. Po ashtu edhe rrethanat që sjellin ushtrimin e dhunës: e ardhur nga Elbasani, e papunë, bashkëshorti me punë sezonale, vështirësi ekonomike, fillimi i alkoolit dhe pastaj dhuna fizike.
Thelbi i problemit - trajtimi i gruas si pronë
Nga gjithë sa Shpresa tregon kuptohet qartë se pas dhunës fizike qëndrojnë disa faktorë realë. Eglantina Gjermeni, një nga protagonistet e shoqërisë civile për të drejtat e gruas, pedagoge për Barazinë Gjinore në Universitetin e Tiranës, tregon se cilët janë këta faktorë: “Ka faktorë socialë, ekonomikë që lidhen me varfërinë, papunësinë, periudhën e zgjatur të tranzicionit, mungesën e informacionit, me mendësinë, pabarazinë gjinore, faktorë që ndërthuren mes tyre. Por në bazë të tyre është trajtimi i gruas si pronë, trajtimi i saj më shumë si objekt sesa si subjekt, gjë që i jep të drejtën gjinisë mashkullore për ta dhunuar fizikisht, psikologjikisht, seksualisht apo ekonomikisht.”
Beteja që duhen fituar çdo ditë
Që kjo të mos vazhdojë të ndodhë shoqëria civile, institucionet shtetërore dhe agjencitë e Kombeve të Bashkuara të pranishme në Shqipëri po bashkërendojnë përpjekjet për të rritur ndërgjegjësimin e opinionit publik dhe të vetë gruas për të drejtat e saj. Ky bashkëpunim ka dhënë frutet e veta. Në krye të tyre qëndron miratimi i ligjit për ”Masat kundër dhunës në familje” dhe hartimi i një strategjie kombëtare deri në vitin 2010 për të parandaluar dhunën ndaj gruas. Zonja Gjermeni thotë se betejat në luftën për ndalimin e dhunës ndaj gruas duhen fituar çdo ditë me zbatimin rigoroz të ligjit, bashkëpunimin sistematik të gjithë aktorëve të përfshirë..
“Ekzistojnë mekanizma institucionalë, duhet përforcuar zbatimi i tyre në praktikë dhe ndërgjegjësimi i opinionit publik lidhur me egzisterncën e ligjeve, lidhur me dhunën si shkelje e të drejtave të njerit duhet të vazhdojnë që në sistemet e edukimit dhe deri në shërbimet sociale dhe më tej.” thotë Eglandina Gjermeni
Autor: Ani Ruci
Redaktor: Pandeli Pani