Dhuna në familje - destruktive dhe shkatërruese
16 Gusht 2023Rasti i Nizama Heqimoviqit, e cila u vra në Gradaçac nga ish-partneri i saj, Nermin Sulejmanoviq, para syve të një foshnjeje nëntë muajshe dhe në sy të përdoruesve të Instagramit, tronditi mbarë opinionin boshnjak por dhe rajonal. Viktima ka denoncuar disa herë tek organet e sigurisë autorin e krimit, i cili ishte i njohur edhe më parë për policinë për kontrabandë droge dhe sjellje të dhunshme. Ajo ka kërkuar masën e ndalim-afrimit të kriminelit, por kërkesa e saj është refuzuar.
"Unë besoj se fakti që kërkesa e saj u refuzua mund të dekurajojë gratë e tjera viktima të dhunës të rapotojnë dhe denoncojnë dhunën, përveç nëse ka një hetim vërtet të mirë se pse ndodhi kjo." Nëse çështja nuk hetohet si duhet dhe nuk merren vendimet e duhura, atëherë gratë do të besojnë se nuk kanë mbrojtje”, thotë Augustina Ina Rahmanoviq.
Ajo megjithatë vlerëson se në Bosnjë-Hercegovinë ekziston një kornizë e mirë ligjore. Por, siç thotë ajo, shpeshherë nuk respektohet në praktikë. Duhet një bashkëpunim më i mirë mes institucioneve të ndryshme si dhe një reagim më i shpejtë dhe më i qartë ndaj problemit të dhunës, thotë ajo.
Solidariteti mashkullor dhe qëndrimi i butë ndaj dhunës në familje
Sfidë shtesë është kultura maçiste që ekziston në këtë vend, jo vetëm në rrugë, por edhe në institucione. "Në punën tonë shpesh hasim të ashtuquajturin "solidariteti mashkullor”, si në polici ashtu edhe mes punonjësve në qendrat e punës sociale. Disa nga burrat e punësuar atje kanë një qëndrim pak më të butë ndaj dhunës dhe thonë: 'Do të jetë në rregull. Gjithçka do të kalojë.” Ndërkohë që ligjërisht, ata mund të parandalojnë që diçka e tillë të ndodhë”, tha ekspertja e psikologjisë për DW, në dritën e femicidit dhe vrasjes së dyfishtë që ndodhi më 11 gusht në qytetin Gradaçac të B-H. Nermin Sulejmanoviq e ka ekzekutuar ish partneren e tij Nizama Heqimoviq në prani të foshnjes dhe në transmetim të drejtpërdrejtë në Istagram. Jashtëzakonisht i tmerrshëm ishte edhe fakti se dhjetëra persona e mbështesnin ate gjatë këtij krimi tepër të rëndë. Ndërkohë policia ka arrestuar shumë prej këtyre personave dhe po merret me rastin.
Në Bosnjë-Hercegovinë janë vrarë 19 gra gjatë viteve 2021 dhe 2022, sipas Komitetit për Monitorimin e Zbatimit dhe Raportimit të Konventës së Stambollit dhe Femicideve në Bosnjë-Hercegovinë. Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, çdo e dyta grua në Bosnjë-Hercegovinë mbi moshën 15 vjeç ka përjetuar ndonjë formë të dhunës fizike, psikologjike ose seksuale. Rahmanoviq shpjegon se gratë shpesh vuajnë dhunën për një kohë shumë të gjatë, por nuk e raportojnë dhunuesin e tyre. Ushtruesi i dhunës, thotë ajo, sundon duke futur frikën dhe shfaq sjellje të paarsyeshme kur gruaja e pret më së paku.
Izolimi dhe frika - pse gratë nuk e denoncojnë dhunën?
"Dhuna reflektohet në poshtërim, fyerje, izolim nga të dashurit dhe çnjerëzim. Gruaja futet në një lloj rrjeti të izolimit dhe nuk mund të dalë vetë nga kjo situatë. Frikë se ai me të vërtetë do t'i bëjë diçka është një arsye e madhe pse gratë nuk e raportojnë dhunën”, thotë Rahmanoviq. Përveç kësaj, ekziston një proces kompleks psikologjik në të cilin është shumë e vështirë për një grua që të çlirohet psiko-emocionalisht nga dhunuesi i saj, si dhe arsye konkrete, si varësia financiare ose qëndrimi se fëmijët kanë nevojë për një baba, pavarësisht si është ai.
"Viktimat zakonisht kanë ndjenjën se ai do të ndryshojë nëse ato janë të mira”. Por nuk është kështu. Nëse askush nuk i vendos kufij, ai vetëm do të marrë hov dhe gjendja do të përkeqësohet”, paralajmëron Rahmanoviq.
Nga lufta te dhuna në familje
Shoqata "Vive žene” nga Tuzla ka filluar të punojë me personat me trauma të luftës në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, ndërsa më vonë është fokusuar më shumë në luftimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
"Trauma e luftës e përkeqësoi dhe shtoi pjesërisht dhunën në familje. Karakteristikat e agresionit ndaj grave dhe fëmijëve në luftë kanë ngjashmëri me dhunën ndaj grave dhe fëmijëve pas luftës”, thotë psikologia nga Tuzla dhe tregon se pasojat e luftës ende luajnë një rol të rëndësishëm në llogaridhënien për krimet e kryera.
"Ne në Bosnjë-Hercegovinë jetojmë në një vend ku lavdërohen kriminelët e luftës. Kam përshtypjen se në mënyrë të pashmangshme prek të gjithë dhe se ekziston një ndjenjë që mund të bësh çfarë të duash pa u bërë përgjegjës”.
Shtëpia e sigurt - vetëm një lloj mbështetjeje
Sot shoqata menaxhon edhe Shtëpinë e Sigurt për viktimat e dhunës në familje, ku aktualisht janë shtatë gra. Javën e kaluar ishin 14 deri në 15. Ka një kapacitet për 21 persona dhe viktimat mund të ndjehen të sigurta në këtë vendstrehim, thotë Rahmanoviq.
"Viktimat janë të siguruara 24 orë në ditë. Ne kemi lidhje të mira me policinë dhe kemi hyrje të sigurt elektronike. Pas pranimit, askush nuk lejohet të kontaktohet - as ne, as punonjësit socialë dhe as policia nuk lejohet t'i tregojmë askujt se ku është viktima. Viktimës ia marrim edhe celularin që të mos ekspozohet ndaj kërcënimeve”, sqaron psikologia dhe shton se "Shtëpia e sigurt” mund të arrihet përmes policisë apo qendrës për punë sociale.
Një shtëpi e sigurt është sigurisht një nga zgjidhjet dhe mënyrat për të shpëtuar nga dhunuesit. Por mbrojtja më e mirë është që viktima të fillojë të flasë sa më shpejt të jetë e mundur për atë që po i ndodh dhe ta raportojë dhunën. Viktimat duhet të flasin për problemin me njerëzit në mjedisin e tyre, sepse sa më shumë njerëz e dinë për këtë dhunë, aq më e mbrojtur dhe e mbështetur është viktima.
"Shumë gra vuajnë në heshtje, kanë frikë, turpërohen dhe nuk flasin. Por ato duhet të dinë se të jesh viktimë e dhunës nuk është turp, është problem social. Unë do t'i rekomandoja çdo viktime të mendojë me kujdes nëse dëshiron ta kalojë jetën në një mënyrë të tillë. Ato duhet të kujtojnë dinjitetin që kanë, sepse burrat dhe gratë janë të barabartë. Nuk duhet të mendojnë se janë të varura dhe se burrat mund të bëjnë çfarë të duan me to. Nuk guxon të jetë kështu”, përfundon psikologia Rahmanoviq dhe konstaton: "Unë thjesht dua që njerëzit të kuptojnë se sa shkatërruese është dhuna në familje. Është shkatërruese për viktimat, por edhe për dhunuesit, sepse nuk mund ta imagjinoj që ai [Nermin Sulejmanoviq] mund të ishte i lumtur kur e bënte këtë. E të mos flasim për fëmijët. Është e tmerrshme”.