Dhjetë atraksionet më të preferuara të botës
Faqja e internetit për udhëtimet, Trip Advisor zgjodhi me Travellers' Choice Awards dhjetë atraksionet turistike më të preferuara të botës. Këtë portal udhëtimesh e vizitojnë 340 milionë vizitorë në muaj.
10. Katedralja e Milanos, Itali
Për nga sipërfaqja, Katedralja e Milanos është kisha e tretë në botë. Brenda saj, vizitorin e presin më shumë se 2000 skulptura.
9. Memoriali i Lincolnit dhe liqeni i reflektimit, SHBA
Ai që viziton National Mall në Washington D.C. në kryeqytetin e SHBA, patjetër që kalon këtu: te Lincoln Memorial, në këmbët e të cilit shtrihet një liqen artificial, që reflekton dritën.
8. Alhambra, Spanjë
Një vepër mjeshtërore e artit të ndërtimit maur është kështjella e qytetit Alhambra në Granadë. Ajo bën pjesë në trashëgiminë botërore kulturore të UNESCO-s dhe është një nga kuriozitetet turistike më të vizituara të Evropës.
7. Kisha e ringjalljes, Shën Petersburg, Rusi
Me ngjyra të gëzuara dhe e zbukuruar me ornamente të shumta: kisha e ringjalljes në Shën Petersburg u ndërtua sipas modelit të së famshmes Katedrale e Basilit në Moskë.
6. Mezquita de Córdoba, Spanjë
Arti maur dhe arti i krishterë bashkohen në këtë vepër ndërtimi, në njërën prej ndërtesave më të mëdha fetare të rruzullit. E ngritur në shekullin e 8-të si xhami, Mezquita është sot katedralja romano-katolike e Cordobës.
5. Taj Mahal, Indi
E ndërtuar nga Moguli i madh Shan Jahan, si mauzoleum për dashurinë e jetës së tij, Taj Mahali në Agra është një nga shembujt më të bukur të stilit Mogul.
4. Katedralja e Shën Pjetrit, Vatikan
20.000 pelegrinë e vizitojnë çdo ditë Katedralen e Shën Pjetrit, guri i parë për ndërtimin e së cilës u vu në vitin 1506 dhe e cila u ndërtua për rreth 120 vjet. Për besimtarët e së gjithë botës, Katedralja e Shën Pjetrit konsiderohet si vendi i shenjtë i kishës romano-katolike.
3. Angkor Wat, Kamboxhia
Kompleksi gjigand i tempujve është një dëshmi impresionuese e kulturës Kmer. Mendohet se ajo është ndërtuar në shekullin e 12-të.
2. Xhamia e Sheikut Zaid, Emiratet e Bashkuara Arabe
Xhamia monumentale e Sheikut Zaid në Abu Dhabi ofron vend për 40.000 besimtarë. E stolisur me mijëra kristale Svarovski, ajo të impresionon me prarimin e saj të shkëlqyer.
1. Machu Picchu, Peru
Dhe ky është kurioziteti më i preferuar në renditjen e Trip Advisor: qyteti i reve, Machu Pichu. Atë e kanë ndërtuar inkasit në Ande, në lartësinë 2500 metra, në shekullin e 15-të.