1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Detyrimi ynë për moshumbjen e besimit

7 Dhjetor 2022

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier u përpoq të inkurajojë Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut në vizitën e tij dyditore. Lindita Arapi, e ftuar e presidentit në këtë udhëtim me refleksione pas vizitës.

https://p.dw.com/p/4KYvP
Lindita Arapi begleitete den Präsidenten Steinmeier nach Albanien u Nordmazedonien
Vizita e presidentit gjerman, Steinmeier tek "Shtëpia e Gjetheve", një qendër përgjimi dhe torturash e Sigurimit të Shtetit në diktaturëFotografi: Lindita Arapi/DW

Megjithëse jehona në Gjermani është më e dobët, një vend ballkanik vihet i gjithi në lëvizje kur një president gjerman prek tokën e tij. Kësaj here vizitën e parë të presidentit gjeman, Frank-Walter Steinmeier në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri (29.11.-02.12.) pata mundësinë ta ndiqja nga afër si shkrimtare e ftuar në delegacionin gjeman me aktorin Kasem Hoxha, përkthyesin Benjamin Langer dhe drejtorin ekzekutiv të Euro Natur, Gabriel Schwaderer. Gjermania është sot shumë e preferuar, e jo vetëm, sepse sot ky vend është destinacion për të gjetur punë dhe ëndërr për shumë të rinj, më shumë nderimi lidhet me besimin e fortë të krijuar tek Gjermania këto dekada si partnere e besueshme.

Vizita e Steinmeierit ishte një vizitë respekti dhe inkurajimi për të mos e humbur besimin tek BE. 8 vite iu deshën Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që të fillonin bisedimet e anëtarësimit. E nuk dihet edhe sa vite të tjera janë përpara deri në ditën e anëtarësimit. Dashuria entuziaste me BE ndërkohë është ftohur. Megjithëse retorika dhe simbolika nuk mungon aspak, as vizualisht. Gjatë shëtitjes së delegacionit në Shkup me Steinmeier mund të shihje kudo në Çarshinë e Vjetër çadrat blu të BE - ende një shenjë besnikërie, megjithëse shumë ndjehen të zhgënjyer nga Europa.

Lindita Arapi begleitete den Präsidenten Steinmeier nach Albanien u Nordmazedonien
Fotografi: Lindita Arapi/DW

Identitet apo identitete?

Për vizitorët nga Gjermania është impresionues multikulturaliteti i Shkupit, një qytet ku takohen kultura e qytetërime, ai romak, bizantin, osman, ku dëgjohet këmbana e kishës ortodokse dhe thirrja e ezanit, ku maqedonas, shqiptarë, turq, serbë e romë e boshnjakë jetojnë bashkë vetëkuptueshëm, megjithëse bashkëjetesa nuk është përditë e lehtë.

Dihet se më shpejt kufijtë i kapërcen kultura. Në qendrën kulturore "Jadro" artistë shqiptarë e njerëz të letrave punonin bashkë me ata maqedonas, por a do të thotë kjo se hendeqet mes dy etnive janë mbyllur? Realiteti është gjithmonë i esëllt. Aty mësova, se sot të rinjtë shqiptarë nuk kanë interes të mësojnë gjuhën maqedonase, sepse përqëndrohen tek strukturat, ku flitet shqip, po as të rinjtë maqedonas, nuk e mësojnë shqipen. Hallet e ardhshme të një shoqërie multikulturore mund t'i identifikosh edhe sot. "Ju vendosni, se ç'pamje do të ketë identiteti maqedonas sot dhe se si do të duket në të ardhmen", tha Steinemeier në Shkup. Por për çfarë do të vendosin këta të rinj në fund? Për një mono-identitet, të lidhur vetëm me etninë e tyre? Apo për pluralitetin?

Nord-Mazedonien Skopje | Frank-Walter Steinmeier und der mazedonische Präsident Stevo Pendarovski
Presidenti gjerman Steinmeier me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo PendarovskiFotografi: Petr Stojanovski/DW

Ballkani jeton nga kontrasti. Në një ëmbëltore kamarierja më përshëndeti turqisht "Merhaba", e në fillim mendova se ishte turke, por pastaj kur më dëgjoi të flisja shqip, ajo më ofroi kafenë duke folur shqip. Më tha se në shtëpi flasin shqip, por kur është në publik flet turqisht. Kur shqiptarët thonë se janë turq, nënkuptojnë me këtë, se janë myslimanë, më tha. Identiteti nuk është i skalitur në gur, mendova duke pirë kafenë në këtë ditë nëntori plot shi Nuk është si gurët e palëvizshëm të kalldrëmeve në Çarshinë e Vjetër, por si rrëkezat e shiut që rrjedhin e marrin rrugën e vet me zigzage mes gurëve të këtij kalldrëmi.

Lidhjet ekonomike

Programi i presidentit gjerman ishte shumë intensiv, kurse shiu një shoqërues i pandarë në Shkup. Një pikërëndesë e vizitës ishin edhe marrëdhëniet ekonomike mes Gjermanisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në 200 kompani në Maqedoninë e Veriut rrjedh kapital gjerman, 30% e eksporteve maqedonase shkojnë në Gjermani. Vizitë tek Dräxlmaier, një furnizues i industrisë gjermane të automjeteve me sisteme kabllosh, i cili punëson 6.000 vetë në Maqedoninë e Veriut. Një projekt i suksesshëm, pa dyshim, po pyetja e parë që më lindi, ishte pse Dräxlmeier zgjodhi Maqedoninë e Veriut për shembull, dhe jo Shqipërinë. Përfaqësuesi gjerman e ndërpreu historinë e suksesit së kompanisë së vet, u mendua pak dhe tha. "Thjesht kushte më të mira. Lehtësime më të mira tatimore dhe më shumë siguri ligjore." Edhe në mënyrë kaq lakonike mund të përmblidhet historia e investimeve gjermane në Shqipëri, mendova.

Brain Drain nga Shqipëria

Pas dy ditësh vazhduam udhëtimin me presidentin gjerman në Tiranë. Steinmeier vlerësoi shpirtin europian të shqiptarëve, shprehu respekt për vendin që ndërkohë është një aktor i vlerësuar në arenën ndërkombëtare dhe u lut për durim në rrugën drejt Europës.

Albanien | Bundespräsident Steinmeier in Tirana
Steinmeier në TiranëFotografi: Franc Zhurda/AP Photo/picture alliance

Një klimë mesdhetare në Tiranë e ndryshoi atmosferën menjëherë mes të ftuarve të delegacionit. "Kryeqyteti Europian i Rinisë" për vitin 2022 ka një puls të lartë, kudo të rinj, ndjehet një dinamikë tjetër. Mjaft anëtarë të delegacionit që ktheheshin për herë të dytë në Shqipëri shprehën habi për ndërtimet e reja brenda pak vitesh dhe vlerësonin zhvillimin e vrullshëm të Tiranës. Por në Tiranë qytetarët janë të ndarë dhe shohin tek ndërtimet e shumta afera korrupsioni apo larje parash.

Tirana impresionon. Po, por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. "Kur e ke kuletën plot, shijon restorantet e mira, diellin, e ku di unë, të duket çdo gjë bukur në qytet", tha duke tundur kokën me mosmiratim një djalë i ri, punonjës i hotelit. "Por ne kemi çmimet më të larta të benzinës në Europë, me rrogat tona nuk i blejmë dot të gjitha ushqimet." Do iki në Itali, tha ai. Atje kam familje.

Steinmeier
Presidenti Steinmeier me autoren e Deutsche Welles, Lindita ArapiFotografi: Jesco Denzel

Një valë e pandalshme migrimi e ka përfshirë Shqipërinë. "E është më e lehtë të shkosh në Gjermani se të përpiqesh të bësh Ballkanin Perëndimor të funksionojë si Gjermania", ka shkruar intelektuali i njohur, Ivan Krastev. Pas kaq vitesh pritjeje duket se tek shumë vetë ka humbur besimi, se ndryshimi do të vijë. Kur bisedoj me të rinj energjikë, që i sheh duke buzëqeshur e plot humor në kafene me miqtë, dëgjoj shpesh se "këtu nuk bëhet." Një pesimizëm që nuk e zbut as dielli i ngrohtë shqiptar në nëntor dhe as fjalët e ngrohta që dëgjojnë nga të huajt. Pafuqia kundrejt pushtetit, korrupsionit, drejtësisë që nuk funksionon si duhet, sistemit shëndetësor të kalbur, arsimit me probleme bëjnë që shumë prej tyre të largohen.

"Ka një detyrim për të mos e humbur besimin edhe në kohë të vështira" kujtohet shpesh Emmanul Kant, kur do t'i japësh besim dikujt. Por si mund t'i japësh besim rinisë shqiptare, kur BE-ja është kthyer në ëndërr të largët dhe dëshira për një jetë më të mirë SOT, KËTU dhe TANI është gati shpërthyese? Si mund të edukohet tek i një i ri besimi për të ardhmen, optimizmi, kur ai e sheh se në vendin e tij mesatarisht mund të fitojë rreth 300 Euro, ndërsa në Gjermani shumë më tepër? Ia kujtova Kantin punonjësit të hotelit për të forcuar  qëndrimin tim. Përgjigjja e tij: "Po, edhe unë dua të kem besim, por atë do ta gjej diku tjetër."

Albanien | Rede Steinmeier im Parlament in Tirana
Steinmeier në Parlamentin e ShqipërisëFotografi: Bernd von Jutrczenka/dpa/picture alliance

Vështrim në të shkuarën

Një pikërëndesë e vizitës së Steinmeierit në Shqipëri ishte përballimi me të shkuarën komuniste në vend. Për herë të parë në historinë e trajtimit të diktaturës staliniste, një president gjerman u ul me ish-të përndjekur politikë, studentë, historianë dhe ekspertë duke dëgjuar me vëmendje vlerësimet për rrugën e vështirë të Shqipërisë në përballjen me diktaturën. Një temë që ende polarizon politikën dhe shoqërinë. Unë do ta quaja një shans i humbur këto 30 vjet! As politika dhe as shoqëria shqiptare nuk ishin në gjendje të shihnin në sy plagën e rëndë, të përballeshin me diktaturën me ndershmëri, me përgjegjësi, duke diferencuar dhe duke sjellë në fund pajtimin. Bilanci i këtyre viteve më sjell ndërmend Aleksander Solzhenitcin kur shkroi në Arkipelagun Gulag. "Gërmo në të shkuarën dhe do të humbasësh një sy. Harroje të shkuarën dhe do të humbasësh të dy sytë."

Katër ditë intensive në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri. Shumë takime, shumë impresione. Një udhëtim që do të mbahet mend si udhëtim i sjelljes së besimit në një botë të trazuar.

 

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare