Deti Mesdhe: E drejta për detin dhe politika e topave
30 Gusht 2020Deutsche Welle: Në dekadat e kaluara ka pasur gjithmonë tensione mes dy rivalëve të vjetër, Greqi dhe Turqi. Çfarë është këtë herë ndryshe në gjendjen aktuale kaq të tensionuar?
Lazaros Miliopoulos: Konflikti i njohur greko-turk për kufizimet e dyanshme në hapësirën ajrore dhe ujërat territoriale në Egje aktualisht ashpërsohet nga disa faktorë: Së parë ai ekonomik - bëhet fjalë për rezerva konkrete gazi në Mesdhe dhe pyetja e shfrytëzimit konkret të tyre. Me këtë lidhet faktori tjetër: Një konflikt gjeopolitik, ndërkohë i konturuar qartë nën pjesëmarrjen e disa fuqive të mëdha e rajonale, që duan të fiksojnë zonat e influencës në Mesdhe. Konkretisht këtu janë të përfshirë vende bregdetare të Mesdheut, krahas Greqisë e Turqisë, edhe Franca, Italia, Egjipti, Izraeli dhe Libia e ndarë, por edhe fuqi, si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite. Në këtë kontekst erdhi puna tek një memorandum turko-libian, ku vënia në pikëpyetje e së drejtës tradicionale të praktikuar për territoret detare të ishujve grekë u ndërkombëtarizua. Prandaj Athina reagoi me një marrëveshje egjiptiano-greke.
Turqia nga ana e saj është pavarësuar në anën gjeopolitike. Ankaraja e mban aktualisht jo vetëm të pushtuar gjysmën e Qipros, por zhvillon ndërhyrje ushtarake ndërkohë në Sirinë Veriore, Libi dhe Irakun Verior. E sikur këto të mos mjaftojnë, e gjitha komplikohet, përmes presionit të politikës së migracionit, momenteve ideologjike dhe një gjuhe shumë agresive të presidentit Erdogan. Qeveria e AKP-së qëndron momentalisht në një përzierje shumë helmuese mes "neootomanizmit", autoritarizmit, islamizmit, antikemalizmit, populizmit, militarizmit, nacionalizmit dhe anticionizmit. E në fund, marrëdhëniet turko-ruse në fazën aktuale, megjithëse janë të komplikuara, i ofrojnë Rusisë aktualisht shumë mundësi ndikimi, gjë që i vështirëson edhe më shumë mundësitë e BE. Konflikti i vjetër greko-turk sot është "më ndërkombëtar", "më ideologjik", dhe gjeopolitik me rëndësi.
Besoni me të vërtetë se mund të ketë një përplasje ushtarake mes dy vendeve anëtare të NATO-s?
Kjo varet sidomos nga qeveria turke. Megjithë gjestet kërcënuese, agresivitetin retorik dhe politikën e ashpër të topave, besoj, se qeveria e AKP-së në fund nuk e synon këtë seriozisht, nga interesi i vetë asaj. Greqia nga ana e saj është ushtarakisht e përgatitur dhe në gatishmëri. Por nuk mund të përjashtohet, që nga një gabim i madh apo aksident - një përplasje anijesh, një këmbim zjarri në det të hapur, të krijohet një reaksion zinxhir, që përfundon në konflikt ushtarak. Kjo pastaj zhvillohet shpejt dhe mund të rivihet shumë vështirë në vend. Në këtë rast nuk do ishin vetëm Greqia dhe Turqia të përfshirë. E kam të vështirë të përfytyroj, që kjo do të ishte në interes edhe sikur të një aktori të vetëm ndërkombëtar, madje as në interes të Rusisë, për të cilën mund të pretendohej, se përfiton nga situata.
Gjermania një ndërmjetësuese neutrale?
Aktualisht është Gjermania që përpiqet të ndërmjetësojë. A mundet Berlini të jetë një ndërmjetësues neutral?
Nga njëra anë Gjermania nuk është e përfshirë direkt në politikën e zonave të influencës në Detin Mesdhe. Por Gjermania për arsye politike të brendshme dhe të jashtme nuk është thjesht mos-pjesëmarrëse, po ashtu as komplet e pavarur. Kështu Gjermania vetë ka disa konflikte, pjesërisht serioze me Turqinë. Qeveria turke e ka provokuar disa herë Gjermaninë në kohët e fundit, e ka kërcënuar ose ka bërë presion. Nga ana tjetër - dhe kjo është paradoksale - Gjermania eksporton në Turqi në stil të gjerë armatime. Berlini mund të ketë tendencën të përfshijë në togun e negociiimit interesa kombëtare, si për shembull politika e migracionit, po qe se Turqia do të bënte presion në këtë pikë. Kjo do të shkonte në disfavor të Greqisë. Në Greqi ka një skepticizëm të kuptueshëm në pjesë të gjera të opinionit, kur bëhet fjalë për Gjermaninë si ndërmjetësuese të përshtatshme, kur vetë marrëdhëniet gjermano-greke nuk janë aq të parënduara, për shkak të kërkesave për reparacionet e luftës, që përsëriten rregullisht. Nga ana tjetër Gjermania si anëtare e BE është në anën e Greqisë, integriteti territorial i BE, si edhe forcimi i së drejtës ndërkombëtare janë absolutisht në interes të Gjermanisë. Pra nuk duket se ka shumë paanësi këtu, por shumë, shumë komplikim.
A duhet Berlini të jetë më aktiv dhe të angazhohet për interesat e Greqisë më hapur, siç bën aktualisht presidenti Macron?
Kjo do ishte e dëshirueshme dhe do ndihmonte, për sa kohë që pala turke në mënyrë aktive kërkon shfrytëzimin e zonës së kontestuar si deri më tani, ose siç ka bërë të ditur manovrat ushtarake, thënë shkurt të shkelë pa skrupull të drejtën ndërkombëtare me topa. Kjo nuk do të thotë që Gjermania, si Franca dhe Qipro të marrë pjesë në manovra ushtarake nga ajri. Megjithatë Berlini mund të mbështesë më mirë qëndrimin e qartë francez, por edhe italian e austriak si në formën diplomatike edhe ekonomike. Këtë Berlini nuk e bën aktualisht, sepse fillimisht kancelarja Merkel dhe ministri i Jashtëm, Heiko Maas duan të ndërmjetësojnë, edhe sepse duket se ata marrëveshjen e arritur së fundmi mes Greqisë dhe Egjiptit e shohin si gabim dhe Merkel në negociatat me Libinë, i ka dhënë më pak peshë Greqisë se sa e pretendon ky vend.
Sanksione apo negociata?
Cili do të ishte skenari realist për një dialog mes palëve si e kërkon Gjermania?
Nëse e gjithë strategjia e ndërmjetësimit e Gjermanisë zë vend, kjo mbetet të pritet. Nëse jo, Gjermania mund të kalojë në një kurs më të ashpër. Nëse Berlini ia del skenari mund të ishte: Qeveria turke pezullon kërkimet marciale, përkundër kësaj Turqia bëhet pjesë e negociatave bilaterale ose multilaterale për kërkime në Mesdhe, në një formë që Turqia të ndjehet e marrë seriozisht dhe ndoshta Greqia bashkëpunon me Turqinë në një formë që të dyja vendet, të shfrytëzojnë rezervat me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve turke dhe të ndajnë ekonominisht përftimin në bazë të një çelësi të caktuar. Çështjet e përkatësisë së territoreve detare mes Turqisë dhe Greqisë, sidomos aspekti kur këto çështje do jenë pjesë e negociatave apo do të vendosen në gjykata ndërkombëtare mund të ndahen nga procesi i përcaktimit të zonave të gazit për shfrytëzim, nëse nuk zgjidhen dot ndryshe.
Dr. Lazaros Miliopoulos është politolog në Institutin për Shkencat e Politikës dhe Sociologjisë në Universitetin e Bonnit