1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deti i Zi - Itinerari i ri refugjatëve drejt Europës

Robert Schwartz
24 Gusht 2017

Policia rumune ndali para pak ditësh një gomone me migrantë ilegalë. Duket se Deti i Zi po shihet si alternativë e re nga kontrabandistët pas vështirësimit të itinerarit të Mesdheut.

https://p.dw.com/p/2ihKh
Flüchtlingen im Mittelmeer
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Surinyach/AP

Në vjeshtën e vitit 2015, Bashkimi Europian vendosi shpërndarjen e 160.000 refugjatëve nga strehimoret e refugjatëve në Itali dhe Greqi. Rumania, ashtu si shtetet e Vishegradit, Polonia, Hungaria, Çekia e Sllovakia - në fillim rezistoi kundër një kuote të refugjatëve, por më vonë pranoi të merrte refugjatë në bazë të kapaciteteve të saj.

Në bazë të mekanizmit të shpërndarjes, ky vend duhet të merrte 6.300 refugjatë, më vonë u fol për 4.000 vetë, tani duhet të vijnë në Rumani vetëm 2000 refugjatë nga Italia e Greqia. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm rumun, Teodor Melescanu në një intervistë për televizionin. Deri më tani ky vend ka pranuar 710 migrantë kryesisht nga Siria, Iraku dhe Jemeni. Rumania nuk bën pjesë në vendet e dëshiruara nga refugjatët, por pas deklaratës së ministrit Melescanu kjo mund të ndryshojë.

Rrugë e rrezikshme përmes Detit të Zi

Brenda javës së kaluar ka pasur dy përpjekje për të sjellë refugjatë nga Turqia ilegalisht përmes Detit të Zi. Më 20 gusht roja bregdetare rumune ndaloi një gomone me 50 migrantë. Një javë më parë një varkë e motorizuar me 69 irakianë u ndalua në brigjet e Detit të Zi. Shumica e refugjatëve ishin minorenë.

Rumänien | Rede Präsident Klaus Iohannis im Parlament
Fotografi: REUTERS/Inquam Photos/O. Ganea

Nuk është hera e parë që përmes Detit të Zi vijnë refugjatë në BE. Që në shtator 2014 policia rumune ndali një gomone me 132 refugjatë, një vit më vonë 68 refugjatë të tjerë që kërkonin të hynin ilegalisht në Rumani.

Presidenti rumun, Klaus Iohannis në një intervistë televizive ishte shprehur një vit më parë, se Rumania do të pranojë një numër të caktuar refugjatësh, por do t'i mbrojë me sukses kufijtë e saj ndaj refugjatëve. "Ka pasur përpjekje nga grupet e refugjatëve që të vijnë nga Serbia në Rumani dhe më pas të vazhdojnë drejt Europës, por këtë ne arritëm ta ndalim. Po kështu do të ndalim edhe ata që duan të vijnë përmes Detit të Zi", ka thënë Iohannis. Sipas presidentit rumun Deti i Zi është shumë më i pakapërcyeshëm se Deti Mesdhe.

Bulgarien Grenze Grenzsoldaten
Gardh me gjemba gati në të gjithë kufirin bullgar me TurqinëFotografi: Getty Images/AFP/N. Doychinov

Edhe Bullgaria i trembet fluksit të refugjatëve

Por situata duket se ka ndryshuar muajt e fundit. Në dëshpërimin e tyre njerëzit janë të gatshëm të marrin përsipër edhe rrugë më të rrezikshme, si përmes Detit të Zi. Me sa duket pas mbylljes së itinerarit të Egjeut, atij të Ballkanit dhe bllokimit në Mesdhe, kontrabandistët duket se janë të gatshëm të përdorin si alternativë edhe Detin Mesdhe.

Nëse Deti i Zi kthehet në një itinerar të ri, kjo nuk mund të prekë vetëm Rumaninë, por edhe Bullgarinë me një fluks të ri refugjatësh. Qeveria në Sofje ka ndërmarrë hapa konkretë kundër migracionit ilegal. Një gardh me gjemba ndan gati të gjithë kufirin me Turqinë. 600 ushtarë dhe trupa, së bashku me drone do të angazhohen për të ndalur refugjatët të vijnë në Europë. Ende nuk ka plane se si do të mbrohej Bullgaria e Rumania kundër migrantëve ilegalë. Por pritet që edhe ky itinerar të bllokohet shpejt e refugjatët sërish do të kërkojnë rrugë të reja për të ardhur në Europë.